PDK-ja në “ankth”, analistët i kujtojnë të bëmat gjatë qeverisjes së tyre

Politika

PDK-ja në “ankth”, analistët i kujtojnë të bëmat gjatë qeverisjes së tyre

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 maj 2021 Në ora: 09:14
Enver Hoxhaj

Ditë më parë është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Kjo mbledhje si duket nuk vajti edhe aq mirë siç ishte paraparë të mbahej, kjo sepse si gjithmonë pati “përplasje” të pozitës me opozitën.

Kësaj radhe ishte PDK ajo e cila lëshoi sallën e mbledhjes, shkruan “Bota sot”.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është deklaruar se partia e tij e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pasi ai tha se ka pasur ofendime nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

“Së bashku me nënkryetarin e Kuvendit lëshuam mbledhjen e Kryesisë për shkak të ofendimeve që vijnë nga zonja Kusari e cila përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Kusari është e fundit që ka deficite të mëdha morale që deputetëve të opozitës me iu thënë se më shumë ngjasojnë më banda se me deputetë”, u shpreh ai.

Gjithashtu, ai shtoi se këto ofendime erdhën nga deputetja e VV-së, sepse kjo zhurmë i bënë mirë për të i ikur temës për pagesën e energjisë elektrike për qytetarët në veri.

“Paaftësia e tyre me ecë për zhvillim po i shtynë ata me i ndalë temat e partive opozitare. Ritëm shumë i dobët dhe i ngathët po ndodhë në vendin tonë që tregon paaftësi të ministrit dhe kryeministrit. Bojkoti nuk është praktikë e jona. Kësaj Qeverie mund t’i konvenojë kjo zhurmë e rrëmujë që mos të kujtohet pagesa e energjisë elektrike për qytetarët në veri”, theksoi Tahiri.

Pas lëshimit të sallës nga PDK nuk mbeti pa u deklaruar deputetja e LVV, Mimoza Kusari-Lila duke treguar ecurinë e ngjarjes dhe atë që sipas saj kishte ndodhur në të vërtetë.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimioza Kusari-Lila, tha se nuk i ka ofenduar deputetët e PDK-së në mbledhjen e Kryesisë, por vetëm ka kërkuar nga ata që të kenë kujdes me gjuhën e përdorur.

“Gjatë diskutimit në raport me seancën e kaluar kam kërkuar nga deputet e PDK-së që të kenë kujdes me gjuhën. Kjo bëri që përfaqësuesit e PDK-së të dalin nga  mbledhja”.

Ajo ka shtuar ndër të tjera që secili deputet duhet të ketë një kontroll të gjuhës në vendin e punës.

“Ne përkundër dallimeve politikë nuk duhet të rrëshqasim në cenim të integritetit të secilit  prej neve në vendin e punës. Konsideroj që me ose pa mikrofon gjuha e deputeteve duhet të jetë komfort standardeve”, u shpreh Kusari-Lila.

Mehazi: PDK ka për qëllim që të prish imazhin e qeverisë Kurti

Në lidhje me këtë temë, profesori dhe njëherësh analisti politik, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se sulmet e partive të PDK-së nuk kanë të ndalur, ata filluan me Kurtin, Gërvallën dhe tash me përfaqësuesen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas profesorit, të dëgjosh ankesat e PDK-së të lënë të mendosh që gjatë kohës kur kanë qenë në pushtet nuk kanë bërë asgjë që tash po fajësojnë LVV-në.

“Sulmet e partive opozitare sidomos të PDK-së nuk kanë të sosur, iu vërsulën kryeministrit Albin Kurtit e kryeministri ju përgjigjej me heshtje, më vonë PDK-ja mori një ofanzivë të madhe kritikash të palogjikshme e të pa argumentuara ndaj ministres së diplomacisë, Donika Gërvallës dhe ja tani ndaj përfaqësueses së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusarit-Lila, e bëhen sikur vetëm ata kanë qenë në kuvend të mirë, të kujdesshëm e të suksesshëm gjatë qeverisjes së tyre njëzetvjeçare e këto të qeverisë së Kurtit nuk bëjnë”, u shpreh profesori.

Analisti thotë se këto përpjekje të PDK-së kanë për qëllim të prishin imazhin e qeverisë Kurti para qytetarëve të Kosovës.

Mehazi nuk arsyeton veprimet e PDK-së që lëshuan sallën për shkak të kujdesit në mënyrën e gjuhës që përdorin sepse kuptimi i Kuvendit është të ketë debate mirëpo pa ofendime.

“Të gjitha përpjekjet e PDK-së kanë një qëllim, për të degraduar e prishur imazhin e qeverisë së Kurtit para qytetareve të Kosovës. Është qesharake deklarata e shefit të grupin parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cila tha se PDK-ja ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për shkak ofendimeve të Mimoza Kusarit ndaj PDK-së. Të lëshohet mbledhja për shkak mospajtimeve e ideve politike, neneve e ligjeve është e arsyeshme dhe e logjikshme, ama të lëshohet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për shkak ofendimeve është e pakuptueshme, pasi vetë kuptimi i Kuvendit e i parlamentit e ka frymën e diskutimeve, polemikave, po dhe të kritikave dhe ofendimeve”, tha analisti.

Ndër të tjera, Mehazi thotë se gjatë qeverisjes PDK ka bërë vazhdimisht ofendime dhe sharje ndaj opozitës dhe të bëhesh e moralshme tash tregon se ata janë të çmendur që Kurti është në pushtet.

“Edhe gjatë qeverisjes së PDK-se kemi dëgjuar ofendime, nënçmime e sharje ndaj partive tjera opozitare. PDK-ja prej nga u bë aq e moralshme dhe ndjeshme sa që çdo polemikë kundër tyre ju duket ofenduese e nënçmuese sa që të lëshojnë mbledhjen e Kryesisë se Kuvendit. Kjo tregon se të PDK-së janë duke u çmendur pse Albin Kurti është në pushtet e ato në opozitë”, theksoi Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: PDK po shfaqë një imazh të shëmtuar tek qytetarët e vendit

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se PDK që nga rënia që pësoi nga zgjedhjet e 14 shkurtit, po luan viktimën dhe duke u munduar të vë në pozitë të keqe VV-në po e vendos vetën.

Image
Faton Mehmeti

“Faktikisht PDK ndodhet në agoni të rënies së saj, që pas zgjedhjeve të fundit akoma s’po arrin të këndellet. Të luash rolin e viktimës kur je vet autori i të keqes shfaq një imazh të shëmtuar e të cilin mundet vetëm PDK ta ndërtoj të tillë. Kjo parti politike ka problemë me vetveten, jo me VV-në apo me dikë tjetër”, potencoi analisti.

Ai tutje thotë se largimi nga mbledhja do të thotë që ata kanë mungesë të argumenteve për ta kundërshtuar qeverinë duke shtuar se me këtë qasje VV do të qëndrojë në pushtet për 20 vjet.

“Largimi nga salla e shkaktuar nga mungesa e argumenteve për të kundërshtuar qeverinë shpërfaqë mjerimin në të cilin ndodhet PDK. Me PDK-në në opozitë, me këtë qasje VV qëndron në pushtet për 20 vjet. Duhet ndryshime të mëdha, përndryshe PDK vetëm po pëson rënie”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat