Paralajmërohet rënie edhe më e madhe e PDK-së/ Analistët tregojnë çfarë mund ta shpëtojë atë!

Politika

Paralajmërohet rënie edhe më e madhe e PDK-së/ Analistët tregojnë çfarë mund ta shpëtojë atë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 gusht 2021 Në ora: 11:06
PDK

Partia Demokratike e Kosovës që nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka arritur të këndellet, ani pse tashmë kryetar i saj është Memli Krasniqi.

Nga zgjedhjet lokale na ndajnë më shumë se një muaj dhe kjo ka arritur të mobilizoj partitë politike të japin maksimumin në fushatat e tyre, përcjell “Bota sot”.

Mirëpo, asaj që nuk po i shkon mbarë është PDK, pasi që nga fillimi i fushatës parazgjedhore kanë qenë prezent “përçarje” e së fundmi edhe dorëheqje nga kjo parti.

Është Ish-deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku, ajo e cila ka dhënë dorëheqje nga partia pjesë e të cilës ka qenë tash e 20 vjet.

Izmaku që ka qenë deputete e PDK-së në disa legjislatura, ajo dorëheqjen e saj e ka arsyetuar me mosbesimin në vizionin dhe projektin e partisë tashmë opozitare.

Ajo ka njoftuar po dorëhiqet nga të gjitha pozitat që ka mbajtur deri tani në strukturat e Partisë Demokratike.

Për të mos mjaftuar me këtë nga kjo parti brenda ditës është larguar edhe Kryetarja e Forumit të Gruas së PDK-së dega në Vushtrri, Gjylsime Feka-Ferati.

Në letrën e dorëheqjes, të cilën ua ka drejtuar strukturave të degës së PDK-së në Vushtrri, ajo i dëshiron kësaj partie reformim duke u larguar mirëpo mos dhënë detaje se a do të bëhet pjesë e një partie tjetër.

Ndërsa, analistët politikë, për “Bota sot” u shprehën se PDK që nga zgjedhjet e 14 shkurtit ka pësuar rënie dhe e njëjta është duke e përcjellë.

Ata shtuan se nëse vazhdon e njëjta politikë, mund të ketë edhe dorëheqje të tjera.

Bytyçi: PDK, si parti politike është në rënie

Image
Adem Bytyçi

Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, tha se jo vetëm dorëheqjet që ndodhën por edhe shumë veprime të tjera të gabuara kanë sjellë PDK-në në një parti ta padëshiruar për qytetarët.

Ai shton se kjo parti duhet të ketë reforma të thella në mënyrë që të kthejë besimin e qytetarëve.

“Jo vetëm dorëheqja e zonj.Izmaku, por edhe shumë anomali tjera e kanë bërë PDK-në, parti antipatike për qytetarët e Kosovës. Madje në zgjedhjet e fundit në këtë parti dukët të jetë zhvilluar një luftë e ashpër për postet më të larta në kuadër të kësaj parti, çka ka shkaktuar pakënaqësi te disa anëtarë të kësaj partie. Për të shpëtuar shuarjen e kësaj partie, në këtë parti duhet të bëhen shumë reforma, nga partia të largohen kuadrat e vjetra dhe ata të cilët flasin shumë në parlament dhe gjetiu dhe punojnë shumë pak në të mirën e partisë”, tha ai.

Më tej, ai tha se PDK duhet publikisht të pranojë gabimet që i ka bërë gjatë qeverisjes dhe me veprime të dëshmojë që nuk është parti e korruptuar.

“PDK-ja, pa i pranuar publikisht gabimet e saj gjatë qeverisjeve në të kaluarën nuk mund të ketë të ardhme. Pra, këtij subjekti i duhet shumë punë për të kthyer besimin e qytetarët dhe dëshmuar me vepra që vërtetë është një parti e pa korruptuar e cila më shumë angazhohet për të mirën e qytetarëve se sa për interesa të veta dhe të bashkëpartiakëve të saj”, theksoi Bytyçi për “Bota sot”.

Peçani: Me dorëheqjen e znj.Izmaku sikur po fillon një ç´thurrje e të shumtëve që rrinin të kamufluar

Ndërsa, analisti tjetër politik, Ruzhdi Peçani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se që nga zgjedhjet e qershorit të 2017 është parë një dobësim i PDK-së.

Sipas tij, ka qenë hera e parë që PDK kishte kryetar të ri dhe përveç asaj, kryetar që nuk vinte nga bastioni i Drenicës, kështu votat ishin vështirë të garantuara.

“Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 kishin konfirmuar dobësimin e bastioneve të partive politike. Ky dobësim kishte filluar më herët, këto zgjedhje treguan edhe dobësimin e bastionit të PDK-së. Drenica si bastioni më i fortë nga të gjithë ka qenë, si zonë e PDK-së. Këtu partitë tjera kishin vetëm prezencë simbolike. Ndërrimi i kryetarit të PDK-së nuk do ka kalonte pa pasoja. Është pra hera e parë që PDK kishte kryetar të ri, dhe përveç asaj , kryetar që nuk vinte nga bastioni i Drenicës. Prandaj votat e Drenicës nuk i kishte të garantuara en bloc”, potencon ai.

Image
Ruzhdi Peçani

Ai shton se zgjedhjet e 2017 na treguan që në zgjedhjet e ardhshme PDK të mos shkonte me komoditet në Drenicë.

“Zgjedhjet 2017 treguan se si parti PDK nuk është më e para dhe kjo është pasojë kryesisht e dobësimit në bastion. Në zgjedhjet e ardhshme lokale PDK nuk mund të shkonte me komoditet as në Drenicë as në rajonet tjera”, thotë analisti.

PDK një parti amorfe

Analisti nga ana tjetër thotë se që nga zgjedhjet e 14 shkurtit PDK nuk ka arritur të gjejë qetësinë e kjo ka arritur të sjellë edhe një PDK të dobët, duke mos arritur ta bëjë rolin e opozitës.

“Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit PDK nuk po arrin të gjejë qetësinë dhe rikuperohet. Dhe kjo shihet në parlament, nuk arrin të bëjë rolin e liderit të opozitës, me veprimet që bënë më tepër i bënë opozitë shtetit se sa pushtetit. Në Konventën e mbajtur, brenda PDK, nuk kishin energji të brendshme të shqyrtonin për debaklin zgjedhor, të merrnin përgjegjësinë. Se ka demokraci të brendshme është vetëm një floskulë politike”, shprehet ai.

Nga zgjedhjet e fundit, PDK nga një parti nacionale ka rënë në atë lokale dhe sot është një parti amorfe, shton analisti.

“Zgjedhja e kryetarit ishte me të vetmin kandidat, jo se do duhej të ishte një garë kandidatësh. Nga zgjedhjet e fundit, PDK nga një parti nacionale ka rënë në atë lokale. Dhe sot është një parti amorfe. PDK dikur Ngjasonte në një korporatë, tani në një ndërmarrje aksionarësh dhe përderisa aksionarët mbajnë levat në duar vështirë se do reformohet”, potencon Peçani.

Ai thotë se ndryshimi në PDK vjen nëse arrijnë të sjellin reforma të thella duke marrë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Gjithashtu, analisti shprehet se me dorëheqjen e Izmakut po fillon ç´thurrje e të shumtëve që rrinin të kamufluara.

“Të ndryshosh, apo të fundosesh! Kjo është dilema për aktualitetin dhe gjendjen e tanishme brenda PDK vizioni strategjik për të ardhmen të jetë reformimi i thellë, shpëtimi qëndron në ndryshimet. Qeverisjet në 20 vjeçarin që shkoi i kanë lënë vragë kësaj partie dhe për këtë jo se morën përgjegjësi por i thurnin partisë elozhe. Me dorëheqjen e znj.Izmaku sikur po fillon një ç´thurrje e të shumtëve që rrinin të kamufluara”, tha ai.

Në fund, opinonisti thotë se mbetet të shihet nëse në zgjedhjet lokale e 17 tetorit do t’i ndëshkojë votuesi PDK-në apo jo.

“Tani 17 tetori po ofrohet. A do përjetojë PDK edhe këstin e dytë të ndëshkimit nga votuesit, këtë mbetet ta shohim, mbase rrjedhat po shkojnë në atë drejtim”, përfundon Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat