Analisti paralajmëron krerët e shtetit: Albin dhe Vjosa, kujdes!

Politika

Analisti paralajmëron krerët e shtetit: Albin dhe Vjosa, kujdes!

Nga: N. H Më: 11 korrik 2021 Në ora: 22:27
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Njohësi i çështjeve politike, Skender Kapiti, ka bërë thirrje për krerët më të lartë të shtetit, presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, që t kenë kujdesë dhe që të mbajnë premtime e tyre, pasi në të kundërtën mund të ndëshkohen.

“Albin dhe Vjosa, së pari mbani premtimet që keni bërë para kombit, sepse koha vigjilon, kujton, nuk harron, vlerëson dhe ndëshkon. Mosmbajtja e fjalës dhe e premtimeve është mosmirënjohje dhe tradhti ndaj atyre që ua besuan pushtetin dhe qeverisjen. Së dyti mos i harroni dhe mos neglizhoni me “indiferentizem” as ata të cilët ju kanë mbështetur për të ardhur ju në pushtet. Mos veproni si pushtetarët paraardhës që harruan, manipuluan dhe spekuluan me besimin dhe me mbështetjen që morën prej të tjerëve. Mos spekuloni as ju me besimin dhe me shpresën që ka populli te ju. Mos spekuloni me vullnetin e popullit, as me retorika e as me vlerat kombëtare e demokratike ashtu sikurse neglizhuan dhe spekuluan rëndë paraardhësit tuaj me vlerat, me sakrificat e luftën e dëshmoreve, heronjve e veteranëve. Mos u vetëmashtroni se gjithçka fillon me ju”, ka thënë anlisti Kapiti.

Ai gjithashtu ka porositur Kurtin e Osmanin që të mos e injorojnë mbështetjen e madhe që është dhënë për këta të fundit në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Skender Kapiti

“Mos e deformoni vullnetin e popullit dhe mos e injoroni punën dhe mbështetjen që u kanë dhënë intelektualët e ndershëm, patriotë, të sinqertë e të mirëfilltë. Mos u besoni shumë atyre servilëve dhe interesaxhinjve të cilët si realitet dhe si të vërteta ua servirin vetëm ato që dëshironi ju. Mos e konsideroni dhe mos e shikoni dhuntinë, aftësinë dhe talentin e të tjerëve si kërcënim, por i merrni në konsideratë dhe i afroni ata. Kujdes nga nepsi, uni dhe egoizmi që injektojnë urrejtjen, fanatizmin dhe frikën nga inferioriteti, të cilat janë tipare të autokratëve dhe të mosmirënjohësve”, është shprehur ai.

Tutje, sipas tij gjithashtu në asnjë rast nuk duhet harruar mirënjohjen që duhet treguar ndaj mikut dhe aleatit të madh, të pazëvendësueshëm dhe jetik të shqiptarëve, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kujdes, se mosmirënjohja, prej saj burojnë tradhtia dhe të gjitha poshtërsitë, dhe prej saj errësohet ndërgjegjja. Por, ama mos harroni se mosmirënjohja ju izolon dhe ajo pastaj nxit jo vetëm “braktisjen” hakmarrëse. Mos harroni në asnjë moment respektin dhe mirënjohjen që duhet treguar ndaj mikut dhe aleatit të madh, të pazëvendësueshëm dhe jetik të shqiptarëve, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos merrni pranë vetes injorante, puthadorë e servilë se prej tyre e pëson dhe dështon, por edhe që në rastin më të parë sapo ndryshojnë rrethanat nuk e kanë për asgjë që t’ju tradhtojnë e të ndërrojnë padronë”, tha ai.

Krejt në fund, ai nënvizon se këto janë pak gjëra që po ua sugjeronë, në pamundësi për t’ua thënë qoftë edhe prezent dhe drejtpërdrejt.

“Një fjalë e urtë kineze thotë se sa më lart që të kërkosh të ngjitesh, aq më shumë vritesh e dëmtohesh kur bie nga atje. Dhe kështu e ka pësuar gjithmonë pushteti egoist dhe autokrat, autokratët e diktatorët, hajnat dhe të korruptuarit si p.sh. edhe ishët e ish-pushtetit në Kosovë me 14 Shkurt 2021. Këto merrni si këshilla dhe kritika pozitive dhe paralajmëruese, dhe mos i merrni si kritika negativiste që nuk u pëlqejnë delirantëve të madhështisë, nihilistëve, arrogantëve, egoistëve dhe autokratëve. Mos harroni se në demokraci pushteti është në vështrim dhe nën hetim gjithmonë nga mençurimi popullor dhe nga vigjilenca demokratike që janë të pagabueshme”, tha analisti politik, Skënder Kapiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat