Shkelësit e ligjeve pjesë e listave zgjedhore, ja masat që KQZ duhet të ndërmarrë ndaj tyre

Politika

Shkelësit e ligjeve pjesë e listave zgjedhore, ja masat që KQZ duhet të ndërmarrë ndaj tyre

Nga: A.Morina Më: 30 gusht 2021 Në ora: 17:26
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar kandidaturën e Sami Lushtakut për kryetar të Skenderajt.

Ndaj këtij vendimi, Lushtaku dërgoi ankesë në PZAP, mirëpo e njëjta ankesa iu hodh poshtë.

Lushtaku nuk është i vetmi kandidat që nuk iu certifikua kandidatura nga KQZ, në mesim e tyre është edhe kandidati i AKR-së për komunë të Prishtinës, Selim Pacolli.

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuesë, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” mbështeti fuqishëm këto vendime të KQZ-së.

Krahas ankesave të kandidatëve, Kelmendi u shpreh se as nuk duhet të ketë dilemë që kandidatët me aktakuza nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

“Nuk ka dilemë se ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjin nuk duhet të konkurrojnë fare në zgjedhjet lokale. Është detyrë e KQZ-së që të marrin masa dhe të gjithë ata që kanë probleme me ligjin të nxirren nga lista e votimit”, deklaroi ai.

Në vazhdim, profesori tha se vetë partitë politike është dashur t’i spastrojnë listat e tyre dhe të mos vendosin kandidatë që kanë problem me ligjin.

“Në këtë anë nuk ka rëndësi fare se të cilës parti politike i takon kandidati dhe kush janë ata që po konkurrojnë. Ata duhet të largohen nga lista. Në fakt, këtë punë është dashur partia për kandidatët e vet të bëjë dhe të spastrojë listën e vet. Këtë nuk e ka bërë partia, tash i mbetet KQZ-së të spastrojë listat e kandidatëve”, theksoi Kelmendi.

Në fund, njohësi i çështjeve kushtetuese potencoi se nuk duhet të jenë në krye të pushtetit lokal, shkelësit e ligjeve në fuqi, pasi kemi nevojë për organe funksionale dhe jo kriminale.

“Kosovës i duhet një pushtet lokal me kandidatë të përgatitur, të aftë dhe profesionalisht në nivel. Nuk lejohet që ata të jenë shkelësit e ligjeve në fuqi. Pushteti lokal ka rëndësi të madhe, aty realizohen të drejtat dhe detyrat e qytetarëve. Me pushtet lokal ballafaqohet qytetari, andaj kërkohen organe funksionale dhe jo kriminale”, përmbylli Muhamet Kelmendi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat