Kuorumi dhe votimi i Osmanit presidente, do ta shkëpuste LDK-në nga fryma e vjetër

Politika

Kuorumi dhe votimi i Osmanit presidente, do ta shkëpuste LDK-në nga fryma e vjetër

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 mars 2021 Në ora: 20:29
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Ka kaluar 1 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme disa parti nuk arrijnë të këndellen nga “goditja” që u dhanë ato.

Këto zgjedhje që sollën fituese VV-në, bënë që partitë tjera të pësojnë rënie të madhe.

Dy partitë politike që pësuan rënien më të madhe në historinë e tyre në skenën politike, janë LDK dhe PDK, shkruan “Bota sot”.

Menjëherë pas zgjedhjeve dhe humbjes që pësuan, Isa Mustafa dha dorëheqje nga kreu i LDK-së, duke u shprehur se po merr përgjegjësitë për humbjen që pësoi LDK-ja gjatë kohës kur ai qeveriste.

Kjo dorëheqje hapi rrugën që në krye të LDK-së të kalojë një përfaqësues tjetër i cili do të jetë në vazhdimësi të kësaj partie dhe kështu, me 14 mars LDK mbajti kuvendin zgjedhor.

Pas më shumë se tri orë, LDK-ja arriti që ta zgjedh Lumir Abdixhikun kryetar të partisë, i cili mori mbi 190 vota nga delegatët e LDK-së, nga 328 delegatë që votuan.

Abdixhiku në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, la pas Lutfi Hazirin e Besian Mustafës, të dy kandidatë për të parin e partisë, ndërsa që Anton Quni u tërhoq nga gara, para fillimit të kuvendit.

Të menjëhershme qenë urimet për Abdixhikun duke i uruar një rrugëtim të lehtë dhe të zellshëm në krye të LDK-së.

Pasi mori pozitën, Abdixhiku foli para delegatëve të LDK-së, duke i falënderuar secilin që i besuan votën atij.

Në konferencën për media, Abdixhiku padyshim që u pyet në lidhje nëse deputetët e kësaj partie do të votojnë Vjosa Osmanin për president të vendit.

Abdixhiku premtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë konstruktive, derisa tha se kryesia e re do ta marrë vendimin, por që refuzoi takimin me Kurtin e Osmanin, për të diskutuar për formimin e institucioneve.

“Ne do të jemi konstruktiv me të gjitha partitë shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe rajon. Meqenëse dje janë certifikuar rezultatet dhe sot është zgjedhur kryetari i partisë, ju lus për mirëkuptim, që t’i themelojmë organet e reja, të zhvillojmë konsulta fillimisht të brendshme sepse vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale”, deklaroi ndër të tjera Abdixhiku.

Ndërsa, sa i përket thirrjes së përfaqësuesit special të Amerikës për Ballkanin, Matthew Palmer për partitë opozitare që të qëndrojnë në sallë kur të votohet presidenti, Abdixhiku ripërsëriti se do të sillen në mënyrë konstruktive.

“Edhe unë po them që do të sillemi në mënyrë konstruktive. Qëllimi është që të jemi kontruktiv”, ka thënë Abdixhiku.

Kujtojmë që Mustafa javë më parë ka deklaruar që LDK-ja nuk do t’ia bëjë kuorimin Vjosa Osmanit, e se a do të veprojë Abdixhiku njësoj, mbetet të shihet.

Shahu: Abdixhiku nuk do të jetë zgjatim i të vjetrit

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se LDK nuk do ta ketë të lehtë të refuzojë pjesëmarrjen në kuorumin e Osmanit dhe se pjesëmarrja e LDK-së në kuorum do të ketë mundësi të ushtrojë diktimin e saj në jetën politike e parlamentare.

Image
Rexhep Shahu

“Do të thosha se nuk është e thjeshtë refuzimi i pjesëmarrjes për kuorumin për Vjosën nëse do të kërkojnë domosdo partnerët me qëllim që vendi të mos hyjë në zgjedhje të reja. Por edhe nëse merr pjesë për kuorumin ka plot mundësi që LDK të ushtrojë diktimin e saj në jetën politike e parlamentare”, është shprehur Shahu.

Më tej, analisti thotë se Abdixhiku nuk do të jetë zgjatim i të vjetrit dhe që sipas një rregulli siç e përmend Shahu, ai do ta vrasë babën, do të mbrojë veten, lirinë e sovranitetin e tij, ndryshe nuk bëhet kryetar asnjëherë.

“Sa i përket a do të ndjekë këshillat e Mustafës, unë nuk besoj se mund të jetë kryetari i ri zgjatim i të vjetrit apo altoparlant i të vjetrit. Besoj se sipas një rregulli ai do ta vrasë babën, do të mbrojë vetën, lirinë e sovranitetin e tij, ndryshe nuk bëhet kryetar asnjëherë”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

Mehazi: Quni u tërhoq nga kandidatura për kryetar të LDK-së, për ta ndihmuar Abdixhikun

Në anën tjetër, profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se zgjedhja e Abdixhikut kryetar i ri i LDK-së po tregon një rrugëtim të tij të ri politik, duke shtuar që koha do të tregojë nëse ai do të ndikohet nga Mustafa në lidhje me veprimet që do të zgjedh për LDK-në, duke përfshirë këtu votimin e Osmanit për presidente.

Image
Sulejman Mehazi

“Më në fund u zgjodhën dilemat e kryetarit të ri të LDK-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, pas dorëheqjes së Isa Mustafës, pas shumë propozimeve e opinioneve, më në fund, me 190 vota, u zgjodh kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Tani e tutje koha do ta tregojë rrugëtimin politik të Abdixhikut, se a është me Isa Mustafën, apo jo, do shihet e vërehet se kryetari i ri i LDK-së, Abdixhiku, a do jetë "mollë sherri" për kuorumin e Vjosa Osmanit për presidente, apo ende instruksionet politike do t’i marrë nga ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Se treshja e kandidatëve për kryetar të LDK-së, Haziri, Quni e Abdixhiku jo vetëm që janë miq të vjetër me Isa Mustafën, dihet se me decenie kanë të njëjtat ideologjitë politike të LDK-së, dihet, se me rastin e përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja ishin tog me mendjen e Isa Mustafës edhe të tre kandidatët: Abdixhiku, Quni e Haziri dhe kjo dihet”, ka nënvizuar profesori.

Mehazi, nga ana tjetër përmend tërheqjen e Qunit nga kandidatura e kryetarit të LDK-së, pikërisht pak minuta para se të fillojë votimi.

Profesori thotë se kjo dorëheqje ishte në ndihmë të Abdixhikut, pasi Quni ka qenë që nga fillimi një kandidat serioz për kryetar të LDK-së.

“Nëse Lumir Abdixhiku nuk shkëput lidhjet me humbësit e zgjedhjeve parlamentare e nuk i jep frymë të re LDK-së, atëherë që tani duhet bërë me dije kryetarit të ri të LDK-së se rrugëtimi i drejtimit politik i Abdixhikut do jetë drejt humbjes më të thellë. Sa duhet biseduar për Abdixhikun si kryetar i ri i LDK-së, aq më shumë duhet diskutuar për largimin e Anton Qunin nga kandidatura e kryetarit të LDK-së pak para se delegatët e LDK-së të votojnë Abdixhikun. Kur që më parë dihej se Quni ishte një ndër kandidatët më serioz për kryetar të LDK-së”, ka vlerësuar profesori.

Mehazi ndër të tjera thotë që gjesti që bëri Quni vlen të përgëzohet, pasi që ishte një shkaktar që të mos ketë përçarje mes votave të delegatëve të LDK-së.

“Largimi i Qunit nga kandidatura tregon shumë gjëra, mos ishte e qëllimshme për t'i ndihmuar Abdixhikut për disa qëllime të fshehta partiake. Quni është i dëshmuar për veprimet e tij individuale të pëlqyeshme politike, ai u dorëhoq, për të bërë Abdixhikun kryetar e për të eliminuar Lutfi Hazirin, apo Quni dhe Abdixhiku janë kundër Isa Mustafës e pro Vjosa Osmanit për presidente? Megjithatë, urime Abdixhikut e respekt për gjestin fantastik pak para votimit të Anton Qunit që u bë shkaktar i mos përçarjes së votave të delegatëve të LDK-së”, ka deklaruar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Abdixhiku nuk duhet të vazhdojë me logjikën e klikës së vjetër të kësaj partie

Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me zgjedhjen e Abdixhikut kryetar të ri të LDK-së.

Për kuorumin për Osmanin nga ana e LDK-së, sipas tij nuk varet nga Abdixhiku sepse ai duhet të konsultohet me organet e partisë e që reflektimi i kësaj partie do të ishte ideale në këtë kohë.

Image
Hidajet Ahmeti

“LDK-ja si parti politike me traditë shumëvjeçare në përfaqësimin institucional nuk mund të anësohet vetëm me këto ndryshime kozmetike, pasi ka shumë faktor që e kanë sjellë LDK-në në këtë gjendje e, jo vetëm pozicioni i të parit të partisë. Lumir Abdixhiku, mund të ketë vullnetin, dijen dhe guximin, por nëse organet e partisë udhëhoqën nga klika e vjetër atëherë zoti Abdixhiku potencialisht do të jetë instrument i organeve të partisë. Prandaj, mendoj se LDK-ja duhet t’ju nënshtrohet një vlerësimi kritik, duke filluar nga nëndegët, degët e duke reflektuar edhe me kryesi të re, e cila potencialisht do të ishte forca politike që do t’i bënte ballë Lëvizjes Vetëvendosje, me krye me zoti Kurti”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Në fund, analisti shton se kryetari i ri është mirë të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga logjika e inateve e intrigave që kanë praktikuar deri me tani. Çdo tentim i LDK-së për të penguar zgjedhjen e presidentit të ri do të ishte vazhdimësi e frymës së vjetër.

“Çdo tendencë e LDK-së për të proklamuar ndryshime substanciale me zgjedhjen e kryetarit të ri do të ishte një mashtrim i votuesve, por mbi të gjitha mashtrim ndaj vetes. Kryetari i ri i LDK-së nuk duhet të vazhdojë me logjikën e klikës së vjetër të kësaj partie, por duhet të veprojë racionalisht në rastin e zgjedhjes së presidentit. Mendoj se kryetari i ri është mirë të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga logjika e inateve e intrigave që kanë praktikuar deri me tani. Çdo tentim i LDK-së për të penguar zgjedhjen e presidentit të ri, do të ishte vazhdimësi e frymës së vjetër. Shkëputja nga logjika e vjetër do të ishte nëse LDK-ja do të dëshmojë frymën institucionaliste, jo vetëm t’ia bëjë kuorumin, por edhe ta votojë znj.Osmani për presidente”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat