‘Lufta Speciale’ ndaj presidentes Vjosa Osmani, analisti akuzat për UÇK-në i cilëson politike

Politika

‘Lufta Speciale’ ndaj presidentes Vjosa Osmani, analisti akuzat për UÇK-në i cilëson politike

Nga: A.Morina Më: 10 prill 2021 Në ora: 22:49
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këto ditët e fundit, ka qenë cak i kritikave dhe akuzave nga kundërshtarët e saj politikë.

Këto reagime erdhën, pasi presidentja Osmani në postimin për përvjetorin e Betejës së Koshares, nuk e përmendi UÇK-në.

Ndaj këtyre akuzave, reagoi edhe vetë presidentja e vendit duke thënë se lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë.

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kritikat dhe akuzat që po bëhen ndaj presidentes Vjosa Osmani, shkaku i UÇK-së.

Bytyçi u shpreh se nuk beson që Osmani, nuk e ka përmendur me qëllim UÇK-në në postimin për masakrën e Koshares. Ai tha se Osmanin çdoherë ka mbajtur anën e luftës së UÇK-së, madje edhe kur nuk ka qenë president e vendit.

“Nuk besoj absolutisht se Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, nuk e ka përmendur me qëllim UÇK- në.

Znj. Vjosa Osmani edhe kur nuk ka qenë Presidente e Republikës ka mbajtur anën e UÇK-së. Madje sa herë i është dhënë rasti botërisht ka pohuar se UÇK-ja, e ka zhvilluar një luftë të drejtë kundër një okupatori gjakatar e gjenocidal”, deklaroi ai.

Analisti e cilësoi presidenten Osmani si një njohëse të shkëlqyer e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një patriote e devotshme.

“CV-ja e zonjës presidente tregon qartë se presidentja znj.Vjosa Osmani Sadriu përveç se është e ngritur profesionalisht është edhe njohëse e shkëlqyer e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një patriote e devotshme”, theksoi Bytyçi.

Në vazhdim ai veçoi akuzat e zyrtarëve dhe deputetëve të PDK-së ndaj Osmanit, të cilat i cilësoi si të motivuara politikisht.

“Akuzat e PDK-istave kundër presidentes kinse nuk e paska përmend UÇK-në, në një rast janë akuza të motivuara politikisht.

Jo vetëm PDK, por edhe subjektet tjera politike duhet ta kuptojnë definitivisht se UÇK- ja, nuk është në pronësinë e asnjë parti politike, UÇK-ja është e gjithë popullit të Kosovës dhe si e tillë duhet vlerësohet dhe nderohet nga të gjitha partitë politike në Kosovë pa dallim”, nënvizoi ai.

Kurse, Bytyçi tha se partive opozitare nuk i dolën llogaritë politike si duhet, prandaj ato kundërshtojnë vazhdimisht presidenten Vjosa Osmani.

Image
Analist politik, Adem Bytyçi

“Partitë të cilat bojkotuan seancën e parlamentit, në të cilën u zgjedh znj.Vjosa Osmani presidente, sigurisht saherë t'iu teket do ta kundërshtojnë presidenten Osmani , për llogaritë e tyre politike, bilanci i të cilave u doli negativ në zgjedhjet e fundit të parakohshme të 14 shkurtit 2021”, deklaroi analisti.

Në fund, ai ia bëri me dije të gjithë kundërshtarëve politik të Vjosa Osmanit, se presidentja ka qenë kundër formimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK, dhe ky këtë e cilësoi si argument që rrëzon çdo teori konspirative, se Osmani është kundër UÇK-së.

“Nëse nuk kam harruar z.Vjosa Osmani Sadriu, edhe para se të ishte presidente ka qenë kundër Gjykatës Speciale për krimet e luftës të UÇK, në Kosovë, si gjykatë raciste mono etnike, ky është një argument i fuqishëm që rrëzon çdo teori konspirative të kujtdo qoftë kinse znj. presidente Osmani nuk po e nderon UÇK-në, vlerën më sublime të lirisë tone”, përfundoi Adem Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat