“Jo me fajin e Kurtit”/ Fusnota nuk doli të jetë flluskë sapuni, vjen thirrja për opozitën

Politika

“Jo me fajin e Kurtit”/ Fusnota nuk doli të jetë flluskë sapuni, vjen thirrja për opozitën

Nga: A.SH Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 14:50
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë ishte pjesë e mbledhjen për Stabilizim-Asociim që u zhvillua në Bruksel.

Në atë mbledhje, Kosova është paraqitur me fusnotë.

Për këtë kryeministri Alin Kurti mori kritika nga opozita.

Analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se për momentin Kosova ka një opozitë inatçore sepse janë ata të cilët i kanë bërë vetë gabimet e tash kinse po ja faturojnë Kurtit.

“Një opozitë kaq inatçore është zor njeriu me pa. Të gjitha gabimet të cilat i kanë bërë vet, apo përfaqësuesit e tyre në pushtet në të kaluarën, tash gjoja po ia faturojnë kryeministrit, Albin Kurti. Rrugën që e kanë trasuar në bisedimet me Serbinë, së pari nga Grupi i Unitetit, ku nuk ishte LVV dhe as Albin Kurti, për ta vazhduar këtë rrugëtim politik në bisedime nga, Thaçi dhe Mustafa, të cilët firmosen marrëveshje të dëmshme për Kosovën”, thotë ai.

Sipas Mulliqit, e gjitha kjo është vepër e Edita Tahirit, që tash nuk na doli të jetë flluskë sapuni.

“Rasti i fundit të takimit që u mbajt në kuadër të Stabilizim Asociimit, ku Kurti përfaqësoi Kosovën me fusnotë, është vepër e Edita Tahirit e nënshkruar në vitin 2012, e jo e Kurtit. Kjo marrëveshje nuk doli flluskë sapuni në përfaqësimet rajonal të Kosovës siç shprehej Tahiri. Thuhet se ky përcaktim politik erdhi pa paragjykime për qëndrimet mbi statusin, në përputhje me rezolutën e tejkaluar 1244, dhe në bazë të opinionit që kishte dhënë GJND-ja për shpalljen e pavarësisë të Kosovës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje për heqje të stemës të republikës dhe zëvendësimi saj me shenjë, siç është fusnota ishte gabim i rëndë. U bë se gjoja ende nuk na kanë pranuar pesë shtetet e BE-së, për të vazhduar ekzistimi i saj deri sa këto shtete të pranojnë pavarësinë e Kosovës, e dihet se asnjëra prej tyre shteteve ende nuk na kanë pranuar”, deklaron tutje analisti.

Ai më tej shton, se garnitura e vjetër pushtetare ka punuar shumë pak në planin e jashtëm që pesë shtetet e BE-së ta pranojnë pavarësinë.

Ai thotë se qasja e Serbisë ka qenë gjithmonë agresive ndaj Kosovës madje deri te destabilizimi.

“Fusnota nuk e avansojë dialogun siç kishte deklaruar zonja Tahiri, dhe as Kosova që është inkuadruar në ndonjë strukturë shumë të rëndësishme të Evropës. Fusnota ka dalë nga çështja e dialogut që dikush e lidh me Serbinë, e Serbia dihet se nuk është anëtare e BE-së, dhe nuk ka mundur ta pengojë Kosovën Garnitura e vjetër pushtetare shumë pak punojë në planin e jashtëm që pesë shtetet e BE-së ta pranojnë pavarësinë. Qe shumë kohë nuk kemi pasur asnjë pranim të ri, madje na kanë ndodhur çnjohe me lobimin e Serbisë. Dhe, kur jemi këtu fajtor na qenka Albin Kurti sipas tyre. Nga kjo distancë kohore shihet se kjo marrëveshje ishte e dhembshme siç ishin edhe marrëveshjet për Demarkacionin me Mal të Zi, dhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Vetëm neve mund të na ndodhë që me vetëdije të heqim dorë nga subjektiviteti ynë shtetëror”, thotë Mulliqi. Ai rikujtoi se agresiviteti i Serbisë ka vazhduar gjithë kohën edhe pse Kosova është përfaqësuar në takimet rajonale me fusnotë. “Qasja e Serbisë ka qenë agresive ndaj Kosovës deri në destabilizim, edhe përkundër koncesioneve politike që i bëri pala e Kosovës në bisedime. Tash vërtetë kur këto marrëveshje kanë marrë karakter ndërkombëtar, na kanë pru edhe para aktit të kryer, jo me fajin e Kurtit që i ka kundërshtuar të gjitha. Kjo opozitë mirë do të ishte të pranojë gabimet dhe lëshimet politike që i kanë bërë ndaj Serbinë me vetëdije apo pa vetëdije. Është koha e unitetit politik, që gabimet të përmirësohen edhe pse nuk do të jetë lehtë, dhe mos të lejohen gabime tjera, aty ku askush nuk mund të lirohet nga përgjegjësia, si është tema e Asociacionit”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat