Uniteti pozitë-opozitë kundër Serbisë, të gjitha gjërat që Kurti duhet t’i kërkojë në dialog

Politika

Uniteti pozitë-opozitë kundër Serbisë, të gjitha gjërat që Kurti duhet t’i kërkojë në dialog

Majlinda Haziri  Nga Majlinda Haziri Më 23 maj 2021 Në ora: 20:37
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në qershor të këtij viti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mirëpo, para se të ulet në tryezën e bisedimeve, Kurti ka vendosur që fillimisht të bisedojë me opozitën, në mënyrë që të jetë i koordinuar para se të dalë me një plan për dialogun.

Kështu, gjatë ditës së enjte, kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa tre liderëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend: z. Enver Hoxhaj (PDK), z. Lumir Abdixhiku (LDK), dhe z. Ramush Haradinaj (AAK)”. Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Kryeministrisë.

Ftesës i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i partisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kreu i LDK-së ka thënë shkurt se do të marrë pjesë në takimin me shefin e ekzekutivit, e krahas Abdixhikut, ftesën e ka konfirmuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërsa kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj është ai i cili nuk ka pranuar ftesën pa i dhënë detaje kryeministri për takimin.

Në një letër drejtuar Kurtit, ai kërkon detaje për takimin përndryshe nuk pranon t'i bashkohet tavolinës së bisedimeve.

Kujtojmë që Qeveria nuk ka njoftuar se cilat janë temat e diskutimit, por ka thënë se për çështjet me interes nacional do të konsultohet me partitë opozitare.

Qarri: Kurti bëri një hap të rëndësishëm që ftoi opozitën në takim para dialogut me Serbinë

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kurti bëri veprimin që edhe kishte paralajmëruar, pra të ftojë opozitën në takim.

Sipas analistit ky vendim është i duhuri dhe opozita duhet të jetë bashkëpunuese, në mënyrë që së bashku të përpilojnë atë që është në interes të vendit dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët para Serbisë.

Image
Gani Qarri

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ashtu siç pati paralajmëruar edhe gjatë vizitave në Bruksel se do të bisedojë më opozitën për çështjen e dialogut dhe dy ditë pas kthimit në Kosovë, siç bënë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përmes një komunikate për media, i bëri këtë ftesë opozitës, duke thirrur të tre liderët e partive të përfaqësuara në Parlament për takim gjatë javës së ardhshme, që të bisedojë me ta, për çështjen e dialogut me Serbinë, shqiptarët duhet të dalin me thirrje unike, që në shenjë respekti të pafund ndaj viktimave dhe nderimit të familjarëve të tyre, para se të rifillojnë bisedimet, të përjashtohet nga pjesëmarrja në to, krimineli Aleksandër Vuçiqi. Ndaj përveçse, aktin e kryeministrit Kurti unë realisht e shoh si hap të duhur dhe shumë pozitiv, edhe opozita interesat e popullit dhe shtetit të Kosovës duhet t'i vë mbi të gjitha dhe të kthejë përgjigje pozitive si dhe të ofrojë kontributin e vet, politik e intelektual për përgatitjen sa më mirë të bisedimeve dhe daljen me një qëndrim të përbashkët, në ballafaqimin që do ta ketë Kosova në dialog me Serbinë okupatore”, u shpreh Qarri.

Tutje, analisti thotë se përparësi në këtë dialog Kosova duhet t'i jep gjenocidit që Serbia ka kryer ndaj Kosovës dhe të gjitha të bëmat e tjera të cilat vazhdimisht duhet të kërkohen nga Serbia.

Po ashtum ai vlerëson se Kosova është e obliguar si shtet dhe duhet ta kërkojë patjetër, për bijtë e saj të vrarë e të masakruar, në kryeqytetin e BE-së, SHBA dhe Organizata e Kombeve të bashkuara.

“Madje, përveç kërkesës për përjashtimin e Vuçiqit nga dialogu, në tryezën e bisedimeve, në plan të parë, duhet të vihen krimet dhe gjenocidi i shkaktuar nga Serbia, ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë si dhe kthimin e mbi 1674 trupave të viktimave dhe të të kidnapuarve shqiptar, të cilët ish ministri i informatave të Millosheviçit dhe presidenti aktual serb krimineli Aleksandër Vuçiq edhe mbi 21 vite pas lufte, ende i mban peng në Serbi, të shpërndarë nëpër varreza masive anë e mbanë Serbisë, duke i trajtuar mizorisht edhe pas vdekjes, sikur mos të ishin trupa të njerëzve, për të cilët edhe sot e kësaj dite, askush nuk ka dijeni as nuk janë dhënë sqarimet e duhura, se si janë vrarë dhe çfarë është bërë nga regjimi kriminel i Serbisë me organet e tyre, shpjegim të cilin Kosova është e obliguar si shtet dhe duhet ta kërkojë patjetër, për bijtë e saj të vrarë e të masakruar, në kryeqytetin e BE-së, SHBA dhe Organizata e Kombeve të bashkuara, si akt paraprijës dhe argument-plotësues për ngritjen e padisë për gjenocid e krime lufte kundër Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theksuar Qarri.

Nga ana tjetër, ai shton se Vuçiq duhet ta tregojë në detaje mënyrën se si i kanë mbytur dhe kanë bërë gjenocid Serbia ndaj Kosovës, pasi që kanë qenë së bashku në këtë punë me Millosheviqin.

Akt të papranueshëm analisti e quan edhe faktin që ata ia fshehën edhe kufomat shqiptarëve duke mos i ditur familjarët se ku janë.

“Përjashtimi nga pjesëmarrja e Vuçiqit në dialog si dhe dhënia e shpjegimit të detajuar për mënyrën e vrasjes dhe fatin e organeve të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, nga Serbia duhet gjithsesi të ndodhë për vet faktin se krimineli Aleksandër Vuçiq, ishte pjesë e luftës dhe ministër i ish regjimit pushtues në qeverinë gjakatare të kasapit Millosheviq, të cilët bashkë përgatitën gjenocidin, përdhunimet e dhjetëra mijëra femrave të pambrojtura shqiptare, përfshi edhe vajza të moshës minore, shkaktuan mbi 420 masakra anë e mbanë Kosovës dhe vranë mbi 15000 shqiptar të pafajshëm civili përfshi edhe fëmijë të moshës vetëm 2-3 mujore, trupat e të cilëve vazhdojnë edhe sot të zhvarrosen nga varrezat masive gjithandej Serbisë fashiste, e cila si asnjë vend tjetër i globit, bëri aktin më të pashembullt në botë, duke ua vjedhur shqiptarëve edhe kufomat, që vrau vet dhe trupat e vdekur të të rënëve, të cilët askush nuk e di si u vranë e ku përfunduan, ende i mbanë peng”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Dialogu me Serbinë kërkon unitet kombëtar

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se dialogu me Serbinë po fillon dhe takimi me opozitën është i domosdoshëm.

Sipas profesorit, kërkohet edhe konsultim me shoqërinë civile, pse jo edhe me Tiranën sepse janë disa çështja siç është ajo për UÇK-në që kërkon takime informale dhe jo vetëm me opozitën.

Image
Muhamet Kelmendi

“Dialogu me shtetin kriminal serb po rifillon. Në kuadër të kohës para vazhdimisht të dialogut me shtetin serbe në Bruksel me ndërmjetësimin e UE-së, është gjë normale dhe e domosdoshme takimet me opozitën dhe jo vetëm, por edhe me strukturat tjera të Republikës së Kosovës e më gjerë. Lidhur me këtë dalin disa çështje që kërkohen të sqarohen paraprakisht, ndonëse bazë të juridiko-kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të qarta. Mirëpo, kundruall gjendjes, lypset konsultimi me opozitë dhe natyrisht edhe me shoqërinë civile, ndoshta edhe më gjerë, deri edhe me Tiranën. Në Kuvend duhet të shtrohet kjo çështje. Ne kemi deklarata jo të qarta të z. Kurti dhe të z.Gërvalla sa i përket Republikës, luftës kundër krimit dhe të kaluarës së kombit shqiptar. Sidomos ka paqartësi për UÇK-në. Çështjet e tilla nuk zgjidhen në kontakte vetëm me opozitën. Ato janë takime informale dhe nuk obligojnë askënd juridikisht”, ka potencuar Kelmendi.

Ai shton se çështja duhet të kalojë në Kuvend dhe të merret një rezolutë obliguese ku merret mendimi edhe i shoqërisë civile.

Sipas tij, Kosova është shtet dhe vetëm mbi bazën e shtetit kërkohet të ndërtohet raporte me shtetet tjera duke shtuar që Kosova nuk duhet të vazhdojë të bëjë lëshime për Serbinë.

“Çështja duhet të shtrohet në Kuvend dhe aty të diskutohet dhe të merret rezolutë obligative për shumë çështje në raport me Serbinë. Dhe këtej lypset edhe mendimi i shoqërisë civile, i strukturave të arsimit e të kulturës, si dhe absolutisht edhe të Tiranës. Qeveria gabon nëse vazhdon qëndrimet e njëjta që i mbajti brenda vendit dhe në Bruksel mbi tërë gjendjen. Kosova ka pozitë të rëndë dhe atë duhet ndryshuar. E pozita nuk ndryshon me barazinë e shtetin kriminal serb me Kosovën. Kjo nuk guxon të vazhdohet. Kosova është shtet dhe vetëm mbi bazën e shtetit kërkohet të ndërtohet raporte me shtetet tjera. Po kjo shumë me shumë vlen me shtetin kriminal serb. Internacionalizmi gjoja i dy personalitete në Qeveri, të Kryeministrit dhe të Ministres së Jashtme, është i tejkaluar dhe ajo nuk ec”, është shprehur profesori.

Në fund, Kelmendi thotë se për gjenocidin që ka bërë Serbia duhet të kërkohet llogari nga ajo dhe duhet zyrtarisht e ndërkombëtarisht të kërkohet përgjegjësi dhe vëmendje për drejtësi.

Nga Brukseli dhe nga Uashingtoni etj, kërkohet zyrtarisht përkrahje në çështjen e drejtësisë dhe pastaj vjen njohja reciproke, përkatësisht e Republikës nga Serbia dhe të kësaj nga Kosova si përfundim, përndryshe sipas profesorit çdo marrëveshje tjetër, jashtë këtyre, është e dëmshme.

“Janë të vegjël në çështje të mëdha. Mjaft është Kosova. Ajo do mbrojtje dhe gjaku i derdhur kërkon përgjegjësi nga shteti serb. Këtu nuk ka rëndësi qëndrimi ndaj UÇK-së. Në Kosovë është bërë një luftë çlirimtare kundër shtetit okupues serb, i cili ka bërë edhe gjenocid mbi populli shqiptar. Atë duhet akuzuar zyrtarisht dhe me të kërkohet shumë vëmendje. Pa përgjegjësi të kriminelëve vështirë dialogohet. Ka shumë tema që duhet të përgjigjet Beogradi. Nga Brukseli dhe nga Uashingtoni etj, kërkohet zyrtarisht përkrahje në çështjen e drejtësisë. Natyrisht se çështje e madhe është gjetja e të zhdukurve, dëmi dhe reparacionet e luftës, si dhe rikthimi i mjeteve të grabitura. Këtej vjen pastaj njohja reciproke, përkatësisht e Republikës nga Serbia dhe të kësaj nga Kosova si përfundim. Çdo marrëveshje tjetër, jashtë këtyre, është e dëmshme dhe nuk i shërben Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat