Formimi i “Qeverisë nën hije”, krijimi i “Shkollës Politike”, veprimtari ka një thirrje për Abdixhikun: Opozitarizmi duhet të jetë...

Politika

Formimi i “Qeverisë nën hije”, krijimi i “Shkollës Politike”, veprimtari ka një thirrje për Abdixhikun: Opozitarizmi duhet të jetë...

Nga: N. H Më: 23 prill 2021 Në ora: 23:09
Kryesia e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka formuar gjashtë departamente, gjithashtu ka formuar “Shkollën Politike”, si dhe ka riorganizuar Zyrën për medie dhe Qendrën për Informim e Kosovës – QIK.

Ky subjekt me shumicë votash kanë votuar që të krijohen ekipe të cilat do të bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në degët e LDK-së.

Në lidhje me këto reforma, për këto cështje ka folur veprimtari hershëm i këtij subjekti politik.

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, reformat e filluar në LDK i ka konsideruar si ambicioze.

Image
Fatmir Bajraj

“Procesi i reformimit dhe i riorganizimit, tanimë ka marrë dritën jeshile pasi që Kryesia e LDK-së, mori vendim për krijimin e ekipeve të cilat vlerësojnë gjendjen në teren, përkatësisht në Degët e LDK-së. Reforma duhet të kaloj mbi tehun e “Shpatës së Demokleut”. Për gjendje në Degët e LDK-së, flet më së miri rezultati zgjedhor i 14 shkurtit të këtij viti, por ndryshimi i gjendjes dhe reformimi i thellë, nuk duhet bazuar vetëm në leximin e rezultatit, por në studimin e shkaktarëve me kujdes për të nxjerrë mësimin e duhur mbi të cilin duhet orientuar ndërhyrjet imediate në këtë hallkë strukturore të organizimit horizontal”, ka thënë Bajraj, për “Bota sot”.

Bajraj me tej shprehet se reformimi dhe riorganizimi, nuk duhet të dëmtojë kohezionin e brezave të LDK-së, por parimisht të ruaj këtë kohezion.

“Freskimi, hapja dhe konsolidimi i radhëve nuk do të thotë apriori edhe një proces diferencimi, përjashtimi dhe anatemimi të strukturës dhe bartësve të përgjegjësive të cilët njëkohësisht, mund të jenë edhe bartës të sukseseve dhe angazhimeve ndër vite, përkundrazi; duhet qasje serioze dhe korrekte ku parimi i meritokracisë respektohet dhe përfillët. “Të piqët mishi, por të ruhet helli”. Reformimi të ruaj kohezionin duke ruajtur, vlerësuar dhe respektuar kontributin dhe angazhimin e akëcilit në kohë dhe periudha të ndryshme të LDK-së në dobi të shtetit. LDK, ka vend dhe nevojë për të gjithë, përfshi edhe ata të cilët kanë braktisur LDK-në, për arsye nga më të ndryshmet, dhe të cilët duhet të inkurajohen të kthehen në shtëpinë e tyre, në LDK-në, më të cilën ndajnë të njëjtat vlera dhe ide”, tha me tej ai.

Bajraj i ka bërë me dije liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se duhet të kultivohet fryma e besimit dhe mbështetjes qytetare përmes kontaktit të drejtpërdrejt.

“Hapja ndaj brezit të ri duhet të jetë e sinqertë dhe e kapshme, duke u dhënë hapësirë përformimi e afirmimi vlerave dhe nevojave të brezit të ri në vendimmarrje, dhe në ushtrimin e përgjegjësive dhe jo vetëm të përdoret si infrastrukturë dhe levë shfrytëzimi. Duhet të kultivohet fryma e besimit dhe mbështetjes qytetare përmes kontaktit të drejtpërdrejt, për të dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe të cilat duhet të bëjnë bërthamën e programit politik në platformën e pushtetit të LDK-së, në nivelin lokal dhe atë qendror”, u shpreh veprimtari Bajraj.

Informimi dhe mediat, pika më e dobët e LDK-së

Kurse, sa i përket riorganizimit të QIK-ut, Bajraj mendon se është i domosdoshëm, pasi shprehet se këtë aspekt kjo parti nuk ka vepruar mirë në të kaluarën.

“Riorganizimi i QIK-ut, dhe transformimi i informimit në trendët e industrisë mediatike përmes rrjeteve sociale dhe mediumeve publike, do bënte një hap para dhe të domosdoshëm në kohën e internetit dhe kibernetikës, për çfarë LDK-ja, duke mos vepruar, ka lëshuar hapësirë dhe teren kundërshtarëve politik, dhe oponencës e cila e ka shfrytëzuar deri në abuzim kundër LDK-së. Themelimi i shkollës politike në kuadër të Fondacionit Ibrahim Rugova, do të ishte një qasje dhe veprim praktik pozitiv në kultivimin dhe afirmimin e vlerave autentike rugoviste, dhe në anën tjetër, do të prodhonte një brez të ri të orientimit euro-perëndimor dhe veri-atlantik të qendrës së djathtë siç është LDK-ja që në ngjizje dhe deri në ditët tona”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, veprimtari Bajraj ka theksuar se opozitarizmi i fuqishëm dhe konsekuent, është nevojë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe e vendit.

“Krijimi i gjashtë departamenteve që do mbulonin sektorët krucial të qeverisjes të cilat do të përcillnin dhe mbanin nën llupë pushtetin aktual dhe qeverisjen e tij, do të ndihmonte qytetarët në detektimin e keqqeverisjes në njërën anë, dhe në anën tjetër do të evitonin korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Opozitarizmi i LDK-së, duhet të jetë autentik dhe identitar më frymën dhe filozofinë politike rugoviane, i cili duhet të jetë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe assesi vetëm për interesa pushteti”, ka përfunduar veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajra, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat