“Çlirimi i dytë”/ Ish-agjenti i SHIK-ut kërkon luftë speciale kundër mafio-politikës – ja çfarë flet për bandat e nëntokës politike kriminale

Politika

“Çlirimi i dytë”/ Ish-agjenti i SHIK-ut kërkon luftë speciale kundër mafio-politikës – ja çfarë flet për bandat e nëntokës politike kriminale

Nga: N.Sh Më: 12 gusht 2021 Në ora: 18:56
Naim Miftari

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat kryesore në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Gjatë vitit 2020 rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit në Kosovë, kanë pasuri milionëshe, e kjo pasuri e tyre është cilësuar se është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Për konfiskimin e pasurisë dhe procesin e vetingut në Kosovë, ka folur ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai konsideron se, me ndihmën amerikane, gjermane, britaneze, edhe Kosova do të pastrohet nga ‘politikanet kriminelë dhe nga pushtetarët kriminelë’, si dhe nga ‘zyrtarët kriminelë’ dhe do të lirohet edhe nga oligarkët e mafies politike të Kosovës e cila në gjirin e saj ka edhe keqpërdorues e zyrtar të korruptuar, madje edhe ndërkombëtar.

“Pra vetingu do të ishte një riçlirim i Kosovës nga mafia politike e korruptuar deri në gushë”, vlerëson Miftari.

Ai e komenton edhe vetingun qe ka ndodh në Shqipëri, por që thotë se nuk ka qenë edhe 100% i pastër dhe gjithëpërfshirës, pasi sipas tij, shumica e politikanëve i kanë shpëtuar.

Por, ai thotë e në Kosovë është gjendja më e keqe se në Shqipëri.

“Ata kanë shpëtuar nga vetingu dhe nga SPAKU po anashkalon kokat e krimit të organizuar që vijnë nga politika, niveli i lartë. Por megjithatë deri diku, me përkrahjen e pa kontestueshme amerikane, SPAKU ka filluar ta mobilizon prokurorinë, hetuesin dhe gjyqësinë ndaj zyrtarëve të korruptuar që lirimin e kriminelëve e shitnin me para dhe përfitime personale. Por pa një veting në vendin tonë gjendja paraqitet të jetë edhe më e rëndë në Kosovë, më e rëndë se sa në Shqipëri, pasi në Kosovë nuk ka nëntokë të zakontë kriminale të krimit ordiner, por ka vetëm nëntokë politike shtetërore ku rolin e kumarëve dhe nëntokës e kanë klanet brenda partive politike, sidomos këto partitë politike që janë në pushtet dhe rreth pushtetit qe 21 vite”, thotë Miftari.

Sipas tij, janë pikërisht këta që e kanë degraduar dhe e kanë shkatërruar çdo gjë me vlerë në vendin tonë, si arsimin, shëndetësinë, ekonomin, bujqësinë, industrinë, infrastrukturën...

“Çdo gjë që ka pasur vlerë e kanë degraduar deri në maksimum duke e plaçkitur e mashtruar këtë popull, herë me mashtrimin kinse janë hajnat, politikanet tanë me Uashingtonin e herë me Brukselin, me NATO-n e me liberalizimin e vizave, dhe kyçja në BE”, shton ai.

Miftari thekson se, përralla të tilla na tregojnë që 21 vite kurse Policia, Prokuroria, Gjyqësia, Inteligjenca, Parlamenti, Presidenca e institucionet tjera.

“Pra të gjitha kanë qenë dhe shumica janë edhe sot, lodra në dorë të atyre politikanëve mashtruesve, gënjeshtarëve e hajnave të Kosovës, të pasurisë së Kosovës, pra janë kukulla të Mafies Politike në Kosovë, prandaj shkuarja e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës e AKR në opozitë janë sikurse kur lufta e popullit tonë, dëshmorët tanë dhe intervenimi i NATO, UÇK dhe populli i jonë që e sollën lirinë tonë, edhe një veting gjithë përfshirës do të ishte një NATO 2 për popullin dhe shtetin e Kosovës”, përfundon Miftari.

Ndryshe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar deri më tani kap vlerën totale të pasurisë se administruar që nga themelimi i saj një dekadë më parë, rreth 40 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat