Naim Miftari i reagon Kujtim Munishit

Politika

Naim Miftari i reagon Kujtim Munishit

Nga: N. Sh. Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 17:11
Naim Miftari

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari kërkon që në Kosovë, Prokuroria e Policia të parandalojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe jo vetëm të luftojnë atë duke ndjekur kryesit e veprave pas aktit të ndodhur.

Miftari, kështu shprehet duke kundërshtuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishit, i cili ka deklaruar se në bazë të ligjit Prokuroria e ka për detyrë vetëm ndjekjen e kryesve të veprave penale, por jo edhe parandalimin e tyre.

E këtë Miftari e quan si papërgjegjësi totale, pasi shton se prokurori e ka për detyre të parandalon realizimin e një veprimi kriminal dhe penal.

Ai këtë e quan deklaratë thjeshtë fëmijërore.

“Kjo i bie që tani edhe nëse Policia, AKI-ja ose vet Prokuroria po merrka një informatë se një grup i terroristëve, ose një grup tjetër kriminal po planifikuaka aksion për vrasjen e dikujt, ose të shumë personave, sipas këtij prokurorit masat e ndërhyrjes dhe veprimit do të vijnë tek pasi të vriten njerëzit nga terroristët, ose nga ndonjë grup kriminelësh”, thotë Miftari.

Sipas tij, Prokurori nuk duhet të pres të kryhet krimi e pastaj të i ndjek kryesit e veprave kriminale apo vrasjeve që t’i dënon, por duhet edhe parandalim i tyre.

“Kjo logjikë e sjelljes dhe mendimit, aq më shumë e veprimit, është gabim”, shton ai.

“Sukses i organeve të ndjekjes dhe hetuesisë është kur arrin për t’i parandaluar rastet e tilla, sesa me pritë që ata ta kryejnë veprën, cilido nivel i aktit penal a kriminal të jetë ai, dhe pastaj për t’i kapur dhe për t’i dënuar për pasojat që i kanë shkaktuar”, shprehet Miftari.

Sipas tij, kjo ngjanë shumë nga ajo thënia e mjekut se ‘më mirë është me u ruajt e mos me u sëmurë, sesa me u shërua nga sëmundja’.

“Vetëm le ta marrim shembull vrasjen e disa grave në Kosovë, të cilat kanë dhënë informacionet paraprake për kërcënimin, por askush nuk ka ndërmarr masat e duhura për ta parandaluar krimin. Me u pas marrë prokuroria, gjykatat dhe policia që në fillim me problemin e kërcënimit nuk kishte ardhur fare deri te vrasje e disa grave që kishin kërkuar ndihmë para se të ndodhnin vrasjet”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat