“Sondazhet fontanë dëshirash”, Agim Veliut i vjen kundërpërgjigja nga analisti politik

Politika

“Sondazhet fontanë dëshirash”, Agim Veliut i vjen kundërpërgjigja nga analisti politik

Nga: A.Z Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 16:18
Agim Veliu

Ish- kryetari i Podujevës, Agim Veliu duke thumbuar partitë e tjera tha se sondazhet janë duke shkuar sipas kritereve të tregut pasi sipas tij sondazhet janë duke u blerë.

“Më 14 shkurt do të rrëzohen të gjitha piramidat e sondazheve që po ndërtohen si fontanë dëshirash e sipas kriterit të tregut të lirë sa para aq përqindje në sondazh”, tha Veliu.

Lidhur me këtë analisti, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se me fjalët e Veliut nuk jemi pajtuar asnjëherë, por me fjalët tij të fundit po, sepse të jepen numrat e mandateve të deputetëve se sa do të marrë LVV-ja, LDK-ja dhe partitë tjera është e palogjikshme ndaj qytetarëve.

“Kurrë nuk jemi pajtuar me Agim Veliun, po me fjalët e tij të fundit: "se sondazhet ndërtojnë fontanë dëshirash...sa para aq përqindje në sondazh" gjithsesi po. Të kuptohemi, sondazhet nuk janë të kota në tërësi, sado kudo japin një rezultat të përgjithshëm se cila parti do jetë dominuese e fituese, ama të jepen numrat e mandateve të deputetëve se sa do marrë LVV-ja, sa LDK-ja e partitë tjera është e palogjikshme dhe e pandershme ndaj qytetarëve. Për shkak se dëshirat e sondazheve s'kanë të bëjnë fare me numrat e deputetëve të një partie politike”, tha ai.

Sipas tij, budallallëku më i madh është të përcaktohet numri i deputetëve të një partie politike para se të votohet. Mirëpo, ai thotë se edhe pse nuk janë të besueshme sondazhet, prapë tregojnë një gjysmë të vërtetë parazgjedhore.

“Dëshirat e simpatizantëve partiakë para kutive të votimit e marrin formën e bastoreve sportive e kurrsesi ndryshe, budallallëku më i madh është të përcaktohet numri i deputetëve të një partie politike para se të votohet, para 14 shkurtit, atëherë kjo ka të bëjë me llojin e fallxhoreve të tipave të Burdushit e kurrsesi ndryshe. Edhe pse nuk janë të besueshme sondazhet parazgjedhore, por sado kudo tregojnë një gjysmë të vërtetë që nuk mund t'u ikim propagandave të tilla partiake parazgjedhore që statistikohen edhe në çdo vende të botës. Demokracia politike botërore lejon sondazhe dëshirash, simpatizantësh e adhuruesish statistikore të tilla dhe nuk mund të ju ikim dhe ne”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat