“Donika Gërvalla nuk mund të heshtte para këtij krimi të rëndë politik”, Zeqiraj hedh akuza kundër PAN-it

Politika

“Donika Gërvalla nuk mund të heshtte para këtij krimi të rëndë politik”, Zeqiraj hedh akuza kundër PAN-it

Nga: A.Zh Më: 29 maj 2021 Në ora: 21:08
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovë Donika Gërvalla, është kritikuar nga opozita për një cicërimë në rrjetin social “Twitter”, të publikuar nga ministria që ajo drejton, e ku reagohej ashpër kundër Rusisë, lidhur me arrestimin e gazetarit bjellorus.

Akuzat dhe kritikat ndaj kryediplomates, i ka analizuar analisti politik në Gjermani Idriz Zeqiraj. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Gërvalla nuk mund të heshtte para një krimi të rëndë politik ndaj gazetarit Roman Protasevich.

“Një fluturake e nisur nga Athina, në mesin e pasagjerëve ishte edhe gazetari bjellorus, Roman Protasevich. Kur po kalonte mbi qiellin e Bjellorusisë, një avion ushtarak, e detyroi fluturaken të ateronte në territorin e saj. Qëllimi ishte arrestimi i gazetarit desident Protasevich, së bashku me partneren e tij ruse. Gazetari 26 vjeçar, Roman Protasevich, ishte njëri nga organizatorët kryesor të protestave popullore në Bjellorusi, kundër vjedhjes industriale të votave, duke e mbajtur në pushtet presidentin kriminel Lukashenko, për afro tri dekada radhazi. Ashtu si e gjithë bota demokratike, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, reagoi, përmes Twitter, kundër kidnapimit piratesk, mafioz, të fluturakes, rast unik, në rrugëtimin ajror! Klasiku Marks thoshte se "asgjë njerëzore, nuk është e huaj për mua". Dhe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, njëherësh, edhe zëvendëskryministre, Donikë Gërvalla, nuk mund të heshtte, para një krimi të rëndë politik, qoftë edhe në Bjellorusi”, është shprehur Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj

Sipas tij, ndjesinë e reagimit të ashpër, shefes së diplomacisë ia shtoi edhe fakti që është bija e një gazetari politik, të cilit i kushtoi me jetë profesioni.

Por, analisti e vlerëson si të tepërt kërkesën e MPJD-së për NATO-n, SHBA-në dhe BE-në, për të ndërmarrë veprime, pas arrestimit të gazetarit bjellorus.

“Duke qenë bijë e gazetarit politik, botues i fletushkës së parë politike në mërgatë, që i kushtoi me jetë, Jusuf Gërvallës, shton ndjesinë e reagimit të ashpër. Dhe, këtë e bëri: "Putini po bëhet më agresiv, duke shfrytëzuar dobësimin e Perëndimit. Pa aprovimin e Putinit, nuk do kishte sulme të Bjellorusisë ndaj aeroplanit…”, thuhet, në mes tjerash, në Tweet të MPJ. Kjo është në rregull. Ndërsa kërkesa për NATO-n, SHBA-në, BE-në, për të ndërmarrë veprime, pas arrestimit të gazetarit bjellorus, Roman Protasevich, nga pushteti i vendit respektiv, është e tepërt, sepse shtetet e fuqishme të BE-së dhe SHBA, tashmë, kanë paralajmëruar sanksionet ekonomike dhe politike ndaj Bjellorusisë. "Kosova është gati", nënkupton se Kosova është solidare me tri forcat ushtarake dhe ekonomike të botës, për çfarëdo masash, që mund të ndërmarrin kundër Bjellorusisë, me elemente të bollshme të fashizmit”, është shprehur më tej Zeqiraj.

Ai thekson se edhe përmendja e raporteve Rusi-Serbi dhe armatimin, ishte i panevojshëm. Analisti ka përmendur edhe një rast të sikletshëm, kur kishte reaguar kancelari gjerman Helmut Kohl.

“Përmendja e raporteve Rusi - Serbi dhe armatimin, të dhënë në shifra, e para së dytës, ishte i panevojshëm. Sepse, mjaftonte ajo, se "pa aprovimin e Putinit, nuk do të kishte sulme të Bjellorusisë ndaj aeroplanit". Ndërsa epërsia ushtarake e Rusisë, në raport me Perëndimin, pa SHBA-në, është faktike. Mbijetesa e lirë e Evropës, pa SHBA-në, do të ishte në luhajë. Kur disa pushtetarë gjermanë, filluan të mburrën se ne, gjermanët, bashkuam Gjermaninë, kancelari Helmut Kohl, fitues i 4 (katër) mandateve qeverisëse, reagoi ashpër dhe i quajti mosmirënjohës ndaj Amerikës, disa nga zyrtarët e tij mburracakë. "Po të mos ishte mbështetja vendimtare e Amerikës, kurrë nuk do të bashkohej Gjermania", - ka shkruar Kohl në kujtimet e tij. Në kujtimet e tij, për bisedimet e sikletshme, të vështira me Rusinë, lidhur me bashkimin e Gjermanisë, kancelari historik, Helmut Kohl, rrëfen se asnjë veprim, asnjë takim e bisedë, nuk e bënte, pa e konsultuar presidentin amerikan. I lodhur, i dremitur, duke kaluar edhe net pa gjumë, në takimet dhe bisedat e shumta me shtetarët rusë, i telefononte presidentit amerikan. Me një rast, nga përgjigja, zëri, mëson se ai ishte në gjumin e natës, meqë ndryshimi në kohë, Evropë-Amerikë, është 6 orë diferencë. "I kërkova falje presidentit Bush (senior), që nuk kam llogaritur orën dhe doja ta ndërprisja bisedën, duke pritur ditën e nesërme",- shkruan Kohl. Por, Bushi plak, u këndell, vazhdoi bisedën, duke thënë, mes tjerash: "Kur është fjala për Gjermaninë, Presidenti i Amerikës, nuk ka as orar dhe as gjumë. As ju, Helmut, mos u merakosni për kohën, për orën!"”, ka thënë më tej Idriz Zeqiraj.

I ngjashëm, sipas tij, është rasti i Kosovës. Ai ka akuzuar LPK-në, të “konvertuar” në PAN-in e sotëm se mohon të vërtetën absolute se NATO është çliruesi faktik dhe vendimtar i Kosovës dhe jo pohimi, me gjysmë zëri, se "edhe ndërkombëtarët na ndihmuan!?!".

Zeqiraj ka përmendur edhe rritjen e numrit të veteranëve, duke akuzuar "komandantët", nga partitë-banda të PAN-it.

“Krejt ngjashëm është rasti i Kosovës, çlirimi, liria e saj. LPK-ja e djeshme, e instruktuar dhe e frymëzuar, nga Sigurimi enverist, me urrejtje për Amerikën dhe Perëndimin demokratik, tashmë, e konvertuar në PAN-in e sotëm, mohojnë të vërtetën absolute, se NATO-pakti është çliruesi faktik, vendimtar i Kosovës dhe jo pohimi, me gjysmë zëri, se "edhe ndërkombëtarët na ndihmuan!?!" Edhe logjika e poshtër, e shkërdhyer, e Komisionit për regjistrimin dhe verifikimin e Veteranëve, i përbërë vetëm nga "komandantët", nga partitë-banda të PAN-it, flet në favor të asaj, që u shënua më lartë: Ta rrisim, artificialisht, numrin e veteranëve të luftës, duke relativizuar çlirimi e Kosovës nga NATO! Dhe, nga 12.700 luftëtarë, i shumëzuan në 46.300 veteranë! Prej tyre 33.600 veteranë të rremë”, ka thënë njoësi i çështjeve politike.

Ai ka cituar edhe gjeneralin e UÇK-së për Shqipëri Spiro Butka se nga 186 luftëtarë të vërtetë, numri i veteranëve u rritë në 3.000.

“Siç pohon, me dokumente e fakte të sakta, Gjeneral Spiro Butka, kryetar i OVL të UÇK-së, për Shqipërinë, se nga 186 luftëtarë të vërtetë, numri i veteranëve u rritë në 3.000, fiktivisht të rrejshëm, për t`i treguar botës se UÇK-ja e çliroi Kosovën!!! Gjeneral Butka flet me emra, për krerët e djeshëm dhe të sotëm të kësaj organizate, tashmë, të degraduar, nga abuzues të pacipshëm”, ka shtuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat