“Sfidat e rënda që e presin”, ky është paralajmërimi për Qeverinë e re në Kosovë

Politika

“Sfidat e rënda që e presin”, ky është paralajmërimi për Qeverinë e re në Kosovë

Nga: P.R Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Pas 10 ditë fushate, në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme. E sipas KQZ-së, mbi 32 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 15:00. Kurse Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se i takon popullit të Kosovës që të vendosë se si do të duket Qeveria e re e Kosovës.

Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të jenë të lira dhe të sigurta.

“SHBA-ja është e përkushtuar që të shohë zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta. Por, nëse dikush u thotë se SHBA-ja ka ndonjë rezultat të parapëlqyer, kjo thjesht nuk është e vërtetë", tha ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Por çfarë e pret qeverinë e re në Kosovë dhe me cilat sfida do të përballet ajo?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Kosova do të ballafaqohet me një mori sfidash gjatë vitit 2021 dhe një numër i tyre do të nisin që me marrjen e mandatit nga qeveria e re që do të dal pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentar, por edhe me ato sfidat e trashëguara nga qeveritë e kaluara, të cilat po vazhdojnë të jenë problematike për zhvillimin e vendit dhe avancim në agjendën integruese euro-atlantike”, thotë Haziri.

Sipas tij, përballja me pandeminë dhe pasojat e saj, si dhe dialogu me Serbinë, do të jenë njëra ndër sfidat kryesore të qeverisë së re.

“Pandemia e Covid-19, sigurimi i vaksinës kundër covid-19, rimëkëmbja ekonomike e vendit nga pasojat e pandemisë së koronavirusit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe mundësia për një marrëveshje finale që do të qojë në njohjen reciproke në mes dy shteteve fqinjë”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Për fund, Haziri thotë se fundi i këtij viti, do ta gjej Kosovën me liberalizim vizash.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ky proces do të varët kryesisht nga rezultatet e prekshme që do të arrijë qeveria e re në fushën e rendit dhe ligjit, por mendoj se fundi i vitit Kosovën mund ta gjeje me liberalizim të vizave”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat