“Fatale, e rrezik për...”, Paralajmërimi për Kosovën: Ja çfarë ndodhë nëse Thaçi lirohet me kusht në një vend të tretë

Politika

“Fatale, e rrezik për...”, Paralajmërimi për Kosovën: Ja çfarë ndodhë nëse Thaçi lirohet me kusht në një vend të tretë

Nga: P.R Më: 16 korrik 2021 Në ora: 20:59
Hashim Thaçi

Ditë më parë, mediat sllovene raportuan se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të mbrojë veten nga një arrest shtëpiak në Slloveni.

E lirimin me kusht apo arrestin shtëpiak në një vend të tretë të Hashim Thaçit e kundërshtuar Gjykata Speciale, pasi sipas saj, do të ishte fatale që Hashim Thaçi të mbrohej në liri edhe nëse një shtet i tretë garanton për të.

Siç ka shkruar kryeprokurori i speciales, Jack Smith në dokumentin e dërguar si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes, një shtet i tretë nuk ka obligim t’u përmbahet rregullave të Dhomave të Specializuara, dhe kjo do t’i lejonte Thaçit të komunikonte lehtësisht me familjarët dhe këdo.

“Kjo sepse lirimi i tij në ndonjë vend të tretë, rrënjësisht i komprometon kushtet e monitorimit nga ana e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, sepse DHSK mund ta ushtrojnë juridiksionin e tyre vetëm brenda Kosovës, dhe njësoj edhe forcat policore të Prokurorit të Specializuar mund të ushtrohen në bazë të juridiksionit të njëjtë”, thuhet në dokumentin e kryeprokurori i speciales, Jack Smith, duke shtuar se Thaçi vazhdon të ketë ndikim në politikën e Kosovës dhe për këtë përmendet shkarkimi i ish kreut të AKI-së, Kreshnik Gashi, pas tentimit për vjedhje dokumentesh në kasafortën presidenciale më 6 nëntor, një ditë pas arrestimit të Hashim Thaçit.

“Ky incident ka ndodhur një ditë pasi Thaçi u arrestua dhe gjatë kohës kur në rezidencën e tij po zhvilloheshin operacione të hetimit dhe konfiskimit. Kjo jo vetëm që nuk paraqet mungesë të ndikimit, por rrethanat që çuan deri te shkarkimi i shefit të AKI-së është një provë për ndërhyrje të jashtëligjshme nga ana e përkrahësve të të akuzuarit, për më tepër tregon se deri ku vartësit e tij janë të gatshëm të shkojnë”, ka shkruar Jack Smith në dokumentin e dërguar si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes së Thaçit.

Se lirimi me kusht apo arresti shtëpiak i Thaçit do të ishte fatale, e thotë edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Emri i Hashim Thaçit nuk nënkupton thjeshtë vetëm personalitetin e diskredituar të një ish figure të lartë politike në vend, të arrestuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë, por një sistem të tërë manipulativ shtetëror, ende veprues në Kosovë, i cili shtrihet e zgjerohet dhe është shumë aktiv edhe sot, në gjithë vendin. Madje për më tepër se një dekadë me radhë, në shërbim të Thaçit kanë qenë të gjitha institucionet dhe entet shtetërore të Kosovës, pjesa më e madhe e të cilave edhe sot janë besnike ndaj tij, pa harruar këtu organizatën ilegale të SHIK-ut, që vazhdon të operojë nën direktivat e partisë së Thaçit, ndaj Gjykata Speciale, ka arsye të forta kur thotë se do të ishte fatale lirimi apo arresti shtëpiak i Thaçit, qoftë edhe në një vend të tretë”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, lirimi me kusht i Thaçit mund të jetë rrezik edhe për tërësinë territoriale të Kosovës, pasi ishte Thaçi ai që kishte synuar ndarjen e Kosovës.

“Ndaj nëse Thaçi do të vendosej në Slloveni ku mbanë lidhje të ngushta me Janez Janshën e ndoshta edhe me ndonjë politikan apo strukturë tjetër konspirative në këtë vend, si dhe ndikimi që ai ende ka në Kosovë, rreziku mund të jetë tejet i madh jo vetëm për dëshmitarët, por edhe për tërësinë territoriale të vendit, si dhe vet ekzistencën e shtetit të Kosovës, nëse ndodhë lirimi me kusht i Hashim Thaçit nën këto rrethana. Për aq më tepër nga bëmat dhe e kaluara drakonike e Thaçit nuk janë distancuar asnjëherë deri më tani edhe pas burgosjes së tij, jo vetëm PDK por edhe partitë filiale të saj, si AAK, NISMA, etj, përfshi Listën serbe e cila ka marrëdhëniet dhe kontaktet më të afërta me Hashim Thaçin”, shprehet Qarri.

Më tej, analisti Qarri shton se sa ishte në liri, Hashim Thaçi ka qenë edhe mbi vet shtetin.

“Kështu që duke ditur faktin se sa të rrezikuar do të ndiheshin dëshmitarët e mundshëm kundër tij, të cilët pritet ti ofrojnë Gjykatës Speciale argumentet vendimtare për zhvillimin e gjykimit, lirimin me kusht apo arrestin shtëpiak, qoftë edhe në një vend të tretë të Hashim Thaçit e kundërshtoi fort edhe vet Gjykata Speciale, pasi që, sipas vet vlerësimit të po kësaj gjykate, do të ishte fatale që Hashim Thaçi të mbrohej në liri edhe nëse një shtet i tretë garanton mbajtjen e tij në arrest shtëpiak. Kjo për vet faktin se cilido vend i tretë qoftë, ai nuk u nënshtrohet rregullave të Speciales dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, megjithëse Thaçi ka qenë edhe mbi vet shtetin, ndaj dhe bashkësia ndërkombëtare është detyruar të shpall një gjykatë të veçantë si Gjykata Speciale, dhe e vendos atë sa më larg Kosovës dhe ndikimit të politikës së inkriminuar vendore”, thekson Qarri.

Qarri ka treguar arsyet pse Hashim Thaçi nuk duhet të lirohet me kusht edhe nëse një vend i tretë garanton për këtë.

“Pra megjithëse Gjykata Speciale vepron nën juridiksionin e ligjeve dhe shtetit të Kosovës, kjo nuk e obligon, asnjë nga shtetet tjera të rajonit, që tu nënshtrohen rregullave dhe ligjeve të Kosovës, ndaj kryeprokurori i speciales, Jack Smith në dokumentin e dërguar në emër të kundërpërgjigjes ndaj mbrojtjes së Thaçit, thekson me arsye se një shtet i tretë nuk ka fare për obligim t’u përmbahet rregullave të Dhomave të Specializuara, të cilat veprojnë nën juridiksionin e shtetit të Kosovës, dhje kjo do t’i lejonte Thaçit të komunikonte lehtësisht, jo vetëm me familjarët, por dhe këdo tjetër nga atje. Kështu që siç thotë edhe z. Smith, lirimi i tij qoftë edhe me kusht, në ndonjë vend të tretë, komprometon tërësisht kushtet e monitorimit nga ana e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, sepse DHSK mund ta ushtrojnë juridiksionin e tyre vetëm brenda Kosovës, siç ndodhë edhe me forcat policore të Prokurorit të Specializuar, të cilat mund të veprojnë vetëm në bazë të legjigjlacionit të Kosovës”, ashtu siç ceket decidivisht edhe në dokumentin e kryeprokurorit të speciales, z. Jack Smith”, deklaron Qarri.

Për fund, Qarri shprehet se në rast se ndodhë lirimi me kusht i Thaçit, atëherë kjo do të ishte rrezik edhe për dëshmitarët e mundshëm të Gjykatës Speciale.

“Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se Thaçi nuk është thjeshtë vetëm një person më vete, por një sistem i tërë veprues dhe ende, shumë aktiv në Kosovë, përderisa ai ende ka ndikim të madh në politiken kosovare dhe institucionet e saj, edhe sipas Gjykatës Speciale do te ishte fatale lirimi apo arresti shtëpiak i tij, pasi që do te jene të rrezikuar jo vetëm dëshmitarët e mundshëm, por edhe tërësia territoriale dhe vet ekzistenca e shtetit të Kosovës, ndarjen e të cilës ai do të përpiqet ta jetësoj dhe qonte deri në fund, me çdo kusht, në mënyrë që ta shpëtoj veten ,nga masat ndëshkuese të Gjykatës Speciale, të cilat nëse vërtetohet aktakuza e ngritur, mund të shndërrohen në shumë vite burg, për Hashim Thaçin në Hagë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat