Mirëpritet ardhja e këtij diplomati në krye të dialogut Kosovë-Serbi – ja si do i shkatërronte idetë e errëta të Vuçiqit e Dodikut!

Politika

Mirëpritet ardhja e këtij diplomati në krye të dialogut Kosovë-Serbi – ja si do i shkatërronte idetë e errëta të Vuçiqit e Dodikut!

Nga: A.M. Më: 23 prill 2024 Në ora: 14:15
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak së shpejti do ta lë postin e emisarit special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjetësit të dialogut Kosovë -Serbi.

E gjasat më të mëdha për ta zëvendësuar atë, i ka ish-presidenti slloven, Borut Pahor.

Në një paraqitje publike, Pahor ka thënë se ka një plan për rikthimin e besimit dhe për vazhdimin e dialogut.

I pyetur se çfarë do të ndryshonte në dialog dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor tha se këtë tani nuk mund ta thotë, por shtoi se është i interesuar për postin e emisarit special të BE-së.

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai tha se emërimi i Pahor do ishte një shpresë e madhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe përfundimisht do merrte kahje pozitive.

Analisti ishte kritik me qasjen e deritanishme, duker përmendur edhe idetë e errëta për themelimin e “Serbisë së Madhe”.

“Nëse ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor merr postin e ndërmjetësuesit, vetëm me këtë mënyrë veprimi, mund të ketë shpresë që edhe dialogu maratonik Kosovë-Serbi, përfundimisht të marr kahje pozitive, gjë që do ta bënte edhe garantimin e një të ardhme më të sigurt për të dy vendet dhe mbarë Ballkanin Perëndimorë.

Përndryshe, siç dihet tanimë botërisht, rajoni është i rrezikuar drejtpërsëdrejti nga idetë e errëta të kriminelëve Vuçiq, Dodik & Co, për "Serbinë e madhe" apo të ashtuquajturën "botë serbe" në dëm të shteteve fqinje dhe popujve përreth, me synimin për të okupuar me dhunë tokat e tyre, gjakderdhje të pashembullta dhe gjenocide masive si në Kosovë ndaj shqiptarëve të pambrojtur apo edhe në Srebrenicë dhe Bosnje e Hercegovinë, Rezoluta për të cilën, së fundi pritet të Miratohet në Këshillin e Sigurimit, me bashkësponsorizim të Francës, gjë që është shumë pozitive, jo vetëm si momentum i kujtesës kolektive, por edhe si pararojë për të ardhmen e gjithë rajonit”, deklaroi ai.

Image
Gani Qarri.

Krahas kësaj, Qarri përmendi edhe faktin se si Pahor edhe në të kaluarën e kishte propozuar një ide optimiste për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Në fakt z. Borut Pahor siç e ceku edhe në konferencën e organizuar nga Instituti “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në kryeqytetin slloven (Lubjanë), ai qysh më 2004 kishte propozuar edhe një ide mjaft optimiste, si ajo për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030 në BE.

Por për shkak të sfidave të mëdha gjeopolitike, asokohe të paparashikuara se do të ndodhnin në këtë formë dhe këto përmasa, si lufta aktuale në Ukrainë, konflikti palestinezo-izraelit në Lindjen e Mesme dhe sjelljet luftënxitëse të satelitit të Rusisë në Ballkan si Serbia hegjemoniste, e gjithë kjo, pothuajse është bërë e pamundur”.

Ndër të tjera, analisti tha se janë të mirëpritura idetë dhe propozimet balancuese dhe jo të njëanshme, pasi ndërmjetësimi i duhur është mënyra më e duhur për arritjen e një marrëveshjeje finale.

“Prandaj është e rrugës që me ide kreative dhe propozime të reja balancuese të kontribuohet që të ruhet paqja në rajon nga kërcënimet e hapura të Serbisë, duke ia bërë asaj të qartë kufijtë e tolerancës nga NATO, SHBA dhe NATO, përndryshe në vend të ecjes përpara, në rrugën drejt integrimit në BE, do të shpërthejnë luftëra të reja për territore.

Kështu që, për të rifilluar, apo vazhduar dialogun, pikësëpari kërkohet ndërmjetësim në mënyrë të drejtë dhe të paanëshme, për arritjen e marrëveshjes obliguese përfundimtare me njohjen reciproke si dy shtete të pavarura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që do të garantonte paqen afatgjatë në rajon dhe hapte rrugën edhe për integrimin më të shpejtë të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, siç fliste, qysh më 2004 me optimizëm edhe vet z. Borut Pahor”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat