Vjen ‘goditja’ e rëndë për PDK-në: Kështu i ka mësuar Hashimi

Politika

Vjen ‘goditja’ e rëndë për PDK-në: Kështu i ka mësuar Hashimi

Nga: P.R Më: 21 tetor 2021 Në ora: 21:46
Sami Lushtaku, Memli Krasniqi

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë, sot mori vendim për të anuluar procesin zgjedhor për kryetar të Hanit të Elezit.

Sipas vendimit të PZAP-së, kandidati i pavarur, Rufki Suma është ankuar se simpatizantët e PDK-së  kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.

“Më datë 18.10.2021, PZAP-i, ka pranuar ankesë nga kandidati i pavarur Rufki Suma, i cili pretendon se gjatë netëve të fundit të zgjedhjeve lokale në Komunë e Hanit të Elezit simpatizantët e PDK-së, kanë bërë presion mbi qytetarët ku çdo qytetarë e kanë përcjellë me veturë dhe i kanë bërë ultimatum që të mos futen nëpër shtëpi, pra po ashtu dyshojmë se janë shpërndarë mjete për blerje të votave. Parashtruesi i ankesës thekson se e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës por të njëjtit nuk kanë dalë për t’i shpërndarë turmën e njerëzve”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

E PDK e ka kundërshtuar këtë vendim, duke parlajmëruar se do të ankohen në Gjykatën Supreme.

“Jemi të habitur me këtë qasje dhe vlerësim komplet të paargumentuar. Ne mendojmë se nuk ka pasur fakte as edhe indicie për të ardhur te një mendim i tillë në komunën e Hanit të Elezit. Aty zgjedhjet kanë qenë shumë të mira, korrekte dhe duke respektuar të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe tona. Asnjë ankesë tjetër nuk kemi dëgjuar dhe nuk na është thënë, jo vetëm neve se ka pasur parregullsi, as nga vëzhguesit ndërkombëtarë, OJQ-të dhe mediat. Jemi të çuditur me vendimin e PZAP-it, pasi që ai e anashkalon vullnetin e qytetarëve të Hanit të Elezit… Për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Hanit të Elezit ne do të ankohemi në Gjykatën Supreme”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Por analisti politik, Faton Mehmeti po bën thirrje që në çdo komunë ku PDK ka fituar të shkojë në rivotim.

“PDK është po e njëjta, ajo s’ka ndryshuar dhe s’mund të ndryshojë derisa ka po të njëjtët akterë në nivelin qëndror dhe lokal. Rasti i Hanit të Elezit është dëshmi se PDK s’mund të mbijetojë pa vjedhje që është në ADN-në e saj. Në secilën komunë ku ka fituar PDK, duhet të shpallën të pavlefshme dhe të kërkohet rinumërim, sidomos në Skenderaj”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas Mehmetit, hajnia dhe vjedhja është në ADN-në e PDK-së.

“Nuk më habit fare PDK  me veprimet e saja. PDK jo vetëm që vjedh vota tek të tjerët por edhe brenda listës së saj, kështu janë edukuar nga Hashimi. Kur e kanë parë që s’po fitojnë me meritë i janë kthyer metodave të vjetra. Në këtë kuptim ka të drejtë PZAP që të kthejë në rivotim të gjitha qendrat e votimit ku PDK ka fituar, pasi aty dihet se ka fituar me dallavere, përveç Ferizajt”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

Kujtojmë se në zgjedhjet e së dieles, Mehmet Balazhi i PDK-së doli fitues me 50.98% të votave të përgjithshme. I dyti doli kandidati i pavarur, Rufki Suma me 42.47% të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat