Analistët tregojnë kush pengoi votimin e diasporës në zgjedhjet e 14 shkurtit, ja çfarë pritet të ndodhë në tetor

Politika

Analistët tregojnë kush pengoi votimin e diasporës në zgjedhjet e 14 shkurtit, ja çfarë pritet të ndodhë në tetor

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 gusht 2021 Në ora: 23:13
Foto ilustrim

Po na ndajnë shumë pak kohë deri tek zgjedhjet lokale në vendin tonë.

Të gjendur para kësaj KQZ është ajo e cila është mobilizuar për të marr masat paraprake, shkruan “Bota sot”.

KQZ gjatë ditës së djeshme aprovoi 1960 aplikacione për regjistrimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 3 gusht, janë pranuar 2101 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1960, ndërsa 141 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

Ai shtoi më tej se të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor 2021.

Ndër të tjera ai tregoi që KQZ ka pranuar deri më tani vetëm 7 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 4 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale përfundon më 16 gusht.

Qarri: Me largimin e Valdete Dakës, diaspora do ta ketë më të lehtë votimin

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë ka folur analisti nga diaspora, Gani Qarri, i cili u shpreh se për dy dekada me radhë janë munduar që të përjashtojnë diasporën nga votimi në zgjedhjet në Kosovë mirëpo që pas shkarkimit të Dakës, KQZ tashmë më kryetar të ri ka filluar të bëjë veprimin e duhur.

Ai shton se pranimi i aplikacioneve nga ana e KQZ është një veprim që duhet përshëndetur dhe që duhej të praktikohej që moti.

“Me gjithë kundërshtimin e partive të kriminalizuara të cilat, fatkeqësisht për dy dekada me radhë, e ruajtën me fanatizëm qëndrimin e tyre përjashtues ndaj mërgatës shqiptare, duke pasur parasysh se edhe Kosova e ka për obligim ti respektoj ligjet e BE-së, dhe mundësoj mërgatës së saj pjesëmarrjen në zgjedhje dhe votimin në Ambasada e Konsulata të vendit, pas shkarkimit të kryetares dhe gardës së vjetër vendimmarrëse. KQZ për kohë të shkurtër aprovoi mb1960 aplikacione për regjistrimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale,gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën, veprim i duhur të cilin qysh moti e praktikojnë të gjitha vendet e rajonit e më gjerë dhe akt që duhet përshëndetur nga të gjithë”, u shpreh ai.

Tutje, analisti thotë se duke parë dëshirën e madhe të mërgimtarëve për votuar pjesëmarrja e tyre do të jetë mjaftë e suksesshme.

Mirëpo pavarësisht kësaj sfidat që pritet të ballafaqohet përsëri diaspora është burokracia, zhagitjet e qëllimshme dhe manipulimet, që mund të ndodhin nga pjesëtaret e administratës së vjetër.

“Duke parë dëshirën e madhe të mërgimtarëve për të votuar, besojë se pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje do të ketë mjaft sukses, kur dihet fakti që tashmë ka ndryshuar edhe kryesia dhe kryetari i KQZ-së, të cilët krijonin pengesat kryesore për mospjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje. Ndërsa sfidat më të mëdha me të cilat edhe tani mund të ballafaqohet serish diaspora,pritet të jetë burokracia, zhagitjet e qëllimshme dhe manipulimet, që mund të ndodhin nga pjesëtaret e administratës së vjetër, të cilët kanë dëshmuar se janë mjeshtër të nxjerrjes së pengesave, ndërrimit të kaheve të votës, manipulimeve me fletëvotime dhe zarfet e ardhura nga diaspora, për të fabrikuar rezultate në favor të partive që u takojnë”, potencoi Qarri për “Bota sot”.

Bytyçi: Ndryshimet në KQZ do të jenë në shërbim të drejtë të diasporës

Image
Adem Bytyçi

Ndërsa analisti tjetër politik nga diaspora, Adem Bytyçi, për këtë temë thotë se ndryshimet që kanë ndodhur në KQZ është një gjë pozitive për diasporën pasi që do të jetë në shërbim votuesve.

Por ai shton se nëse vazhdon përplasja mes pozitës dhe opozitës për pushtet mund të ketë anashkalim të interesave madhore të vendit.

“Ndryshimet lidhur me aplikacionet për regjistrimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale si dhe ndërrimi i Kryetares së KQZ-së, e cila dihet se në shërbim të cilës parti ka qenë, ani pse këtë nuk e ka pranuar asnjëherë publikisht, me siguri se pjesëmarrja e diasporës do të jetë shumë më masovike se në zgjedhjet e fundit nacionale të parakohshme. Megjithatë nëse vazhdon përplasje opozitë ‐pozitë e luftës për pushtet duke i anashkaluar interesat madhore të vendit, interesimi i diasporës por jo i vetëm për të marrë pjesë në zgjedhje do të bie në mënyrë të paimagjinueshme”, theksoi analisti.

Nga ana tjetër analisti thotë se lufta e partive politike për interesat e tyre e jo për qytetarët vazhdon të jetë shumë prezent edhe sot mirëpo që e njëjta duhet të ndryshoj pasi prish imazhin e demokracisë parlamentare të Kosovës.

“Historia e partive politike në Kosovë nga çlirimi e këndej karakterizohet më shumë për luftën për interesat e tyre se sa të vendit dhe të qytetarëve. Duket se akoma partitë politike në Kosovë nuk kanë dalur nga katrahurat e interesave të tyre partiake, në mënyrë që t'ju shërbejnë interesave të vendit dhe të qytetarëve, nëse vazhdon ky trend i partive politike, ka gjasa që një ditë qytetarët e Kosovës do t'i bojkotojnë unanimisht zgjedhjet nacionale, çka do të jetë shumë keq për imazhin e demokracisë parlamentare në vendin tonë. Ekziston përshtypja se subjektet politike në Kosovë akoma nuk e kanë arritur pjekurin e tyre politikë, demokratike dhe kombëtare për t'i shërbyer vendit dhe interesave të qytetarëve”, përfundon Bytyçi për “Bota sot”.

Kujtojmë që tashmë kryetar i KQZ është Kreshnik Radoniqi i cili erdhi në detyrë pas shkarkimit të Valdete Dakës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat