Mbajtja e fushatës parazgjedhore thellon rrezikun nga CoVID-19

Politika

Mbajtja e fushatës parazgjedhore thellon rrezikun nga CoVID-19

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 5 shtator 2021 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditë më pare u ka bërë ftesë publike kryetarëve të tri partive politike, që të shkurtohet fushata për zgjedhjet lokale, nga 30 në 10 ditë. 

Duke iu drejtuar Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, Memli Krasniqit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku ka bërë thirrje që t’i kapërcejnë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor”. 

“Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, ka thënë Abdixhiku. 

“Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë”. 

Këtë kërkesë Abdixhiku thotë se po e bën për shkak të gjendjes së rënduar me COVID-19 në Kosovë. 

Lidhur me kërkesën e tij, ka pasur shumë reagime. 

“Të respektohen regullat e IKSHP-së” 

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka potencuar se shëndeti është mbi të gjitha, andaj edhe Abdixhiku, ka kërkuar shkurtimin e mbajtjes së fushatës. 

Ajo shtoi se, kandidatët duhet të respektojnë rregullat dhe të mos bëhen shkaktarë të përhapjes së Covid-19. 

“Ne vlerësojmë se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, andaj në këtë kontekst kryetari i LDK-së z. Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkurtimin e mbajtjes së fushatës elektorale në 10 ditë nga 30 ditë sa është e paraparë. Pas kësaj kërkese ne kemi parë vullnet edhe nga partitë tjera që të bëhet shkurtimi i përiudhes së fushatës elektorale. Subjektet politike dhe kandidatët për kryetarë komunash dhe ata për asamble komunale, duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara nga IKSHP, e të mos bëhen shkaktar të përhapjes së virusit Covid-19”, tha Krasniqi. 

“Qëllime politike” 

Kurse, analisti Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kërkesa e tilla si e Abdixhikut mund të jenë për qëllime politike, andaj edhe duhet të analizohet kjo çështje. 

Image
Hidajet Ahmeti

Ahmeti thekson se duhet të gjendjet një modus me dënimin më të vogël të mundshëm, sepse sipas tij, qytetarët duhet të vendosin në bazë të programit që përfaqëson partia me kandidatin. 

“Një çështje e tillë duhet të analizohet, pasi kërkesa të tilla mund të jenë për qellime politike. Jam i mendimit që të ketë një diskutim të mirëfilltë nga të gjitha partitë politike dhe të merret vendimi për çështjen në fjalë. Duhet të gjendet një modues me dëmin më të vogël të mundshëm, pasi zgjedhjet lokale janë njëherë në katër vite dhe qytetarët duhet të vendosin në bazë të programit që përfaqëson partia me kandidatin”, deklaroi Ahmeti. 

 “Të shtyhen zgjedhjet” 

Analisti Skënder Mulliqi, ka thënë se virusi Delta, ka marrë përmasa shqetësuese me numër të lartë vdekjesh, andaj në këtë kohë të zgjedhjeve duhet bërë elaborim se a duhet të shkurtohet data e fushatës, sepse momentalisht jeta e njerëzve është më me rëndësi. 

Image
Skënder Mulliqi

 “Kur Virusi Delta ka marë përmasa shqetësuese me numër të lartë të vdekjeve, sigurisht se ka rritur edhe shqetësimet e të gjithë neve. Zgjedhjet lokale po afrohen, dhe kur partitë garuese për pushtetin lokal, duhet të zhvillojnë fushatën zgjedhore apo jo. Pikërisht këtu edhe duhet bërë elaborimin se a duhet të shkurtohet data e fushtatës parazgjedhore, siç ka kërkuar i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku apo jo. Në parim, pa bërë me këtë rast fare fushatë zgjedhore, se Abdixhiku edhe këtë nuk e përjashton, duhet të gjithë të mendojmë nga dalja e situatës së rëndë të krijuar me pandeminë globale. Me rëndësi janë jetët e njerëzve momentalisht, se sa fushata zgjedhore e cila mund të shtyhet për një datë të më vonshme”, tha ai. 

Sipas Mulliqit, më e rëndësishme është të shtyhen zgjedhjet, se të shkurtohen në 10 ditë, sepse nëse nuk ka rënie të numrit të të prekurve nga virusi, të iu largohen kontakteve fizike, por nëse, ulet numri i të prekurve, atëherë mund të ketë tubime me maska dhe në largësi. 

“E unë mendoj se duhet të shtyhet kur të krijohen kushtet më të volitshme për mbajtjën e këtyre zgjedhjeve. Më rëndësi më duket së është shtyerja e zgjedhjeve se sa shkurtimi nga 30 ditë në 10 ditë siç ka kërkuar Abdixhiku. Nëse ndodhë që mos të kemi rënie të pandemisë, atëherë të mendohet në solucione tjera të fushatës, duke ju larguar kontakteve direkte fizike, siç janë tubimet masive, e që bënë edhe të bëhet fushatë pa to. Edhe nëse ulet grafikoni i të prekurëve nga virusi me marrjen masovike të vaksinës, atëhërë edhe mund të ketë tubime fizike me maska dhe në largësinë e paraparë nga ekspertët e mjekësisë. Mjaftë është bërë me lojëra politike midis pandemie pa asnjë përgjegjësi, të cilat na kanë kushtuar me jetë njerëzish”, shtoi ai. 

Ai më tej ka theksuar se praktiat e vjetra politike duhe lënë mbrapa përfundimisht, sepse vetëm i kanë shkaktuar dëme Kosovës. 

Mulliqi potencoi se parësore është menaxhimi i situates, sepse është në pyetje jeta e njerëzve, andaj edhe nëse shtyhen zgjedhjet lokale, sipas tij, nuk bëhet kiameti. 

“Nuk guxojmë të eksprimentojmë me data apo me spekulime të tjera të tipit të fushatave parazgjdhore për hirë të ardhjes në pushtet, kushdo që është në pyetje. Praktikat e vjetra qoroditëse vetëm për pushtet, duhet lënë përfundimisht mbrapa. Ato praktika i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës si brenda ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Garda e vjetër politike duhet të heq dorë nga kërkesa e ardhjes me çdo kusht në pushtet, duke e keqpërdorur situatën me pandeminë. Parësore po e them edhe një herë është menaxhimi i situatës nga virusi nga të gjithë akterët e jetës politike e profesionale, pa ndërskamca dhe lojëra të ulëta, se në pyetje janë jetët e njerëzve të këtij nënqielli. Zgjedhjet lokale edhe nëse shtyhen për ditë më të mira nuk bëhet kiameti, këtë duhet të mendoj mirë si pozita ashtu edhe opozita. Shëndeti është para pushteti”, ka përfunduar Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat