Sa ka gjasa që LDK të rikthehet? Flet veprimtari Bajraj: Duhet të ketë reflektim serioz

Politika

Sa ka gjasa që LDK të rikthehet? Flet veprimtari Bajraj: Duhet të ketë reflektim serioz

Nga: N. H Më: 23 maj 2021 Në ora: 22:11
Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar seriozisht përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Se kjo parti ka filluar përgatitjet tregon edhe takimi i fundit ku kryetari Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të partisë në Podujevë kanë mbajtur një takim me qëllim për pajtimin përkatësisht unifikimin e LDK-së.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, opozitarizimin dhe shanset për rikthim të LDK-së, “Bota sot”, ka kontaktuar, veprimtarin e kësaj partie.

Veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rikthimi i këtij subjekti politik në qeverisjen e vendit si forcë kryesore politike dhe mbi të gjitha, si parti lidere e institucionaliste dhe shtet-ndërtuese, tanimë është synimi parësor i lidershipit të saj të ri dhe i gjithë strukturës organizative e deri tek votuesit e saj.

Image
Fatmir Bajraj

“Rikthimi i saj duhet mbështetur në origjinalitetin autentik, në ADN-në, unike dhe në idenë fillestare që në ngjizje, për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, me orientim perëndimor dhe ideologji politike të qendrës së djathtë. Shtrati dhe orientimi i saj politik është gjithmonë bazament që prodhon ide dhe ofron zgjidhje racionale të problemeve të shoqërisë dhe shtetit, dhe jo polarizim të shoqërisë dhe krijim të problemeve”, ka thënë Bajraj.

Sipas Bajrajt, është pikërisht humbja e rëndë në zgjedhjet e fundit që Lidhjes Demokratikr të Kosovës i i imponon asaj një reflektim serioz.

“Rezultati i saj i dobët i zgjedhjeve politike të 14 shkurtit 2021, i imponon asaj një lexim të kujdesshëm të verdiktit dhe një reflektim poaqë serioz, duke nxjerrë mësimin e duhur dhe konform tij, edhe përgjigjën adekuate kontekstuale si në procesin e reformimit, poashtu edhe në rolin e opozitës përballë një pushteti absolut të LVV-së, dhe arrogancës së numrave që manifeston pushteti i saj si provë dominimi dhe imponimi me çdo kusht dhe në secilin rast”, tha ai.

Fryma populiste e VV-së dhe “mëkatet” e LDK-së

Tutje, Bajraj gjithashtu ka treguar kush e dëmtoi dhe e ndëshkoi LDK-në, duke i shkaktuar kësaj të fundit humbjen e mese gjysmës së substancës.

“Diskursin politik të LVV-së dhe të liderit të saj, Albin Kurti, dhe e ndihmuar me shtrirjen e hegjemonisë, frymë kjo e cila rrëmbeu edhe LDK-në, duke e dëmtuar dhe ndëshkuar këtë të fundit edhe me humbjen e mese gjysmës së substancës, përkatësisht të besimit dhe mbështetjes elektorale të shprehur në kutitë e votimit me votë si valutë e vetme e këtij besimi dhe suporti qytetarë në ditën e zgjedhjeve. LDK, ra në lakun e këtij diskursi hegjemonist, duke u kthye edhe në “pre” e tij edhe me çmimin e nënshtrimit deri në poshtërim edhe me faktin e mundësimit, zgjedhjes së kandidates Vjosa Osmani për presidente nga radhët e LVV-së, për t’i dhënë (dhuruar) kësaj të fundit, pushtetin absolut, pra të tri pozitat kryesore politike e institucionale, që nga Kryeparlamentari, Kryeministri dhe Presidenti, për çfarë mbanë përgjegjësi; jo për mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga ana e LVV-së, por për ndihmesën e ofruar në procesin zgjedhor”, ka nënvizuar Bajraj.

Në fund, veprimtari Bajraj thekson se krerët LDK-së janë duke drejtuar një proces serioz në reformimin e partisë.

“Identifikimi dhe detektimi objektiv i shkaktarëve të rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit, ndihmon LDK-në, për “terapinë” dhe masat adekuate në procesin e reformimit, proces ky i filluar me Kuvendin e jashtëzakonshëm 14 marsit dhe zgjedhjes së kryetarit të ri, Lumir Abdixhiku, KP-së dhe Kryesisë së re e cila po drejton një proces serioz ndryshimesh e reformimi i cili duhet të arrij deri tek aktivistët në teren dhe votuesit besnik të cilët nuk ia kthyen shpinën LDK-së, as në ditët më të vështira, siç është rasti i zgjedhjeve të fundit parlamentare”, ka theksuar veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat