Teki Dërvishi, pishtar i lirisë, unik dhe i papërsëritshëm

Politika

Teki Dërvishi, pishtar i lirisë, unik dhe i papërsëritshëm

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 qershor 2021 Në ora: 08:43
Teki Dërvishi

Teki Dervishi, ky sfidues i madh i regjimit serb, e shkrimtar i artë. Figura e poetit dhe publicistit të spikatur, Teki Dervishi, vazhdon të jetë ende e paarritshme.

Veprat që la pas dhe vendosmëria e tij e treguar për vite të tera, janë një tregues se me të vërtetë ai ishte një intelektual i rrallë, por mbi të gjitha një shkrimtar i veçantë.

Tashmë janë bërë dhjetë vite që kur Kosovës i mungon intelektuali e gazetari i guximit, Teki Dervishi, shkolla më e madhe dhe më e mirë për brezat që do të vijnë.

Ish-drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, vazhdon të jetë burri më i mençur e i shquar i letrave dhe gazetarisë shqiptare. Ish-bashkëpunëtorët që për vite të tëra i qëndruan afër, në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së tij, kanë thënë se Teki Dervishi do të kujtohet gjithmonë si mbrojtësi më i shkëlqyer i ideve kombëtare shqiptare.

Don Lush Gjergji: Teki Dervishi, miku dhe vëllai im i paharruar

Don Lush Gjergji, përfaqësuesi Ipeshkisë së Kosovës, një nga personat që njohu për së afërmi shkrimtarin e madh Teki Dervishi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se sa më shumë që koha kalon, aq më shumë hetohet mungesa e tij fizike.

Image
Don Lush Gjergji

“Ditët po rrjedhin, koha po kalon, bota ndër ne dhe në ne dhe rreth nesh gjithnjë po ndryshon. Mirëpo, ka dikush apo diçka, që nuk ndërron kurrë, që koha nuk e zbeh apo dobëson. Përkundrazi, miqësia dhe vëllazëria “matet” me kohë, është më e fuqishme se rrjedhat kohore, është e amshuar. Kështu ishin dhe janë lidhjet, kujtimet, përjetimet, vlerësimet e mia për Teki Dërvishin. Dhe sa më shumë që koha kalon, fluturon, aq më shumë hetohet mungesa e tij fizike ndër ne, mendja e ndritur, zemra e hapur, frymëzimi në jetë, veprimtari, krijimtari, si njeri në kohë, por edhe mbi apo jashtë kohës dhe hapësirës, me vlera dhe virtyte për të mirë e popullit shqiptar”, është shprehur Don Lush Gjergji për “Bota sot”.

Don Lush Gjergji deklaron se mungesa e Teki Dervishit për Kosovën është e madhe, e dukshme, për disa segmente madje edhe e pazëvendësueshme.

“Mbi të gjitha më mungon si afërsi, shikim, bashkëpunim, njohës i të kaluarës, mishërues i së tashmes dhe profeitizues - paraprijës i së ardhmes. Më mungon fjala, mendimi, frymëzimi, atdhedashuria e tij e spikatur, flijimi burimo dhe shembullor, që popullin tonë, që ta nxjerrim nga mosdija, mungesa e vetëdijes, aftësia e orientimit dhe përcaktimit, shijimi i lirisë dhe demokracisë, që mund të jetohet dhe shijohet vetëm në prizmin e së Vërtetës dhe të dashurisë”, tha më tej ai.

Përfaqësuesi Ipeshkisë së Kosovës ka theksuar se shkrimtari i njohur Teki Dervishi ishte një dëshmitar i vlerave dhe virtyteve tona të lashta dhe aktuale.

“Më mungon ky dëshmitar i vlerave dhe virtyteve tona të lashta dhe aktuale. Presim, shpresojmë, jetojmë me ankthe të vjetra dhe të reja, pa Tefikun tonë, pa shumë pishtarë të lirisë së mirëfilltë dhe të demokracisë burimore, gjithnjë me shpresë dhe me bindje që në gjirin e popullit do të ndodhë “mrekullia”, ku edhe guri do të lulëzojë... Për Tekiun, nderime, falënderime, uratë dhe dashuri”, ka thënë për “Bota sot”, Don Lush Gjergji, përfaqësuesi Ipeshkisë së Kosovës.

Enver Bytyçi: Ish-drejtori e kryeredaktori i gazetës “Bota sot” mbetet ende i papërsëritshëm

Nga ana tjetër, profesori dhe publicisti i njohur, Enver Bytyçi, për shkrimtarin Teki Dervishi, shprehet se ai edhe me tej gjendet midis nesh me veprat e tij të paharruara.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi ka treguar se Teki Dervishin e kishte njohur fillimisht nga krijimtaria dhe publicistika e tij, e më pas nga bashkëpunimi i tyre në gazetën “Bota sot”.

“Sot bëhen dhjetë vite që kur shkrimtari, dramaturgu dhe gazetari i guximit dhe poliedrisë, Teki Dervishi, ndërroi jetë. Ndërroi jetë?!! Në fakt ai gjendet këtu, midis nesh, sepse lindi, u rrit e punoi për të lënë vepra të paharrueshme. Njerëz si Teki Dervishi me shkuarjen në amshim thjesht e pushojnë aktivitetin njerëzor e kthehen te hyjnorja. Por, nuk vdesin, sepse hyjnorja nuk vdes kurrë. Unë e kam njohur burrin e mençur e të shquar të letrave dhe gazetarisë shqiptare, të ndjerin Teki Dervishi, fillimisht nga krijimtaria dhe publicistika e tij e më pas nga bashkëpunimi ynë në gazetën “Bota sot”. Rrallë ose askund ndodh që një njeri të prodhojë aq shumë mendim politik, sociologjik dhe madje psiko-analitik çdo ditë në editorialet e një gazete siç prodhoi Teki Dervishi për shumë e shumë vite në gazetën “Bota sot”. Lexuesve të kohës u kujtohen këto editoriale të tij në faqen e dytë të kësaj gazete, sepse ishin me mijëra nga ata që e blinin gazetën “Bota sot” vetëm pse aty gjenin gjeninë krijuese e publicistike të Teki Dervishit”, ka thënë profesori Bytyçi.

Me tej, ish-bashkëpunëtori i Dervishit, ka thënë se ky i fundit si trashëgimi la qindra e mijëra komente e kolumne në editorial dhe në rubrika të tjera të gazetës kombëtare “Bota sot”, me të cilat arkiva shqiptare e mendimit politik, filozofik e kombëtar është pasuruar pa masë.

“Nuk na ndodh në ditët e sotme të shfaqet një praktikë e tillë kaq intensive. Nuk ndodh sepse të shkruash çdo ditë pa përsëritur vetveten është punë gati - gati e paarritshme. Prandaj dhe ish-drejtori e kryeredaktori i gazetës “Bota sot” mbetet ende i papërsëritshëm. Ishte dhe mbetet i tillë për aftësitë profesionale e krijuese në romanet “Pirgu i Lartë” (1972), Padrona (1973), “Skedarët” (1974), “Herezia e Dervish Mallutës” (1981), aporoanin “Palimpsest për Dush Kusarin” 1999. Ai është i papërsëritshëm për nëntë dramat e tij, mes të cilave “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”. Teki Dervishi është gjithashtu ikonë e poezisë ku shquhet “Nimfa” e botuar dy herë, si dhe kritikës së dramës”, tha ai.

Profesor Bytyçi ka nënvizuar se Teki Dervishi ishte dhe do të jetë për shumë kohë i papërsëritshëm në fushën e publicistikës, të ideve dhe të qëndrimeve të tij të pakompromis në shërbim të atdheut dhe kombit shqiptar.

“Talenti letrar e bëri atë të shquhet ndër publicistët shqiptarë jo thjesht për temat e përzgjedhura, as për strukturën gjuhësore të fjalës. Ajo që nuk arrihet nga të tjerët ka të bëjë me thellësinë e mendimit filozofik, me lidhjen e pa zakontë të fjalës publicistike me zhanrin krijues të ëndërrimtarit. Teki Dervishi do të kujtohet gjithmonë si mbrojtës i shkëlqyer i ideve kombëtare shqiptare, për shkak të të cilave ai vuajti burgjeve të ish-Jugosllavisë, përfshirë dhe Goli Otokun famëkeq. Ai shquhej si polemist i paarritshëm dhe argumentues deri në perfeksion”, tha profesor Bytyçi.

Kurse, ai ka bërë me dije se shkrimet dhe e gjithë krijimtaria e Teki Dervishit, janë dhe do të jenë frymëzim për brezat e rinj, që ata të frymojnë me pulsin e kombit.

“Ne ish-bashkëpunëtorët e tij jemi e do të jemi krenar se qemë dëshmitarë të “Jahovait” të kombit tonë, Teki Dervishi. Sot në dhjetë vjetorin e ndarjes së Teki Dervishit nga jeta jonë e përkohshme mbetet që ta përkujtojmë me nderim dhe respekt dhe të bëjmë sa të mundemi që t’i ngjajmë kësaj ikone të jashtëzakonshme të kombit shqiptar! E lavdishme ishte dhe është jeta e vepra e gazetarit, shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut Teki Dervishi, i paharrueshëm do të jetë gjithashtu kujtimi i tij”, u shpreh profesor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Dhjetë vjet pa Teki Dervishin - gjeneralin e penës dhe të atdhetarisë

Kurse, publicisti tjetër, e bashkëpunëtori shumë i afërt, Skënder Zogaj, është i mendimit se intelektuali Teki Dervishi, jetoi e veproi si i ka hije një shqiptari të fundshekullit njëzet, kohë kjo kur dinjiteti i shqiptareve ishte i nëpërkëmbur shumë.

Image
Skënder Zogaj

“Miliarda njerëz të kësaj bote jetojnë dhe kalojnë në amshim dhe të gjithë e kanë veçantinë e tyre, pra janë unik dhe të papërsëritshëm, mirëpo, në këtë super vlerë njerëzore shenja që nuk vdesin kurrë janë pak, madje shumë pak, sepse për të qenë të përjetësisë duhet lënë prapa vepra dhe kujtime të veçanta që mbesin të vlershme edhe për brezat e mëvonshëm. I këtillë pa fije dyshimi është edhe Teki Dervishi, shkrimtari, dramaturgu, publicisti dhe intelektuali atdhetar, që jetoi e veproi si i ka hije një shqiptari të fundshekullit njëzet, kur dinjiteti i shqiptareve ishte i nëpërkëmbur dhe kishte aq shumë nevojë për mendjet e urta e të ndritura, që do t’ia ruanin nderin dhe ngrisnin dinjitetin”, u shpreh fillimisht publicisti Zogaj.

Zogaj rrëfen se Teki Dervishin kishte pasur fatin ta njihte fillimisht si mësues, e me vonë edhe si gazetar.

Ai tregon ekskluzivisht për “Bota sot”, se Teki Dervishi edhe pas daljes nga burgu, pushteti atëbotë e kishte shpallur si armik dhe se e kishte mbajtur shumë gjatë si të lëçitur.

“Teki Dervishin kam pasur fatin ta njoh dhe të punojmë bashkë si mësues e me vonë si gazetar, pas kthimit të tij nga burgu famë keq i Goli Otokut, ku ishte dërguar kur ishte vetëm 17 vjeç̧. Pas daljes nga burgu, pushteti e shpall armik dhe e mbanë të lëçitur. Mirëpo, një burrë tjetër i madh i arsimit dhe atdhetarisë, Avdyl Kelmendi nga Balinca e Klinës, që ishte drejtor shkolle, ka kurajën që Tekiun t’ia ofroj ditarin e arsimtarit, në shk. fill. “Mustafa Bakija” në Carrallukë të Malishevës dhe kjo shënon kthesën e madhe jetësore të Tekiut, i cili i pajisur edukatë të mirëfilltë kombëtare dhe me njohuri të gjera kulturore e arsimore, bëhet një pishtar i fuqishëm i dritës, i ngjashëm me Migjenin dhe i rreket punës për ta luftuar mjerimit e kohë”, ka rrëfyer Zogaj për “Bota sot”.

Tutje, Zogaj vazhdon rrëfimin e tij duke thënë se ndonëse tashmë kanë kaluar 50 vjet, Tekiu mbetet i paharrueshëm për qindra nxënësit e Carrallukës.

“Edhe më virtuoz Tekiu tregohet pas vitit 1972, kur emri i tij bëhet i mirënjohur si krijues letrar e publicist. Tekiu rrezaton intelektualizëm dituror dhe kjo nuk është e dëshiruar nga pushteti i kohës, që idetë e Teki Dervishit i quan të rrezikshme për pushtetin dhe, për ta larguar nga rrethi i miqve dhe shokëve të vendlindjes, dhe për ta mbajtur nën mbikëqyrje me të fort, ia lejon punësimin në Shkup të Maqedonisë, në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” që ishte e kontrolluar rreptë nga pushteti maqedonas. Tekiu i vetëdijshëm për rrethanat e reja në të cilat ndodhet, është i “kujdesshëm” me gazetari, por, i përqendrohet me shumë sukses letërsisë dhe, sukseset janë të larta. Pas vitit 1974, për fat ndodh forcimi i autonomisë së Kosovës dhe shumë njerëzve të ndjekur nga Kosova, u mundësohet kthimi! Kthehet edhe Tekiu nga Shkupi në Prishtinë në vitin 1984, dhe kjo është koha e art krijuese e tij. Një penë që shkëlqen në krijimtari letrare dhe që djeg si rrufe në publicistikë, duke demaskuar “...nekrofilinë gjenetike sllavo-staliniste (urrejtjen politike) të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit...” që pushteti sllavo komunist jugosllav bën kundër shqiptarëve”, vazhdon Zogaj.

Zogaj nuk ndalet se rrëfyeri për mikun e tij të jetës. Ai mes tjerash shprehet se lexuesve padyshim që ende u kujtohen shkrimet e Teki Dervishit, derisa ky i fundit ndodhej në krye të gazetës “Bota sot” për disa vjet, kohë kjo kur gazeta shënoi kulmin e sukseseve si gazetë e vërtetë kombëtare.

“Tekiu është një kështjellë e fort, një princ me shpatën e mprehtë që demaskon fuqishëm pushtetin e huaj dhe injorancën kombëtare, duke qenë një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm i filozofisë së re të kohës, demokracisë perëndimore, asaj amerikane, që ky e konsideron të vetmen udhë të shpëtimit. Gjithashtu, Tekiu mbahet mend edhe si drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në të dy këto institucione, pena moderne e Tekiut krijon art dhe përhap ndërgjegjësim, duke luftuar kundër imjorancës dhe urrejtjen, duke demaskuar pseudointelektualët dhe atdhetaret e shpifur që për interesa personale bëheshin lecka të pushtetit”, tha ai.

Kurse, për ikjen nga kjo botë të Teki Dervishit, Zogaj e konsideron si një humbje të madhe, ikje kjo që sipas tij la zbrazëti të madhe për Kosovën.

“Trim dhe këmbëngulës Tekiu qëndroi deri në frymën e tij të fundit, prandaj, ikja e tij la zbrazëti të madhe, sepse shkoi kur më së shumti i duhej Kosovës. Mirëpo, vdekja e ka udhën e saj të pandalshme. Prandaj, vdekja e Tekiut ishte e bardhe, sepse tërë jetën ka vepruar e qëndruar si gjeneral dhe i tillë ka vajtur në amshim. Teki Dervishi është personalitet i panteonit të krijimtarisë dhe të atdhetarisë së pastër”, u shpreh për “Bota sot”, Skënder Zogaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Teki Dervishit.

Dedë Preqi: Teki Dervishi që në moshën e re, ishte në shënjestër të regjimit serb

Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi, ka deklaruar se të gjithë ata që e njohën Teki Dervishin, nuk do e harrojnë lehtë atë figurë të thjeshtë, që gjithnjë kishte qëndrime të pa luhatura.

Image
Dedë Preqi

“Sa herë që vijnë përvjetorët e vdekjes të Teki Dervishit, nuk do të themi se letërsia shqipe e ka humbur një njeri të shquar të letrave shqipe, përkundrazi ajo, këtë figurë e ka të gjallë në mesin e vet me një bagazh të çmueshëm dhe të konsiderueshëm të të gjitha zhanreve letrare që ka lënë autori i shumë veprave letrare, të cilat janë pasuri gjithëkombëtare, që e bëjnë Teki Dervishin të pavdekshëm. U bënë dhjetë vite, Kosova dhe qytetarët e saj, në veçanti ata që e njohën dhe e lexuan poetin, prozatorin dhe dramaturgun e vet të madh, e përkujtojnë me mall dhe respekt Teki Dervishin, i cili ishte një pendë e artë dhe krijues i talentuar, që në vazhdimësi e pa pushuar sjelli risi dhe tematika të ndryshme në fushën e letrave shqipe, të shprehur me një gjuhë të mirëfilltë artistike dhe filozofike. Të gjithë ata që e njohën Teki Dervishin, nuk do e harrojnë atë figurë të thjeshtë, por me një modesti e krenari me qëndrimet e veta të pa luhatura, i cili më shumë vuan gjatë rrugëtimit të vet të jetës se përfiton diçka nga jeta, por e ushqen atë deri në frymën e fundit, duke lënë gjurmë të pashlyera në kulturën dhe qytetërimin tonë”, tha opinionisti Preqi.

Preqi ka treguar gjithashtu se Teki Dervishi kishte vetëm 17 vite, kur dënohet disa vite me burg të rëndë, për shkak, siç ka treguar ai, të kundërshtimeve dhe rezistencës së tij ndaj padrejtësive që i bëhej popullatës së vet shqiptare.

“Mundimet dhe torturat fizike dhe psikologjike, që ia bënë Tekiu, në burgjet e regjimit serbo-sllav, atë nuk e dorëzuan apo e ligështuan, por sikur e bënë edhe më të fortë dhe të thyeshëm në rrugëtimin e vet, i cili edhe pas gjitha atyre vuajtjeve, Tekiu, nuk u ndal duke shkruar ndaj padrejtësive të kohës nën robërinë serbo-sllave. Teki Dërvishi ishte i lindur talent, i cili që nga bankat e fillores dhe shkollës së mesme, i hasim shkrimet e tija në të përditshmet e gazetave të ndryshme, sikur që ishte «Rilindja» dhe të tjera, duke shkruar në gjitha zhanret dhe llojet letrare, duke u marrë pothuaj se gjatë gjithë jetës së vet me shkrime letrare e publicistike, i cili është autor i 90 veprave letrare artistike, romane, poezi dhe drama”.

“Një kohë për shkak të rrethanave shpërngulet në Shkup, me ç’rast punon një kohë edhe në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, ku e kishte takuar edhe Jusuf Gërvallën, duke punuar së bashku, por shkrimet e tyre ishin në përgjim të regjimit serbo-sllav, sepse vetëm vendin e kishin ndërruar, ndërsa regjimi ishte i njëjtë, sikur edhe për gjithë ata shqiptarë që mendonin ndryshe. Kur Kosova e forcoi autonominë e vet në vitin 1974, Tekiu kthehet nga Maqedonia në Kosovë, një kohë e cila do i jepte më shumë vullnet për të punuar dhe krijuar ndoshta me më pak censurë e përgjime… Kur Kosova lirohet nga zgjedha serbe dhe bëhet e lirë, Teki Dërvishi zgjidhët drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë, pastaj mbas një kohe zgjidhët edhe drejtor i të përditshmes “Bota sot”, deri në frymën e fundit të tij”, ka treguar Preqi.

Preqi është i mendimit se e gjithë krijimtaria e Teki Dervishit, ishte një luftë ndjenjash që këtij të fundit i buroi nga shpirti.

“Tekiu kur filloi me shkrime në “Bota sot”, në Zvicër, thotë në një prononcim të tij, nuk e di vetën më të lumtur ndonjëherë se kur shkruaj dhe shprehi mendimet e mija të lira në këtë gazetë, pa një lloj cenzure e dhune. Gjithë krijimtaria e Teki Dërvishit, ishte një luftë ndjenjash që buron nga shpirti i autorit, i cili luftën e vet e bënë përmes pendës në përkushtim të lirisë dhe të drejtave njerëzore, dhe të paktë janë poetët shqiptarë që me shkrimet e tyre i ngjajnë stilit dhe nivelit artistik e publicistik të Teki Dërvishit. Dhe ndër të rrallët Teki Dërvishi, lexohet si poet, prozator dhe si dramaturg, duke u kuptuar saktë nga lexuesi i vet, ku mesazhet e tij shpeshherë paraqiten me kode të hapura, zakonisht kur kritikohet dhe trajtohet diçka negative përmes thumbave e sarkazmave, të cilat nuk i kursente për asnjëri”, tha opinionisti Preqi.

Krejt në fund, opinionisti Preqi ka nënvizuar se Teki Dërvishi, ishte një ndër eksploruesit më kryengritës dhe këmbëngulës në luftën e pa kompromis në thyerjen e tabuve dhe dogmave letrare të stileve të ndryshme.

“Edhe një Teki Dërvishi, i mungon Kosovës dhe Letërsisë Shqipe, sepse figura e tij, sikur është e pazëvendësueshme, i cili është ndoshta i lënë anash, i pa studiuar mirë dhe sa duhet, si një shkrimtar postmodernë, që shquhet në gjitha zhanret dhe kohët me stilin dhe begatinë e thellë gjuhësore e letrare. Teki Dërvishi, mbetët një pasuri e frytshme letrare dhe e pashtershme, shkrimet e tij ia shtrijnë dorën çdo lexuesi, kur çdo rresht dhe fjalë e tij është e kuptimtë dhe fanar që shndritë dhe trason rrugën e lirisë dhe demokracisë njerëzore”, ka thënë në fund, opinionisti i njohur Dedë Preqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat