Kurti të mos e formojë Asociacionin/ Paralajmërohet Kosova, ky është skenari i Serbisë

Politika

Kurti të mos e formojë Asociacionin/ Paralajmërohet Kosova, ky është skenari i Serbisë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 14 korrik 2021 Në ora: 08:36
Albin Kurti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se në takimin me Petkoviqin të martën e kaluar në Bruksel, e kanë diskutuar edhe çështjen e Asociacionit.

Bislimi tha se në këtë takim janë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj dhe se në asnjë fjali të vetme nuk është përmendur Asociacioni.

Ai shtoi se ka kërkuar ndërprerjen e funksionimit të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, si parakusht që më pas të diskutohet për mënyrën e formimit të një bashkësie për avancimin e të drejtave të minoriteteve.

“Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes asociacionit. Po ashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi por vetëm Beogradi reagoi”, ka thënë Bislimi.

Por, derisa Qeveria e Kosovës insiston në mos formimin e Asociacionit, sa janë shanset që Serbia të pajtohet me këtë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Nuk duhet të pranohet Asociacioni”

Lidhur me këtë, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka potencuar se ky mbetet qëllimi i fundit i shtetit, madje sipas tij Asociacionin do ta pranojë edhe Vuçiq.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk ka arsye dhe natyrisht mbetet qëllimi i fundit i shtetit. Me këtë synim Beogradi për të bërë jo funksionale dhe fare pa vlerë Pretendimet serbe janë për të pushtuar tërë Kosovën. Për atë qëllim e kanë në Kushtetutë të funksionuar se "Kosova është serbe". Ky pretendim nuk ndalet. Asociacioni është kërkesa e veçantë që edhe krimineli Vuçiq do të bëjë, madje për atë shkak edhe po përgatiten ushtarakisht për të intervenuar së paku në veri të Kosovës”, tha ai.

Më tej, Kelemndi shtoi se nuk duhet që Kosova të pranojë Asociacionin, sepse kështu vetëm shkatërrohet Republika.

Kelmendi thotë se duhet të ketë nga qeveria në këtë çështje reciprocitet, gjë që me këtë bëhet vendosmëria për të ecur në dialog, sepse tani është koha për të treguar se Republika është zgjidhje e kompromisit.

“Këtej edhe do të intensifikohet kërkesa për Asociacion dhe për exteritorialitet në kishat dhe të manastireve. Kjo është një çështje që Beogradi synon dhe priten edhe pretendime më intensive. Natyrisht se Kosova nuk duhet të pranojë Asociacionin dhe asnjë pushtet tjetër në Kosovë. Kjo për faktin se në ato mënyra vetëm shkatërrohet përfundimisht Republika. Qeveria e Kosovës kërkohet që të futë në këtë çështje reciprocitetit si mënyrë mbrojtës dhe natyrisht edhe si kërkesë për Luginën e Preshevës. Me këtë bëhet barazimi dhe vendosmërinë për të ecur në Dialog mbi bazën e shtetit dhe të Kushtetutës e shëron Kosovën. Kosova nuk ka ku shkon, ka humbur mjaftë. Koha është për të treguar se Republika është e tillë dhe zgjidhje e kompromisit”, ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

“Asociacioni projekt serb”

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Asociacioni është projekt i Serbisë, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet t’i mbrojë institucionet e veta.

Ahmeti shtoi se nëse kërkohet formimi i Asociacionit, aiduhet të jetë konform aktgjykimit kushtetues, sepse përndryshe do të jetë cenim juridik.

Image
Hidajet Ahmeti

“Asociacioni është një projekt politik i Serbisë, i cili nuk duhet në asnjë mënyrë të funksionalizohet. Qeveria e Kosovës është e palëkundur me qëndrimin se asociacioni në formën si është nënshkruar është i vdekur, pasi kemi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili e hedhë poshtë marrëveshjen për asociacionin në baza etnike. Qeveria e Kosovës vetëm duhet të mbrojë institucionet e shtetit të Kosovës, por edhe nëse kërkohet formimi i asociacionit duhet të jetë konform aktgjykimit të kushtetueses. Çdo pretendim tjetër jashtë frymës së kushtetues cenon rendin kushtues e juridik të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti.

“Asociacioni i rrezikshëm për Kosovën”

Kështu, analisti Adem Bytyçi ka thënë se Asociacioni është zgjidhje e rrezikshme për Kosovën. Madje analisti përmend edhe Thaçin dhe Mustafën, se si kanë pranuar të negociohej me Asociacionin e komunave serbe edhe pse kanë pohuar se do të jetë pa kompetenca ekzekutive, e që në këtë rast insistohet ndryshe nga Vuçiq.

Image
Adem Bytyçi

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të pakicës serbe në Kosovë do të ishte një zgjidhje politike dhe Kushtetuese shumë e rrezikshme për shtetin e Kosovës. Për ta kuptuar se si erdhi deri te Asociacioni duhet t'i referohemi qeverisë Thaçi - Mustafa. Është neveritëse se si këto dy personalitete eminente në atë kohë për politikën e jashtme të Kosovës, pranuan me palën serbe në Bruksel të negociohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të pakicës serbe në Kosovë, ani pse Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, arsyetohen duke pohuar se ky asociacion do të jetë pa kompetenca ekzekutive, por Vuçiq, insiston ndryshe nga që thonë Isa dhe Thaçi, kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.

Bytyçi më tej potencoi se këtë e bën edhe më të ndërlikuar që e ka votuar edhe Parlamenti. Mirëpo, sipas tij ajo se çka do të ndodh me Asociacionin varet edhe nga BE edhe SHBA.

Ai ka shtuar se edhe pse Kurti nuk dëshiron të bëjë koncesione në dëm të Kosovës, sërish do të jetë e vështirë t’i përmirësojë marrëveshjet që i kanë bërë qeveritë e mëparshme.

“Situatën e bën edhe më të ndërlikuar dhe më të paqartë fakti se Asociacionin e komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë e ka aprovuar Parlamenti i Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve. Kryeministri Kurti është prononcuar se nuk do të ketë asociacion, por se çka do të ndodhë me Asociacion varet edhe nga qëndrimi i BE-së, dhe i SHBA-së. Disa herë të dyja këto kanë thënë se si Serbia gjithashtu edhe Kosova duhet t'i zbatojnë zotimet të cilat i kanë mare në marrëveshjet e arritura në Bruksel. Kryeninistri Kurti, edhe pse është i vendosur definitivisht të mos i bëjë koncesione Serbisë në dëm të Kosovës, do ta këtë shumë të vështirë t'i përmirësojë Marrëveshjet e qeverive të mëparshme , sado që ato mund të jenë në dem të Kosovës, kjo prek edhe çështjen e asociacionit”, ka vlerësuar Bytyqi.

Më tej, ai theksoi se Serbia ka për qëllim të krijojë një Republikë serbe në Kosovë, madje ai thotë se këtë duhet ta dinë si pozita ashtu edhe opozita, edhe pse këtë është dashur ta kuptonin Mustafa dhe Thaçi dhe të mos pranonin që të negocionin për këtë asociacion.

“Atë që duhet ta kenë të qartë forcat politike në Kosovë, pozitë - opozitë është qëllimi i Serbisë për ta krijuar një Republikë serbe në Kosovë, si kjo e Bosnjës, pa varësisht se ajo do të quhej Asociacion apo modifikohej me ndonjë emërtim tjetër. Këtë qëllim të shtetit serb është dashur me kohë ta kuptonin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, për të mos pranuar që të negociohej për kurrfarë Asociacioni të komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë. Duke u arsyetuar se serbët në Kosovë do t'i kenë të gjitha të drejtat të parapara me Kartën Evropiane për të drejtat e minoriteteve që jetojnë në të gjitha shtetet Evropiane”, përfundoi Adem Bytyqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat