Pa SHBA-të, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të ndërtojnë shtetin ligjor, analisti ka disa fjalë edhe për Gjykatën Speciale

Politika

Pa SHBA-të, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të ndërtojnë shtetin ligjor, analisti ka disa fjalë edhe për Gjykatën Speciale

Nga: N. H Më: 29 maj 2021 Në ora: 15:32
Selia e Gjykatës Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisë puna për projektligjin për Vetting në sistemin e drejtësisë dhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Mirëpo skeptikë me organet e drejtësisë, shprehet të jetë analisti politik, shkruan “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike, Skender Kapiti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se koha e ka vërtetuar tashmë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe Shqiperia nuk mund të ndërtojnë shtetin ligjor dhe as ta dekriminalizojnë skenën politike.

Image
Skender Kapiti

“Koha vërtetoi se pa ndihmën e SHBA-ve, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ndërtojnë shtetin ligjor dhe as ta dekriminalizojnë politikën. Duhet të ndëshkohen ashpër politikisht dhe demokratikisht të gjithë ata që kanë bërë maksimumin e përpjekjeve për mosmiratimin e VETING-ut, e ata janë pikërisht Sali Berisha, Ilir Meta dhe përfituesit politik e juridik nga sistemi kriminalo-korruptiv i drejtësisë i montuar nga ata”, ka thënë Kapiti, për “Bota sot”.

Sipas Kapitit, vetëm Vettingu në drejtësi i drejtuar nga SHBA-të do ta bënte dekriminalizimin e politikës.

Madje, ai mendon se po të kishte drejtësi në Kosovë, nuk do të kishte pasur nevojë as për Gjykatë Speciale.

“Vetëm një drejtësi e vërtetë, ligjore e demokratike po të ishte ndërtuar, dhe po të kishin funksionuar në Shqipëri e Kosovë ligji e drejtësia, nuk do të kishte pasur nevojë as për Gjykatë Speciale në Kosovë dhe as për “non grata” për Sali Berishën, për Tom Doshin, për Vangjush Dakon dhe as për shumë të tjerë që priten të shpallen të tillë në Shqipëri, si dhe po të kishte pasur drejtësi dhe po tëfunksionuar ligji në Kosovë nuk do të kishte pasur nevojë as për listimin e shumë individëve nga Kosova në Listën e Zezë”, tha ai.

Krejt në fund, analisti Kapiti thekson se padrejtësia, krimi dhe korrupsioni kanë marrë peng drejtësinë, shtetin, shoqërinë dhe demokracinë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

“Prandaj, koha vërtetoi se pa ndihmën e SHBA-ve, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ndërtojnë shtetin ligjor dhe as ta dekriminalizojnë politikën, dhe rrjedhimisht nuk mund të zhvillohen ato civilizisht, demokratikisht dhe as ekonomikisht e me mirëqenie. Prandaj, shqiptarët janë me SHBA-të, me Vetting-un, me demokracinë, dhe jo me pushtetarët hajdutë e të korruptuar”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, për “Bota sot”.

Kujtojmë se drejtësia ka qenë premtimi kryesor që ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat