BE refuzon sërish Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këto janë arsyet

Politika

BE refuzon sërish Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këto janë arsyet

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 26 qershor 2021 Në ora: 22:17
Bashkimi Evropian

U shpresua shumë që Bashkimi Evropian do t`i hap negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Të martën, ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian nuk u pajtuan për caktimin e një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë e bëri të ditur, ministrja e Punëve të Jashtme të Portugalisë dhe njëherësh zv/presidentja e BE-së për Transparencën Ana Paula Zacarias, në një konferencë për media.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve nuk u bë e mundur të bihej dakord që të ketë një datë për Maqedoninë dhe Shqipërinë për çeljen e negociatave. Shpresoj që të ndodhë në presidencën tjetër, atë sllovene”, ka deklaruar Zacarias.

Ndërkaq, u raportua se një ndër shkaqet për mos hapjen e negociatave është vetoja e Bullgarisë.

Por, ekspertët e kanë drejtuar gishtin nga Bashkimi Evropian, ku sipas tyre kjo çështje ka të bëjë me çështjen e shqiptarëve. Ata përmendin që të njëjtën situatë BE-ja është duke e përdorur edhe me Kosovën.

Image
Artur Roshi

Roshi: Bullgaria nuk ka shfaqur deri më sot probleme

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat në Shqipëri, Artur Roshi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Shqipëria nuk mendohet se ka plotësuar kushtet për të hapur zyrtarisht këto negociata.

“Pengimi i hapjes së negociatave nga Bullgaria është preteksti, ndërsa e vërteta është se Shqipëria nuk mendohet se ka plotësuar kushtet për të hapur zyrtarisht këto negociata. Një arsye duhet të jetë pritja e raportit mbi zgjedhjet e fundit parlamentare nga OSCE-ODIHR”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Roshi ka shtuar se Bullgaria nuk ka shfaqur deri më sot probleme me integrimin e Maqedonisë së Veriut

“Evropa në terma diplomatikë na jep ne shqiptarëve një pretekst gati të besueshëm nëpërmjet “Pengesës Bullgare”. Nëse kjo do ishte e vërtetë do ishim në dijeni edhe më herët. Bullgaria nuk ka shfaqur deri më sot probleme me integrimin e Maqedonisë së Veriut. Ato janë menduar të kapërcyeshme. Kush mund të besojë se dëshirën e Gjermanisë për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund ta ndalojë Bullgaria”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka numëruar arsyet e mundshme se pse BU nuk ka hapur negociatat për Shqipërinë.

“Në sytë e Evropës, thjesht ne nuk meritojmë hapje negociatash për mungesën e theksuar të lirisë së tregut të lirë dhe demokracisë në tërësi”, ka theksuar Roshi për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Shahu: Shqipëria e Maqedonia nuk e turbullojnë dot BE-në

Ndërkaq, analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu, ka deklaruar për “Bota sot” se BE përmes mekanizmit bullgar refuzoi Edi Ramën dhe Maqedoninë e Veriut.

“BE përmes mekanizmit bullgar refuzoi Shqipërinë e Maqedoninë. Në fakt ka refuzuar Edi Ramën i cili nuk e do as e synon futjen në BE sepse nuk do të ndërhyjë askush në çifligun e tij Shqipëri. Por këtë mendësi e synim të Edi Rames zyrtarët e BE nuk e kuptojnë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Shqipëria e Maqedonia nuk e turbullojnë dot BE-në, por po të ndodhte prani i tyre do të rritej ndikimi i saj në këto vende.

“Pastaj Shqipëria e Maqedonia nuk e turbullojnë dot BE-në dhe nuk përfillen nga BE-ja. Po ta pranonte BE-ja Maqedoninë e Shqipërinë, do rritej ndikimi i BE-së në këto vende, do garantohej zbatimi i ligjit dhe do të shpëtonte Shqipëria nga Sulltani Edi Rama që ka marrë gjithë pushtetet në Shqipëri, sa që edhe Gjykata Kushtetuese shkel Kushtetutën dhe i kërkon ndihmë Komisionit të Venecias”, ka vlerësuar Shahu për “Bota sot”.

Image
Ilir Vata

Vata: BE e mban Ballkanin si një gogol për të trembur europianë

Në anën tjetër, analisti Ilir Vata, një bashkëbisedim ka deklaruar se BE ka kohë që ka ndryshuar qëndrim për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë.

“Integrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut është marrë parasysh në grup për të dyja vendet dhe si të tillë, Bullgaria me veton e saj pezulloi integrimin edhe të Shqipërisë. Kjo është ajo që mësuan të gjithë, por në fakt, BE ka kohë që ka ndryshuar qëndrim për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë”, ka cilësuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, janë dy arsye se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“E para, lidhet me frikën e BE-së për qasjen e Ballkanit më një sërë problemesh të mbartura që ta bëjë pjesë e saj. E dyta, BE e mban Ballkanin si një gogol për t`i trembur evropianët, si një mostër së të keqes ku konflikti duke se do të shpërthej nga momenti në moment dhe e treta, Shqipëria është vija e ndarjes ku përplasen lindja dhe perëndimi, myslimanizmi dhe krishterimi, dy kultura të ndryshme që në shekuj rivalizojnë njëra tjetrën. Në fakt, herët në mesjetë kalorësi i krishterimit Skënderbeu ishte një evropian i arrirë që luftoj për vlerat evropiane dhe historia, kultura dhe tradita, flas për qytetërimi evropiane që flenë në shekuj në Shqipëri, por Evropa sot nuk e ka kollaj ta pranojë, heziton të zgjerohet, të bëhet e plotë në të gjithë kufijtë e saj territorial dhe të kulturës së saj”, ka shpjeguar Vata për “Bota sot”.

Më tej, ai shprehet se ndalesa ka si shkak Bullgarinë me veton e saj, por ai përmend një arsye tjetër që mund të jetë shkak i mos çeljes së negociatave.

“Kur themi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shihen në bllok bashkë kemi parasysh se bëhet fjalë për dy vende ku shqiptarët janë prezent, pra, ndalesa në fakt ka si shkak Bullgarinë me veton e saj, por ndalesë është për vetë botën shqiptare. Në vjeshtë mund të dalë edhe një tjetër vend që për çështje të politikës së jashtme të përdor veton pezulluese dhe të ndalojë Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë, por e vërteta e madhe është se BE ende nuk është gati për ta pritur Ballkanin në union”, ka potencuar Vata për “Bota sot”.

Gjithashtu, Vata ka theksuar se një situatë e ngjashme po përdoret edhe për Kosovën.

“Në të njëjtën situatë edhet edhe Kosova, për sa i përket integrimit, siç është liberalizimi i vizave apo presioni i BE-së ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës, madje edhe ndaj vendeve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën. Dhe në një mini ekspoze. lexohet qartë se tradhtia ndaj botës shqiptare nga Evropa vazhdon njësoj si në vitin 1913, ku e ndanë atë në pesë botë shqiptare, dhe Shqipëria sot është i vetmi shtet në botë që kufizohet nga trojet e saj”, ka cekur Vata për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka treguar se në çfarë faze ka hyrë BE-ja pas largimit të Britanisë së Madhe.

“Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën e degradimit pas largimit të Britanisë së Madhe, dhe nëse do të vazhdojë të jetë skeptike ndaj zgjerimit, ajo do të bëhet edhe më e vogël, madje rrezikon që formati BE të vihet në pikëpyetje. Sa më avaz lëviz BE, aq më shpejtë lëviz konflikti në Ballkan, sepse ndikimet e huaja Ruse, pse jo dhe Kinez do të ushqejnë të keqen, ligësinë konfliktin për destabilitetit të Ballkanit”, ka deklaruar ai.

Vata potencon se edhe SHBA i ka bërë thirrje BE-së të përshpejtojë integrimin për Shqipërinë.

“Edhe aleati strategjik SHBA në një deklaratë para disa ditësh i bëri thirrje BE-së të përshpejtojë integrimin për Shqipërinë, sepse ata shohin qartë, jo vetëm skepticizmin e BE-së, por dhe rrezikun e një konflikti të mundshëm. Dikush po mundohet të vizatojë kufi të rinj në Ballkan, por e vërteta flet hapur dhe qartë sa më shumë të kërkohen vizatime kufijsh, janë shqiptarë ata që fitojnë, sepse 2/3 e territorit të saj i kanë jashtë shtratit të Kombit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Vatës, ka shumë arsye se pse BE nuk është gati t`i çeli negociata me Shqipërinë.

“Pra, integrimi evropian i Ballkanit duhet parë si një i tërë e që nis nga zgjidhja e konflikti Kosovë-Serbi, pasi kjo e fundi ka filluar të fitojë terren, duke i bërë bisht dialogut dhe përpjekur të mbaj rajonin në një zonë të pasigurt. Edhe Shengeni ballkanik është një mini Evropë e vogël, ku Serbia kërkon përjashtimin e Kosovës dhe po ta shohësh çështja shqiptarë është problemi i tyre sepse jo vetëm se shqiptarët janë popullsinë më të madhe pas Serbisë në rajon dhe pa zgjidhur çështjen e tyre nuk ka paq vetë rajoni. Pra, në ndalimin që iu bë Shqipërisë në hapjen e negociatave apo mbledhjes së parë ndërqeveritare, ka një mal me arsye që BE nuk është gati të çeli negociata me Shqipërinë. Sigurisht që çelja e negociatave nuk është pranim në BE, sepse do të duhet kohë për të kap standarde, por është një shprese besimi e njerëzve që së fundi kanë filluar ta humbin besimin tek BE”, ka përfunduar Ilir Vata për gazetën “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat