Rreziku nga “Non paper” për Kosovën dhe dialogun, si të veprojë Qeveria

Politika

Rreziku nga “Non paper” për Kosovën dhe dialogun, si të veprojë Qeveria

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 15 maj 2021 Në ora: 10:31
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dokumentet “non-paper” u publikuan e po vazhdojnë të publikohen.

Në to u paraqit ndryshimi i kufijve në Ballkan, që ngjalli reagime të shumta në botë.

Kundërshtime të fuqishme pati kundër ndryshimit të kufijve e këtyre dokumenteve joformale të publikuara.

Pavarësisht kësaj, ajo vazhduan të diskutohen e së fundmi u publikua dhe një "Non paper" nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Sipas këtij të fundit, qëllimi është integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Por, pse po publikohen këto dokumente në këtë kohë, para rifillimit të dialogut dhe sa janë të rrezikshëm?

Lidhur me atë se sa janë të rrezikshëm për Kosovën, publikimi i “non-paperave” për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Publikimi i "non-paper-ave”, perëndime të rrezikshme për Kosovën”

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se e gjitha kjo bëhet për arsye të paralajmërimit nga Qeveri Kurti për ngritjen e padisë për krime lufte ndaj Serbisë, prandaj, Vuçiç së bashku me Lajçak-un dhe Borrell-in e përpiluan tani edhe një “non-paper”.

Qarri thotë se Kosova do të përjetojë edhe një rrezik nëse dhe në “non-paper-in”, e ri paraqitet lëvizja e kufijve, meqë rast arsyeja e këtyre do të jetë vetëm cenimi territorial i Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Hasja e "non-paper-it" të parë, në reagime të ashpra të BE-së dhe SHBA-ve, si dhe paralajmërimi i Qeverisë Kurti për ngritjen e padisë për gjenocid e krime lufte, kundër Serbisë okupatore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duket se detyruan Aleksandër Vuçiqin që me miqtë e tij brenda BE-së, Josep Borell e Mirosllav Lajçak, ta përpilonin tanimë edhe një "non-paper" të ri, si strategji shtetërore e Serbisë hegjemoniste, për kundërvënie nismës së Albin Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës, për ngritjen e padisë ndërkombëtare, kundër Serbisë, për gjenocid dhe krime lufte të shkaktuara ndaj shqiptarëve të pambrojtur, gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ndaj nëse edhe në dokumentin e ri, të përfolur si "non-paper", përfshihet sërish ri vizatimi i hartave, lëvizja e kufijve dhe tjetërsimet territoriale, mu para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, me siguri, Kosova do ta përjetojë këtë edhe si një rrezik të ri,dhe vazhdim të lojës perverse për cenimin territorial të vendit tonë, përsëritje pazaresh për kufij dhe përpjekje për uljen e vlerës, së padisë për gjenocid e krime lufte, kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, potencoi Qarri.

Tutje ka theksuar se paraqitja e “non-paper-ave”, para fillimit të dialogut, ka pretendime të rrezikshme dhe qëllimi i të cilave është që ta detyrojë Kosovën për të bërë kompromise të reja për të ndryshuar kufijtë dhe sipas Qarrit, Qeveria Kurti duhet mos t'i lejojë në tryezën e bisedimeve.

“Kështu që publikimi i "non-paper-ave" të ri, mu në këto momente dhe vetëm pak kohë, para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbie edhe nëse askush nuk e di saktësisht, përmbajtjen dhe qëllimin e daljes, duket të jetë projekt tepër djallëzor me pretendime tejet të rrezikshme dhe tendenca skajshmërisht kërcënuese për ta detyruar Kosovën, të bëjë kompromise të reja, për ndryshimin e kufijve, sipas planeve të treshes famëkeqe Thaçi, Rama, Vuçiq, si dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, në emër të një marrëveshje të ashtuquajtur gjithëpërfshirëse, akt të cilin Qeveria e re, duhet ta hedhë poshtë që në fillim dhe të mos të lejojë, në asnjë mënyrë që të zë vend në tryezë të bisedimeve”, ka shtuar ai.

Më tej tha se non-paper-i”, i ri është një projekt më shumë kundër Qeverisë Kurti dhe përpjekje për zhvlerësimin e padisë ndaj Serbisë, madje Qarri thotë se nëse vazhdohet kështu do të riprodhohen pandërprerë, deri në marrëveshjen me Serbinë si dhe qëllimin për jetësimin e pazareve të Thaçit.

“Pra, mbirja kaq "spontane" edhe e një të ashtuquajturi "non-paper" i ri, për mendimin tim, nuk është asgjë tjetër përveçse edhe një projekt më tepër, kundër Qeverisë së kryeministrit Kurti dhe Republikës së Kosovës si dhe përpjekje për zhvlerësimin e padisë së shtetit të Kosovës, kundër Serbisë okupatore, për krime lufte dhe gjenocid, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur dihet se Serbia qysh më 22 korrik të vitit 2010, e ka humbur 100% edhe përballjen e parë juridike, përsëritjes së të cilit i frikësohet mbi të gjitha. Përndryshe unë nuk shohë asnjë arsye tjetër, që dokumente të tilla të ndjeshme, të publikohen kaq lirshëm dhe atë, mu në qendrën kryesore dhe më të fuqishme të BE-së, të paralajmëruar në takim ministrash të BE-së, nga vet Josep Borell në Bruksel, të cilat nëse vazhdohet kështu, duket se do të riprodhohen pa ndërprerë, deri në momentin përfundimtar të marrëveshjes me Serbinë, si formë e presionit mbi Qeverinë e re dhe Republikën e Kosovës, për jetësimin e pazareve të Hashim Thaçi & Co,maja e ajsbergut të të cilave, duket se fatkeqësisht do të jetë vërtetë me shumë rreziqe për Kosovën”, përfundoi Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

“Serbia e ka të qartë humbjen e betejës”

Ndërsa, sipas juristit Blerim Burjani, qëllimi i shfaqjes së tyre është sepse këtë vit do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, prandaj askush nuk ka marrë përgjegjësin për këta “non-paper”.

Më tej, ai theksoi se Serbia duhet të nxjerr dialog me Kosovën, si dhe ta kushtëzojë hapjen e temës së Bosnjës dhe Hercegovinës, pra përmes këtyre të zgjidh problemet.

Image
Blerim Burjani

“Këto shfaqen sepse brenda këtij viti pritet të bëhet një marrëveshje e plotë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tash ka shumë letra të kësaj natyre që burojnë nga shërbimet sekrete të shteteve, që fshehin autorësinë se kush e ka hartuar, deri më tash askush nuk ka marrë përgjegjësi për këto "non paper" sa i përket qeverive të apostrofuara më parë. Tash ideja është t’i paraprihet zgjidhjes së cila do të jetë ajo dhe pse duhet. Serbia e ka të qartë këtë se ka humb betejën, kaherë fokusi i saj një maksimum ta nxjerr në dialog me Kosovën dhe të kushtëzojë me hapjen e temës së Bosnjës dhe Hercegovinës, pra ka strategji Serbia të nxjerr maksimum në këto dy shtete në emër të zgjidhjes së problemeve, që sipas saj janë puro etnike dhe territoriale, por aspak e bazuar në liritë dhe të drejtat”, ka deklaruar Blerim Burjani për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat