Loja serbe/ Krasniqi: Natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohen

Politika

Loja serbe/ Krasniqi: Natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohen

Nga: A.M. Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 15:45
Aleksandër Vuçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sa ishte në Shqipëri i ka ftuar shqiptarët që të vizitojnë Serbinë dhe të shohin atë si shtëpi të dytë.

“Dua t’ju mirëpresim në Serbi, që Serbinë ta shihni si shtëpinë tuaj të dytë, sepse edhe ne duam që të ndjehemi të tillë kur vijmë në Shqipëri, apo edhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo në mënyrë që të mos ketë më kufij për kompanitë tona. E pamë se sa të kënaqur ishin ata gjatë kësaj iniciative të nisur”, ka deklaruar presidenti serb.

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Vuçiqit janë politike.

“Presidenti serb ka interes politik, po ashtu edhe ekonomik dhe pa harruar të cekim se deklaratat e tij janë vetëm politike, edhe pse Serbia ka interes që shqiptarët ta vizitojnë Serbinë pasi që i japin një frymë pozitive bizneseve dhe tregut të Serbisë duke u shërbyer apo blerë gjera që ju pëlqejnë, e që kjo ka një interes të madh për Serbinë”, ka nënvizuar ai.

Më tej, Krasniqi është shprehur se politika serbe po e luan një lojë të viktimës ku natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohet.

“Ata janë të interesuar që ta fuqizojnë këtë marrëveshjen e hapur nga e cila ne nuk kemi interes dhe nuk përfitojmë asgjë, e që Serbia mund të marrë poena në rrugëtimin e saj drejt BE-së, sepse kjo konsiderohet edhe si një lojë pajtimi, mirëpo Serbia apo politika atje luajnë një lojë të viktimës ku natën e kryen krimin dhe ditën viktimizohet”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Krasniqi ka përmendur edhe trajtimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore nga pushteti serb.

“Marrëveshja për Ballkanin e Hapur apo siç po quhet Open Ballkan, i mundësoi Serbisë që qëllimet e saj ekonomiko tregtare të arrijë përmes Republikës së Kosovës, duke u liruar nga çdo taksë apo obligim që ka ndaj një vendi tjetër. Ne e dimë së çfarë respekti ka presidenti serb për popullin shqiptar, kur në Kosovën Lindore çdo ditë fshihen adresat e qytetarëve shqiptarë që nuk janë aty, akoma nuk i lejojnë t’i përdorin simbolet kombëtare, atëherë ku është ai”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat