Shtyrja e zgjedhjeve, analistët tregojnë arsyet pse kjo nuk mund të ndodhë

Politika

Shtyrja e zgjedhjeve, analistët tregojnë arsyet pse kjo nuk mund të ndodhë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 shtator 2021 Në ora: 16:10
Ilustrim

Që kur kryeministri Kurti vendosi reciprocitetin ndaj Serbisë, gjëra filluan të tensionohen edhe më shumë mes dy vendeve.

Deklarata, kërcënime, provokime kemi parë shumë këto ditë në veri të Kosovës.

Kjo mënyrë vetëm se po vështirëson gjendjen, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo pavarësisht kësaj gjendje që po vazhdon të jetë, partitë politike në vend po mbesin në fushatat e tyre para zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Nga këto zgjedhje nuk na ndajnë tashmë as edhe një muaj mirëpo se kush mund të jetë fitues mbetët të shihet.

Por ajo se çfarë ka marrë vëmendjen këto ditë është situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve.

Kjo shtyrje e zgjedhjeve po mendohet si mundësi pasi është paralajmëruar edhe bojkotimi i tyre në veriun e vendit.

E çdo bojkotim i zgjedhjeve është në dëm të institucioneve të Kosovës.

Analistët në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, thonë se nëse vazhdon kjo situatë e tensionuar atëherë problem mund të shfaqet në komunat e veriut të Kosovës mirëpo që me mbikëqyrjen e KFOR-it mund të kalojë me lehtë ky proces i zgjedhjeve.

Qarri: Nëse vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës, një datë tjetër do të ishte e arsyeshme

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri në lidhje me këtë temë u shpreh se nëse nuk arrihet një marrëveshje për pranimin e targave të Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë nga faktori ndërkombëtar nevojitet të shqyrtohet edhe njëherë ky vendim.

Përndryshe, sipas tij nëse kjo gjendje vazhdon kështu një datë tjetër do të ishte më e preferuar.

“Duke pasur parasysh faktin se tashmë po hyjmë edhe në dhjetëditëshin e dytë të gjendjes së tensionuar në veri të vendit, më gjithë zvogëlimin masiv të numrit të protestuesve serb dhe zbehjen e aksioneve të orkestruara nga Serbia, të bllokadave edhe në Bërnjak e Jarinje, nëse kësaj të mërkure, nuk arrihet marrëveshja për pranimin e targave të Kosovës nga Serbia, me simbolet tona shtetërore "RKS" ashtu siç ishte paraparë dhe nënshkruar edhe nga vet përfaqësuesit serb në Bruksel, Qeveria e Kosovës duhet ta shqyrtojë edhe një herë situatën dhe marrë vendim parimor konform gjendjes, se si do të veprojë, pasi që ka mundësi, të pengohet pjesëmarrja e pakicës serbe, nga Vuçiqi, bandat kriminale në shërbim të tij dhe strukturat e shërbimit të fshehtë të Serbisë edhe në zgjedhje. Përndryshe nëse situata në veri, vijon të mbetet e tensionuar edhe pas të mërkurës dhe lansohen edhe kërcënime tjera publike nga Vuçiqi, pasi që megjithatë fushatat për zgjedhjet e 17 tetorit po vazhdojnë nga partitë politike, në marrëveshje me vendet mike dhe OSBE, mund të caktohet edhe një datë tjetër, në vendet ku mund të pengohet mbajtja me sukses e zgjedhjeve, por kjo nuk do të ishte e këndshme, për të mos thënë edhe e papranueshme, si alternativë dhe do ta vinte në pozitë të vështirë qeverinë dhe shtetin e Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë se Vuçiq po nxit tensione dhe po synon të ndajë Kosovën në mënyrë që të komplikojë edhe situatën e zgjedhjeve dhe qeverinë e vendit.

“Por duke pasur parasysh faktin se ka filluar të bjerë intensiteti i bllokadave të orkestruara nga Vuçiqi, me bandat serbe edhe në pikat kufitare në Brënjak e Jarinje, pasi që edhe ata vet janë të vetëdijshëm se këtë të merkur në takimin ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, tabelat shtetërore të Kosovës, pritet të miratohen edhe nga vet Serbia, do duhej që zgjedhjet të zhvillohen normalisht edhe në veri. Në anën tjetër, nëse krimineli Vuçiq dhe shërbimi i fshehtë serb, nxitë bandat kriminale të krijojnë tensione të reja në veri, me premtimin se në këtë mënyrë, do ta detyrojnë Kosovën dhe BE-në, për imponimin e asociacionit një etnik serb sipas marrëveshjeve të paligjshme e kundër kushtetuese të nënshkruara nga kuislingu Hahim Thaçi dhe renegati jugokomunist Isa Mustafa, me të cilin Serbia synon bosnjëzimin e Kosovës, si hap paraprak për ndarjen përfundimtare të shtetit tonë, kjo do ta komplikonte situatën e zgjedhjeve, ndaj Qeveria e vendit, duhet të mendojë për hapa të arsyeshëm alternativ”, theksoi analisti.

Tutje, analisti shprehet se insistimi i kriminelit Vuçiq për krijimin e asociacionit një etnik serb, do të binte ndesh edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila marrëveshjen e kundërligjshme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës e ka shpallur të pavlefshme

Në fund, ai thotë se në këto kushte që gjendemi procesi zgjedhor mund të has në pengesa të mëdha.

“Madje duke pasur parasysh faktin se ku janë të përqendruara interesat e Serbisë okupatore, nëse nën presionin e BE-së dhe SHBA-ve, Serbia nuk heq dorë nga Bosnjëzimi i Kosovës dhe nuk vazhdon të përzihet në punët e brendshme dhe rregullimin shtetëror të vendit tonë, deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Serbi, Vuçiq do të përpiqet ta mbaj gjendjen e nderë, sidomos në veri të vendit tonë. Për aq më tepër insistimi i kriminelit Vuçiq për krijimin e asociacionit një etnik serb, do të binte ndesh edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila marrëveshjen e kundërligjshme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës e ka shpallur të pavlefshme dhe kundër kushtetuese për shkak se ato qojnë në ndarjen përfundimtare të vendit, ndaj nëse në veri nga Vuçiq dhe argatët e tij si bandat kriminale serbe atje, nuk lejohet shtensionimi i situatës, për momentin është e paparashikueshme se çfarë procesi zgjedhor mund të zhvillohet nën këto kushte, ku pengesat aktuale, të ngritura artificialisht nga Serbia, mund të rriten edhe më tepër, ndaj Kosova duhet ta ketë të gatshëm edhe planin “B” që është i domosdoshëm për gjendje të tilla”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Komunat në veri të Kosovës do të mbikëqyren nga KFOR-i

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se nuk duhet të shtyhen zgjedhjet pasi kjo është atë të cilën po e kërkon Vuçiqi.

“Nuk besoj se duhet shtyhen zgjedhjet për shkak të situatës në Veri, tek e fundit ky edhe është qëllimi i Serbisë, të destabilizojë jetën politike në vendin tonë. Ndërsa në komunat në veri, bashkë me KFOR-in dhe akterët tjerë atje duhet të organizohen zgjedhjet”, thotë ai.

Ndër të tjera, analisti thotë se nuk duhet t’i devijojë proceset e saj e të bie pre e provokimeve të Vuçiqit.

“Kështu, duke i rrëzuar përpjekjet e Vuçiqit për të nxjerr nga binarët situatën e përgjithshme në vend. Gjykoj se Kosova s’duhet të devijojë proceset e saja të përgjithshme, provokimet e Vuçiqit s’duhet të zënë vend në Republikën e Kosovës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat