Dështoi ta ‘rrëmbejë’ postin e presidentit, kjo është arsyeja e akuzave të Haradinajt ndaj Kurtit

Politika

Dështoi ta ‘rrëmbejë’ postin e presidentit, kjo është arsyeja e akuzave të Haradinajt ndaj Kurtit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 maj 2021 Në ora: 11:41
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ditë më parë shpërtheu në parlament ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij ndaj vendit.

Seanca u zhvillua me akuza e kundërpërgjigje, Haradinaj iu drejtua hapur Kurtit, duke e pyetur nëse është agjent serb.

“Kam dy pyetje për kryeministrin, Albin Kurti, a je i rekrutuar nga shërbimet serbe, a bën Serbia diçka mbi ty që të mban peng, sot e kësaj dite, a është Kosova e rrezikuar prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg apo nga çlirimtarët që janë detyruar me mbajt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng nga shërbimet serbe”, u shpreh Haradinaj.

Ndaj kësaj deklarate, ndërhyri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke i kërkuar Haradinajt të bënte kujdes me fjalorin në kuvend.

Në po atë seancë, ishte deputeti i VV-së, Haki Abazi, që e pyeti Haradinajn se a ka ai lidhje me shërbimet sekrete serbe, derisa ishte liruar nga burgu në Francë dhe më pas ishte bërë kryeministër sapo ishte kthyer në Kosovë.

“Në pyetjen e zotit Haradinaj që mendoj që në gjuhën parlamentare nuk duhet të ekzistojë ajo formë e poshtërimit të njerëzve të cilët kanë përgjegjësinë dhe mandatin nga mbi 50% të popullatës dhe e kthen gjuhën parlamentare në një konflikt të panevojshëm, bën njëfarë lloj helmimi të opinionit publik në formën e pyetjeve se cili shërbim sekret e ka rekrutuar kryeministri, rrjedhimisht ngrit çështjet të cilat zotin Haradinaj duhet pyetur se cili shërbim sekret e ka kthyer nga dhomat e burgut në Francë drejt e në kryeministri”, tha Abazi.

Është e çuditshme se si Haradinaj lëshoi këto akuza nda kryeministrit, kur dihet se Kurti i ka vendosur reciprocitet ndaj Serbisë, ka paralajmëruar edhe padi për gjenocid ndaj saj.

Analistët politikë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, deklaruan se shkak i kësaj akuze banale të Haradinajt, është shkaku se ai tani ka mbetur në opozitë dhe nuk ka përfituar asnjë post qeverisës.

Ata këtë e lidhën edhe më dështimin e kreut të Haradinajt për ta marrë postin e presidentit.

Zeqiraj: Akuzat banale dhe provokative të Ramush Haradinajt ndaj kryeministri Albin Kurti

Image
Idriz Zeqiraj

Njohësi i çështjeve politike nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto akuza që janë bërë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, shkak i këtyre akuzave banale dhe provokuese të Ramush Haradinajt ndaj Albin Kurtit, është fitorja e jashtëzakonshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listën ‘Guxo’, e cila më pas edhe i çorientoi komplet opozitën.

“Fitorja madhore e koalicionit VV-Lista "GUXO", ka çorientuar marramendas opozitën. Të gjitha reagimet në Kuvend, janë kot se koti, për të mos thënë idioteske. Mirë tha analisti Armend Muja: "Është mjerim për PDK-në, kur cakton analfabetin Abelard Tahirin, kryetar të grupit parlamentar të saj!" Për keqardhje akuza banale e skajshëm provokative e Ramush Haradinaj, për kryeministrin Kurti se, kinse, ai qenka vënë në shërbim të Serbisë, me pyetjen "a të ka rekrutuar ndonjë shërbim i Serbisë gjatë kohës sa ke qenë në burg?!" Një pyetje-akuzë, kaq e rëndë, duke mos sjellë asnjë fakt, pa asnjë bazë, është jashtë normales, logjikës. Megjithatë, shqiptarët janë mësuar me "xhevahirët" e komandantëve, andaj nuk befasohemi dot!”, ka deklaruar analisti.

Zeqiraj tregoi se në cilin rast edhe do të mund të dyshonim se akuzat e Haradinajt me shokë ndaj Kurtit, mund të jenë të vërteta.

Por, ai dha fakte të cilat i hodhën poshtë akuzat e kreut të AAK-së, duke ia kujtuar Haradinajt të bëmat e tij, gjatë kohës së qeverisjes.

“Nga akuzat e Haradinaj me shokë, edhe mund të hamendeshim për dyshime, nëse Albin Kurti do të kishte heshtur, për më keq, të kishte aprovuar:

dëbimin e shqiptarëve nga Veriu i Mitrovicës dhe mashtrimin për kthim të serishëm, që nuk ndodhi kurrë; nënshkrimin e marrëveshjes, e deri në ratifikimin e Demarkacionit; nënshkrimin konspirativ të "Zajednicës", zgjedhjen banditeske të Hashimit president, edhe pse ishte zbuluar veprimtaria konspirative e tij me Vuçiqin, konspiracion lobues për ndarjen e Kosovës, delegimin e kompetencave Hashimit, për të udhëhequr dialogun paligjshëm, nuk ka organizuar prishjen e koalicionit dhe rrëzimin e qeverisë, në kohë Pandemie, nuk ka koketuar me palën serbe, nuk e ka votuar Lista Serbe, përkundër që të tjerët kanë bashkëpunuar dhe realizuar krijimin e qeverive rakitike, nuk ka pasur as afera kontrabande me Serbinë; nuk ka as vila dhe as palate”, ka theksuar ai.

Analisti nga Gjermani kujtoi kohën se si Kurti me aktivistët e tij, ishte dajakosur e përgjakur, nga policia jonë, në kundërshti dhe në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës

Për këtë arsye, ai tha se akuzat ndaj Kurtit, për instruktim e bashkëpunim me Serbinë, e bërë nga Haradinaj me shokë, nuk ka asnjë bazë reale.

“Albin Kurti, jo vetëm që nuk është implikuar në konspiracione, në dëm të Kosovës, siç kanë bërë të tjerët, përkundrazi, ai me aktivistët e tij, është dajakosur e përgjakur, nga policia jonë, në kundërshti dhe në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës si dhe kundër çdo gjëje tjetër, që ishte në dëm të Kosovës. Rrjedhimisht, e gjithë akuza për kryeministrin Kurti, për instruktim e bashkëpunim me Serbinë, e bërë nga Haradinaj me shokë, nuk ka asnjë bazë reale. Të paktën, deri me tani, rezulton të jetë më i drejtpeshuari, më stoiku, në mbrojtje të Republikës të Kosovës. Ai ka denoncuar të gjitha batakçillëqet e partive-banda të djeshme dhe PAN-it të sotëm”, ka nënvizuar Zeqiraj.

Në vazhdim, ai tha se dëshmia më e madhe cila i rrëzon të gjithë akuzat qëllimkëqija të kundërshtarëve të tij, është veprimtaria e tij politike dhe atdhetare, në kohëzgjatjen përtej dy dekadave, populli i Kosovës e ka shpërblyer më 14 shkurt.

“Veç këtyre që u cekën më lartë, Albin Kurti nuk është penalizuar asnjëherë për vrasje shqiptarësh, për uzurpime të dhunshme të paligjshme, të pasurive të brezave shqiptare. As haraçin nuk e ka praktikuar, në asnjë rast e rrethanë.

Prandaj, për të gjitha veprimet e tij politike dhe atdhetare, në kohëzgjatjen përtej dy dekadave, populli i Kosovës e ka shpërblyer më 14 shkurt 2021. Dhe, kjo është dëshmia më domethënëse, e cila i rrëzon të gjitha akuzat denigruese e qëllimkëqija të individëve, veç e veç, dhe opozitën së bashku”, ka potencuar ai.

PDK, LDK dhe AAK nuk po e përballojnë faktin e të qenit në opozitë

Sipas Idriz Zeqirajt, sa më shumë që opozita po mundohen ta sulmojnë e shpifin ndaj pozitës, në rrugëtimin e saj qeverisës, , aq më shumë do të zgjasë agonia e tyre.

“Egërsia e reagimeve për gjithçka dhe për hiç gjë, madje, pa zgjedhur mjetet, të partive PAN-iste, se ato nuk po arrijnë të pajtohen me humbjen e 14 shkurtit. Duke qenë gjatë kohë në pozitë dhe kjo për fatin se patericë e kishin LDK-në e Mustafës, nuk po e përballojnë të qenit në opozitë. Dhe, kjo, si duket, po i vonon ata, për reformimin e partive të tyre, tashmë, të degraduara, deri në degjenerim. Ndërkohë, sa më shumë të merren me sulme e shpifje, për ta penguar pozitën, në rrugëtimin e saj për ndryshim e progres, aq më shumë do të zgjasë agonia e tyre”, ka vlerësuar ai.

Analisti e vlerësoi Haradinajn si patericë të koalicioneve, herë me PDK-në, herë me LDK-në, ku në bazë të këtyre koalicioneve ka gëzuar pushtet të gjatë dhe të pamerituar.

“Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, si parti patericë e kusuritje në koalicione, herë me PDK-në e herë LDK-në, ka gëzuar pushtet sa të gjatë, aq edhe të pamerituar, po e përjeton rëndë pozicionin aktual opozitar. Mërzinë ia shton fakti se Kurti tani është në pozitë. Ndërkohë që Ramushi e kishte akuzuar Kurtin si "mashtrues dhe oportunist", duke e denigruar si të paaftë dhe të papërgatitur për pushtetin!? Dhe, se fundi, edhe i rekrutuar, i mundshëm, i Serbisë!?”, është shprehur Zeqiraj.

Në fund, ai paralajmëroi ‘komandantët’ se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo do të korrin përsëri fitore madhështore se do të shkojë 4+4.

Ai përmendi edhe arsyet se nga çka po frikësohen të gjithë ish-pushtetarët nga kryeministri Albin Kurti.

“Veç kësaj, fitorja plebishitare e LVV-Lista "GUXO" e Vjosë Osmanit dhe e Donikë Gërvallës, nëse qeverisin mirë dhe me realizimin e reformave të nisura, mund ta vazhdojnë pozitarizmin 4+4. Dhe, kjo është tërbuese për komandantët, të cilët kanë qeverisur me krime e hajni, për çka edhe po akuzohen tani. Rrjedhjet nga partitë e PAN-it, janë një dëshmi tjetër, që ata kanë frikë nga reformat, nga demokratizimi partiak, nga humbja e pushtit, duke e zëvendësuar votimin e fshehtë, me atë aklamativ, fiktiv. Është kjo monstër votimi, që praktikonte Klani Mustafa, e cila e plandosi, e përtoku LDK-në, në shkallën më të ulët! Kjo është rrjedhojë e hyrjes së dhunshme e aksidentale në politikë. Përndryshe, jeta e komandantëve, qofshin ata të vërtetë apo fiktivë, do të kishte rrjedhë tjetër, të natyrshme, pse jo, edhe respektuese”, ka përfunduar Idriz Zeqiraj.

Krasniqi: Akuzat për lidhje me shërbimet sekrete serbe ndaj kryeministrit Kurti, të pamoralshme dhe të pabaza

Image
Islam Krasniqi

Edhe, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi i ka cilësuar si tejet të ulëta akuzat ndaj kryeministrit Kurti.

Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se shkak i këtyre akuzave është shkaku që Haradinaj nuk arriti ta ‘rrëmbejë’ postin e ëndërruar të presidentit.

“Akuzat e liderit të AAK-së ndaj kryeministrit Kurti janë të pabaza dhe jo të moralshme, deklarata të pamenduara të cilat lideri i AAK-së i lëshoi duke menduar se bërja opozitë është t’i ofendosh të tjerët. Lideri i AAK-së është i dëshpëruar akoma dhe mban inatin se nuk mundi të rrëmbejë postin e presidentit për të cilin kishte ëndërruar shumë, duke besuar në mungesë numrash”, është shprehur ai.

Analisti tha se këto deklarata të Haradinajt, nuk ishte dashur të dëgjohet nga një njeri me mendje të shëndosh, pasi që sovrani e zgjodhi Kurtin.

“Deklarata ishte e një nivelit shumë të ulët, deklarata që nuk ishte dashur të dëgjohet nga një njeri me mendje të shëndosh pasi që sovrani e deshi dhe e zgjodhi Kurtin duke i dhënë mundësinë që të qeverisë vetëm si pasojë e keqqeverisjeve të kaluara”, theksoi Krasniqi.

Në fund, analisti kujtoi se edhe Kurti ka akuzuar në të kaluarën opozitën me akuza të ngjashme, mirëpo ai ka pasur të drejtë në deklaratat e tij.

“Mos harrojmë të cekim se edhe z. Kurti i ka akuzuar të tjerët në forma të njëjta sa ishte në opozitë të gjithë, edhe pse ndoshta ndonjë herë ka pasur të drejtë, bazohemi në të kaluarën. Opozita po kërkon nga z.Kurti që për një muaj t’i rregullojë apo evitojë të gjitha problemet të cilat i shkaktuan për vite të tjera”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat