Dorëheqja e papritur e Zaevit/Analistët tregojnë skenarin që po përgatitet dhe ndikimin në “Ballkanin e Hapur”

Politika

Dorëheqja e papritur e Zaevit/Analistët tregojnë skenarin që po përgatitet dhe ndikimin në “Ballkanin e Hapur”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 nëntor 2021 Në ora: 08:42
Aleksandër Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Të dielën që lamë pas, në Maqedoni është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Përveç dinamikës se kush ka fituar në këto zgjedhje, ajo se çfarë ishte e papritur në këtë ditë, Zoran Zaev dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë.

Ai këtë e bëri në një konferencë për media në Shkup, ku uroi kundërshtarët politikë për fitoren në zgjedhjet komunale, përcjell “Bota sot”.

Partia e Zaev nuk shënoi rezultate të mira në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale në Maqedoninë e Veriut.

"Unë marr përgjegjësinë për këto zhvillime dhe jap dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë," tha Zaev, socialdemokratët e të cilit drejtojnë koalicionin qeverisës.

Por pas dorëheqjes së Zaevit, ajo që mori vëmendjen e debateve ishte “Ballkani i Hapur”, pjesë e të cilit ishte edhe Zaev, me Vuçiqin dhe Ramën.

Mirëpo pavarësisht dorëheqjes së Zaevit, kjo iniciativë si duket nuk do të ketë pengesa, pasi gjatë datës 3 dhe 4 nëntor, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të zhvillojnë takimin e radhës, të iniciativës “Ballkani i Hapur” në Beograd.

Kujtojmë që “Ballkani i Hapur” sipas kryeministrit Kurti mbetet i dëmshëm për Kosovën.

Analistët politikë për “Bota sot”, në lidhje me këtë temë, shprehen se dorëheqja e Zaevit mund të dobësojë “Ballkanin e Hapur”, mirëpo nëse vazhdon të jetë qeveria e LSDM-së, atëherë shumë pak ka gjasa të merr kahje tjetër kjo iniciativë.

Ahmeti: “Ballkani i Hapur”, iniciativë përtej realitetit

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti, i cili u shpreh se “Ballkani i Hapur”, është projekt përtej realitetit.

Sipas tij, fuqia e kësaj iniciative duhet të zbehet.

“Ballkani i hapur” është një projekt artificial dhe përtej realitetit e që i ka kontribuar edhe Zoran Zaev. Mendoj se është e natyrshme që të zbehët roli dhe fuqia e këtij projekti”, u shpreh analisti.

Ai më tej shton se ky projekt ka ndikuar negativisht në shtetet anëtare të këtij projekti për politikën e jashtme.

“Ky projekt ka ndikuar keq në rrjedhën e shteteve anëtare të këtij projekti në rrugëtimin e politikës së jashtme”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Peçani: Dorëheqja e Zaevit vjen si mesazh për BE-në

Image
Ruzhdi Peçani

Ndërsa, analisti tjetër politik, Ruzhdi Peçani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet i befasuar nga kjo dorëheqje, duke thënë se nuk ka qenë momenti i dorëheqjes dhe se nuk është konsultuar as me partnerët e koalicionit para se ta bënte publike.

“Qëndron paksa e habitshme që kryeministri të jap dorëheqje, për shkak të humbjes në zgjedhjet në nivelin lokal, në rrethanat e gjendura të vendit me pandeminë dhe gjendjen jo të mirë të ekonomisë nuk është kohë dhe moment i dorëheqjes. Nuk kemi në dijeni se Zaev a është konsultuar me partnerët e koalicionit para se ta bënte publike. Si kryeministër nuk do duhej të jepte dorëheqjen po nuk ekziston një dakordësi me partnerët e koalicionit, cilët do jenë hapat e mëtejmë dhe kush do trashëgojë vendin e kryeministrit?”, tha analisti.

Më tej, ai shton se dorëheqja e Zaevit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe kjo lë për të dëshiruar që vjen nga dëshpërimi i partisë së tij.

Por sipas analistit, kjo dorëheqje ka ardhur edhe si mesazh për BE-në.

“Dorëheqja e Kryeministrit Zaev, akoma e pakonfirmuar zyrtarisht, më shumë ngjan të ketë ardhur nga dëshpërimi i funksionimit të partisë së tij, mungesa e avancimit në eurointegrimet po edhe të funksionimit të njërit nga partnerët e koalicionit. Kjo dorëheqje mund të shihet edhe si një blof brenda RMV, po edhe si një mesazh BE, me që kishte edhe reagime nga mediet evropiane si ato gjermane që këtë ia hedhin edhe BE, po edhe nga eurodeputetët”, thotë Peçani.

Nga ana tjetër ai thotë se me rënien e kësaj qeverie, Maqedoni po përfshihet nga ethet e jostabilitetit që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor.

“Duket se me rënien e kësaj qeverie në Shkup edhe Maqedoninë e Veriut po futet nën ethet e jostabilitetit që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor, me Bosnjë Hercegovinën që është në prag lufte, Malin e Zi dhe Kosovën”, potencoi analisti.

“Ballkani i Hapur” nuk do të ndryshojë

Peçani thotë se vendi do përballet me sfidat e shumta, me të cilat duhet të përballet vendi gjatë periudhës në vazhdim, për këtë arsye partnerët e koalicionit nuk e mbështesin dorëheqjen e Zaevit.

“Partnerët e koalicionit nuk mbështesin dorëheqjen e Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, njëherësh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Të vetëdijshëm se vendi do përballet me sfidat e shumta, me të cilat duhet të përballet vendi gjatë periudhës në vazhdim, siç është përmbyllja e çështjes me Bullgarinë, kriza energjetike, kriza e pandemisë nga një valë e re eventuale e COVID-19”, theksoi ai.

Në fund, analisti thotë se iniciativa “Ballkani i Hapur”, nëse vazhdon të jetë në qeveri LSDM e Zaevit, kjo iniciativë nuk do të ndryshojë mirëpo nëse gjërat ndryshojnë atëherë mund të ndryshojë edhe kjo iniciativë.

“Me një qeveri të re, po të jetë e bërë nga LSDM e Zoran Zaev qëndrimi, për “Ballkanin e Hapur” nuk do ndryshoj. Po të vije partia e djathtë radikale nacionaliste VMRO-DPMNE, gjërat mund të ndryshojnë. Kjo mbetet të shihet”, përfundoi Peçani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat