Dialogu prioritet i SHBA-ve/Sa do të ndikojë i dërguari Gabriel Escobar në bisedimet Kosovë-Serbi?

Politika

Dialogu prioritet i SHBA-ve/Sa do të ndikojë i dërguari Gabriel Escobar në bisedimet Kosovë-Serbi?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 shtator 2021 Në ora: 10:36
Gabriel Escobar

Ballkani Perëndimor do të bëhet më të dërguar të ri.

Ai do të jetë zëvendës-ambasadori i ShBA-ve në Beograd dhe diplomati i karrierës, Gabriel Escobar, i dërguari i presidentit amerikan, Joe Biden.

Escobar do ta zëvendësojë të dërguarin e deritanishëm Mathew Palmer dhe pritet të marrë detyrën e re më 7 shtator.

Gabriel është cilësuar si njohës i mirë i çështjeve ballkanike, e po ashtu do të jetë mbikëqyrës i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Analistët vlerësojnë se emërimi i tij jep shpresa për procesin e dialogut, megjithëse shohin që strategjia amerikane nuk ndryshon, është në proces i vazhdueshëm i politikës amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Qarri: Escobar, emri më premtues për sukses dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kosova tash e 11 vjet bisedon me Serbinë, andaj deri tani ende nuk dihet fundi i tyre.

Sipas tij, pas dështimit të Richard Grenell dhe shkuarjes së Mathew Palmer, me emërimin e Gabriel Escobar ngjallen shpresat.

“Njëra nga çështjet më të ndjeshme dhe problematike me të cilën tash e gati 11 vite vazhdon të përballet Kosova është dialogu me Serbinë, por megjithëse ai ka nisur qysh në mars të vitin 2011, me kundërshtimin e Serbisë si ish shtet okupator i Kosovës, për ballafaqimin e saj me të kaluarën, përkundër kalimit të mbi një dekade, ende nuk duket kund fundi as përafrimi i qëndrimeve, për përfundimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshje ndërmjet të dy vendeve. Ndaj pas dështimit të ndërmjetësuesit dylber të z. Trump, Rirchard Grenell dhe shkuarjes së z. Palmer, i cili si dhëndër i Serbisë, krijonte jo pak irritim në Kosovë, barra kryesore tanimë bie mbi diplomatin e shquar të sapoemëruar amerikan Gabriel Escobar, i cili nga 7 shtatori i këtij viti, merr detyrën e të dërguarit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, emërimi i Gabriel Escobar pas karrierës së tij politike, SHBA dhe Kosova kanë shpresa të mëdha për suksesin e tij edhe në këtë mision.

“Gabriel Escobar si ish zëvendës-shef i misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, post të cilin ai e mbante nga gushti i vitit 2019, që edhe më herët ishte i angazhuar me punë në këtë ambasadë, siç del nga karriera e tij diplomatike, ai nga viti 1998 deri në vitin 2001, ka shërbyer pothuajse rregullisht në ish republikat jugosllave, që nga Banjalluka në Bosnje e Hercegovinë, kryeqytetin malazez Podgoricë, e deri te përfaqësimi politik i SHBA-ve në Serbi, pas rihapjes së ambasadës amerikane më 2001 në Beograd. Madje duke pasur parasysh përvojën e tij të gjatë diplomatike i cili përveç përfaqësimit të SHBA-va në kryeqytetet e shteteve të BE-së, nga Lisbona në Portugali e deri në kryeqytetin italian në Romë, ai ka shërbyer edhe si përfaqësues politik në Pragë si dhe zëvendës konsull i SHBA-ve në Moskë të Rusisë, SHBA-të dhe Kosova kanë shpresa të mëdha për suksesin e tij edhe në këtë mision. Kjo për vet faktin se z.Gabriel Escobar është një nga diplomatët më të shquar të karrierës që ka aktualisht Departamenti amerikan i Shtetit, i shpërblyer mese 9 herë nga DASH, gjashtë herë me Çmimin e Lartë të Nderit, një herë me atë për Merita Diplomatike, Çmimin për Shërbimin Civil si dhe Çmimin për Shërbim Ushtarak, një diplomat i cili njeh mirë gjuhën dhe mentalitetin e udhëheqësve serb në gjithë ish federatën Jugosllave, pra është përfaqësuesi më adekuat aktualisht për gjetjen e zgjidhjes së çështjeve të mbetura pezull ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar analisti.

Tutje, Qarri shprehet se emërimi i tij flet shumë për SHBA-të të cilat janë të përkushtuara ndaj shtetit të Kosovës, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.

“Andaj vet emërimi i tij si përfaqësues special i SHBA-ve, flet më së miri se sa shumë janë të përkushtuara SHBA-të për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës, përfundimin me sukses të bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për avancimin e pozitave të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin e saj në të gjithë organizmat e OKB-së. Kështu që edhe emërimin e një përfaqësuesi kaq të shquar dhe të mirënjohur amerikan, si njëri nga diplomatët më të zot e njohësi më i mirë i çështjeve në ish Jugosllavi dhe Ballkan, si z.Gabriel Escobar që kanë SHBA-të në Departamentin e Jashtëm, në vend të z.Mathew Palmer, nuk e shohë si rastësi, por një përzgjedhje të shquar e të studiuar mjaft mirë nga DASH, me porosi të vet presidentit Joe Biden, i cili qysh në fushatën parazgjedhore ka paralajmëruar përkushtim dhe kujdes të veçantë për shqiptarët kudo dhe shtetin e Kosovës në veçanti”, ka theksuar Gani Qarri për “Bota sot”.

Ai sheh shpresa te ky diplomat, derisa thotë se jo vetëm që do ta shtyjë përpara procesin e dialogut, por ai është emri më premtues për sukses dhe arritjen e një marrëveshje të kënaqshme përfundimtare me Serbinë.

“Dhe i dërguari special i SHBA-ve, Diplomati Gabriel Escobar si njohës i mirë i çështjeve në Ballkan dhe ish Jugosllavi, jo vetëm që do ta shtyjë përpara procesin e dialogut, por ai është emri më premtues për sukses dhe arritjen e një marrëveshje të kënaqshme përfundimtare me Serbinë, e cila ashtu siç ka porositur vet Presidenti Biden edhe në letrat e tij të më hershme, duhet të përfundoj me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, duke ruajtur integritetin territorial të shtetit tonë të pavarur, kufijtë e vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe të garantojë anëtarësimi e Kosovës në NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

Ahmeti: Në agjendën amerikane dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndër çështjet me prioritet

Kurse, analisti politik, Hidajet Ahmeti, ka thënë se strategjia amerikane është proces i vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor.

“Gjykoj se strategjia amerikane nuk ndryshon, pasi është një proces i vazhdueshëm i politikës amerikane për Ballkanin Perëndimor. Individët që emërohen nuk do të përfaqësojnë bindjet subjektive, por veprojnë paralel me strategjinë e ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Sipas tij, dialogu në agjendën amerikane është i pashmangshëm.

“Dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm në agjendën amerikane dhe do të mbetet ndër çështjet më me prioritet, por ka shumë rëndësi qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat