Çfarë fshihet pas stërvitjeve të serbëve me rusët? Ekspertët ndezin alarmin, ky është qëllimi i Serbisë ndaj Kosovës

Politika

Çfarë fshihet pas stërvitjeve të serbëve me rusët? Ekspertët ndezin alarmin, ky është qëllimi i Serbisë ndaj Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 maj 2021 Në ora: 17:45
Pamje nga stërvitjet Rusi-Serbi

Ka kohë që shteti i Serbisë po pajiset me armatim. Këtë armatim po merr në veçanti nga Rusia.

Kohë më parë është furnizuar me dronë të prodhimit kinez. Kësaj radhe shteti serb ka pranuar 30 tanke dhe 30 automjete të blinduara si donacion nga Rusia.

Këtë e kishte konfirmuar Ministrja e Mbrojtjes së Serbisë.

Ato janë donacion nga Federata Ruse për Serbinë në Kazermën e Nishit “Mija Stanimiroviq”.

Njohësit e sigurisë në vend kanë vlerësuar se furnizimi i Serbisë me armatim po bëhet përveç që Moska po dëshiron të jetë faktor në Ballkan e këtë ta bëjnë përmes Serbisë, furnizimi i shtetit serb po bëhet edhe për shkak të stërvitjes së ushtrisë së Kosovës në Shqipëri.

Shala: Kosova të vazhdojë rrugën e saj në investime ushtarake

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Moska ka një ndikim të caktuar hibrid, i cili padyshim që është qëllimi kryesor rus në Serbi.

“Megjithatë, padyshim “Moska e ka kuptuar që përmes formës së ndihmës vëllazërore, duke dhuruar, për shembull, mjete të blinduar, ajo ka një ndikim të caktuar hibrid, i cili padyshim që është qëllimi kryesor rus në Serbi”, ka thënë Shala.

Sipas tij, gjithë këtë armatim Serbia po dëshiron të rikthehet në pozitën e parë në rajon.

“Por nuk duhet harruar që tani Serbia ka edhe gjashtë dronët CH-92A të prodhimit kinez dhe kjo po dëshmon që Serbia dëshiron të rikthehet në pozitën e parë në rajon që në rast ndryshimi eventual të gjeopolitikës të jetë e gatshme që interesat e saja t’i argumentojë me arsenalin e saj ushtarak të disponueshëm të ushtrisë serbe”, është shprehur ai.

Në fund, Shala ka deklaruar se Kosova me investime ushtarake po orienton politikën e saj edhe në investime nga jashtë në Kroaci, Izrael dhe Turqi.

“Kosova duhet që të vazhdojë rrugën e saj në investime ushtarake duke orientuar politikën e saj edhe në investime nga jashtë (Kroaci, Izrael, Turqi) dhe në anën tjetër të hap industrinë e armatimit në partneritet me këto shtete, me të cilat fillon të marrë mjetet ushtarake dhe kështu të arrijë të përballojë koston e investimeve, mirëmbajtjes së tyre”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Furnizimi i Serbisë për shkak të stërvitjes ushtarake që po zhvillohen në Shqipëri, që po merr pjesë edhe Kosova

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërkaq, njohësi i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se shteti serb ka pikëpamjet e saj për çështjet e sigurisë në shtetin e tij, luftërat speciale që i zhvillon ajo brenda dhe jashtë shtetit.

“Në këto kohëra të pasluftës kur në fqinjët ende se kemi të zgjedhur mes veti çështjen e njohjeve reciproke-ndërsjella, tani shteti i Serbisë i ka pikëpamjet e saj për çështjet e sigurisë në shtetin e tij, luftërat speciale që i zhvillon ajo brenda dhe jashtë shtetit, e ka qëllimin që ta bind popullin e saj se Serbia është shtet i fortë dhe si i tillë po e armatoset me armatim modern nga Rusia, tani është armatosur me 30 tanke dhe 30 automjete të blinduara si donacion nga Rusia. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë”, ka thënë Tërnava për “Bota sot”.

Sipas tij, furnizimi i shteti serb nga Rusia po bëhet si reagim ndaj stërvitjes ushtarake që po zhvillohen në Shqipëri nga shtetet anëtare të NATO-s, e në këto stërvitje po merr pjesë edhe Kosova, si shtet më i ri që është, e sipas të gjitha gjasave edhe së shpejti do të bëhet anëtare e rregullt e këtij pakti.

“Prandaj, kjo situatë është një luftë speciale si reagim ndaj stërvitjes ushtarake që po zhvillohen në Shqipëri nga shtetet anëtare të NATO-s dhe pushtetarët serb i bëjnë krejt këto blerje apo edhe stërvitjet ushtarake që po vazhdojnë këto ditë në Serbi me Rusinë, në llogari të popullit nga buxheti i atij shteti, me paratë e qytetarëve si taksapagues që janë, por kjo ndodhë se pushtetarët duan ta bindin qytetarin serb me këto luftëra speciale, që megjithatë Serbia nuk është e vetme në këto situata politike prandaj edhe ajo i ka miqtë e vet si në këtë rast Rusinë. Tani stërvitjet ushtarake që po zhvillohen në Shqipëri tash e sa ditë nga anëtarët e këtij pakti të NATO-së, në të cilat stërvitje po merr pjesë edhe Kosova, si shtet i ri që është, e sipas të gjitha gjasave edhe së shpejti do të bëhet anëtare e rregullt e këtij pakti, sikur që dihet se në vitin 1999 pakti i NATO-s, na pati dalë në ndihmë dhe me ndihmën e tyre u ndërpre gjenocidi nga ana e Serbisë dhe me intervenimin e NATO-s u nënshkrua edhe kapitullimi i Serbisë, ku dhe në mënyrë të nënshkruar me marrëveshjen e Kumanovës Serbia edhe de jure e pranon se e ka humbur Kosovën. Prandaj, si reagim të tillë ndaj këtyre stërvitje në Shqipëri, Serbia së bashku me Rusinë po bëjnë stërvitje ushtarake në Serbi, që qëllim të saj e ka vetëm këtë shkak që e shpjegova, por në të kundërtën këto stërvitje Serbisë i kushtojnë tepër shumë dhe qytetari i saj si dhe shteti vetëm varfërohen, kurse në stërvitjet e NATO-s, ato shtete si të forta që janë dhe sa shtete numerikisht që marrin pjesë në këto stërvitje, as që vërehen harxhimet krahasuar me ato të Serbisë. Kjo luftë speciale që Serbia po e bën tani ndaj qytetarëve të saj nuk ishte diçka e re, më në fund Serbia edhe deri më tani ka pasur mjaft armatim, edhe në vitin 1999 pati mjaft armatim, por sa ia vlejti kur e sulmoi NATO-ja Serbinë për shkaqe gjenocidale ndaj Kosovës, ajo është dashur të kapitullojë dhe a mundi t’i rezistojë me gjithë atë armatim të Jugosllavisë që e pati”, është shprehur ai.

Sipas tij, stërvitjet e ushtrisë së Kosovës me shtetet mike, e që e furnizojnë ushtrinë me armatimin modern të kohës, po bëjnë që Serbia të ndërmarrë veprime të furnizimit me armatim ushtrinë e saj.

“Prandaj Kosova tani e ka ushtrinë e vet (FSK), dhe kjo ditë e përditë po zhvillohet dhe po stërvitet, dhe shpeshherë po merr pjesë në stërvitje ushtarake edhe jashtë Kosovës, me shtete mike anëtare të NATO-s, e sidomos edhe gjatë kësaj kohe është pjesëmarrëse në këto stërvitjet në Shqipëri me shtetet me të forta të botës dhe këto shtete shpeshherë po na e furnizojnë me armatim modern të kohës ushtrinë tonë, prandaj droja nga këto qëndrime të zhvillimit të shpejt të ushtrisë të Kosovës dhe miqësisë me shtetet më të forta të botës po e destabilizojnë dhe po e pengojnë Serbinë, prandaj ajo ndërmerr veprime të furnizimit me armatim ushtrinë e saj, dhe për këtë e alarmon jo vetëm popullin e vet por edhe më gjerë për t’i arrit qëllimet e luftës speciale. Deri sa Kosova i ka miqtë e saj më të fortit e botës, populli i saj nuk ka nevojë për shqetësim, se edhe nga paslufta e deri më tani i ka garantuar kufijtë e Kosovës me KFOR-in, në të kundërtën edhe me këto veprimet të luftërave speciale që po i ndërmerr Serbia, kjo po e dëshmon shqetësimin e saj, për shumë lufta që në të kaluarën jo të lartë që i ka bërë me shumë shtete tani të Ballkanit”, ka deklaruar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat