“Gjuetia e peshqve të mëdhenj”/ Pas Ramush Haradinajt kërkohet të hetohen këta persona - ja lidhjet e tyre me Prokurorinë Speciale

Politika

“Gjuetia e peshqve të mëdhenj”/ Pas Ramush Haradinajt kërkohet të hetohen këta persona - ja lidhjet e tyre me Prokurorinë Speciale

Nga: A.Morina Më: 3 shtator 2021 Në ora: 23:01
Ramush Haradinaj

Kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ditët e fundit iu ka zbuluar një keqpërdorim prej 43 milionë euro gjatë qeverisjes së tij.

Këtë e bëri të ditur, ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një konference për media.

E lidhur me këto keqpërdorime ka reaguar edhe Haradinaj, që i cili më shumë ka hedhur akuza ndaj qeverisë Kurti dhe ministrit Murati, se sa që i mohoi akuzat ndaj tij.

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar skandalin e Qeverisë Haradinaj për keqpërdorimin e 43 milionë eurove, të cilin e ka zbuluar ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai u shpreh se pas dy dekadave ku gjyqësia dhe prokuroria kanë bashkëjetuar me krimin e organizuar, është koha që të fillojë gjuetia kundër peshqve të mëdhenj. Derisa, analisti e mbështeti ministrin Murati dhe argumentet e tij.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“Fakti se gjyqësia dhe prokuroria e kapur e shtetit të Kosovës, për dy dekada me radhë kanë koketuar ngushtë dhe bashkëjetuar në paqe e harmoni me krimin e organizuar, dëshmon se është koha e fundit që të nisë gjuetia edhe kundër peshqve të mëdhenj e të hetohen të gjithë personat përgjegjës dhe aktorët e këtyre akteve makabër kundërligjore, të cilët në vazhdimësi janë akuzuar për korrupsion, vjedhje masive, keqpërdorime të pozitave e parave publike, si dhe zhvatje e krim të organizuar në vend.

Madje këtë e vërtetoi vetëm pak ditë më parë edhe vet Ministri i Financave Hekuran Murati, i cili paraqiti publikisht me argumente të bazuara abuzimet e pështira të ndodhura gjatë qeverisjes së PAN-it, në krye me Ramush Haradinaj-n”, deklaroi Qarri.

Ndërsa, mënyra e vetme sipas tij, për t’i dhënë fund aferave puro kriminale është shkëputja urgjente e Prokurorisë Speciale me partitë e kriminalizuara dhe kthetrat e SHIK-ut ilegal.

“Ndaj për ti dhënë zgjidhje kësaj afere puro kriminale, pas dy dekadash kapjeje nga partitë dhe qeveritarët e kriminalizuar, gjyqësia dhe prokuroria vendore, e veçanërisht Prokuroria Speciale e cila ka edhe autorizime të veçanta ligjore, për hetimin e rasteve si këto, duhet të shkëputet urgjentisht nga lidhjet me partitë e kriminalizuara dhe kthetrat e SHIK-ut ilegal, e të nisë përfundimisht hetimin deri në detaje të secilit akt kundërligjor, të kryer gjatë qeverisjeve të kaluara me theks të veçantë, qeverisjen e koalicionit të pështirë- PAN, i cili apostrofohet edhe me akuzat e fundit për akte të rënda kundërligjore,ndaj paras publike dhe buxhetit të shtetit”, theksoi analisti.

Në vazhdim, Qarri e vlerësoi edhe kallëzimin penal të ministrit Murati kundër ish-qeverisë së koalicionit PAN.

Gjithashtu, ai paralajmëroi se pritet të dalin në pah edhe një mal me keqpërdorime tjera, të tilla dhe të ngjashme, për të cilat qeveritë e kaluara janë akuzuar në vijimësi.

“Madje Ministri i Financave, z.Hekuran Murati, përveç faktit të njoftimit në mënyrë publike që gjatë auditimeve është zbuluar se gjatë Qeverisë Haradinaj, janë keqpërdorur 43 milionë euro, ai ka paraqitur edhe dokumente autentike të abuzimeve në fjalë, si dhe në bazë të tyre, ai personalisht ka bërë edhe një kallëzim penal në prokurorinë e shtetit, kundër ish qeverisë së koalicionit PAN, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Për më tepër pas publikimit të këtyre abuzimeve markante dhe ngritjes së kallëzimit penal, kundër keqpërdorimeve të publikuara nga ministri Hekuran Murati, gjatë shqyrtimit të padisë së ngritur dhe hetimet të cilat duhet të pasojnë për rastin në fjalë, pritet të dalin në pah edhe një mal me keqpërdorime tjera, të tilla dhe të ngjashme, për të cilat qeveritë e kaluara janë akuzuar në vijimësi për korrupsion, vjedhje industriale, zhvatje masive dhe keqpërdorime të hatashme të parave publike, në mbi 20 vitet e fundit”, nënvizoi njohësi i çështjeve politike.

Tutje, Qarri tha se përveç masave ligjore që duhet të ndërmerren ndaj Haradinajt, nuk duhet të mungojnë dënimet ndaj partive që kanë keqpërdorur dhe kanë zhvatur shtetin gjatë qeverisjes së tyre.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha e cila pagoi qindra mijëra euro të taksapaguesve të vendit, për lobim dhe jetësimin e ndarjes së Kosovës

“Kështu që përveç masave ligjore që duhet të ndërmerren urgjentisht kundër ish qeverisë Haradinaj, për abuzime të tilla, nuk guxojnë të mungojnë përballjet me ligjin as dënimet e merituara të partive dhe secilit person e figurë politike që ka keqpërdorur qeverisjen dhe pozitën shtetërore e partiake dhe për dy dekada me radhë, me aktet e tyre të hajnisë, zhvatjes e korrupsionit, si dhe të gjitha llojet dhe format e krimit të organizuar, quan gati para falimentimit shtetin tonë të brishtë, duke kërkuar së fundi në mënyrë publike edhe ndarjen e Kosovës.

Madje siç dihet nga mbarë opinioni kosovar, tanimë janë ngritur edhe padi konkrete penale, kundër ish ministrave të përveçëm si Dhurata Hoxha, për faktin se nga kjo e ashtuquajtur ministre për "Integrime Evropiane" në Qeverinë e PAN-it, të udhëhequr po nga Ramush Haradinaj, janë paguar në mënyrë ilegale edhe qindra mijëra euro të taksapaguesve të vendit, për lobim dhe jetësimin ndarjes së Kosovës”, potencoi ai.

Në fund, tha se këto keqpërdorime duhet të trajtohen sa më parë ligjërisht, pa marrë parasysh emrin, përkatësinë partiake dhe pozitën që kanë mbajtur dikur, apo edhe mbajnë aktualisht në Kosovë.

“Ndaj është koha e fundit që tanimë të nisë gjuetia edhe kundër peshqve të mëdhenj e të hetohen të gjithë personat përgjegjës dhe aktorët e këtyre akteve makabër kundërligjore, të cilët në vazhdimësi janë akuzuar për korrupsion, vjedhje masive, keqpërdorime të pozitave e parave publike, si dhe për krim të organizuar, të trajtohen sa më parë ligjërisht dhe të marrin më në fund dënimin e merituar, pa marrë parasysh emrin, përkatësinë partiake as pozitën që ka mbajtur dikur, apo edhe mbajnë aktualisht në Kosovë”, përmbylli Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat