Eksperti i sigurisë: Kjo është mënyra më e mirë për uljen e rasteve grabitjeve që po përfundojnë me vrasje

Politika

Eksperti i sigurisë: Kjo është mënyra më e mirë për uljen e rasteve grabitjeve që po përfundojnë me vrasje

Nga: A.SH Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 14:41
Ilustrim

Në Kosovë në vitin 2021 kanë ndodhur disa ngjarje të ndryshme të grabitjes, nën kërcënimin me armë nga njerëz të maskuar.

Ajo çfarë është më e keqja nga e gjithë kjo është se keqbërësit po shkojnë deri në vrasje të personave të pafajshëm.

Lidhur me këtë, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), ka thënë se ulja e kësaj dukurie duhet të bëhet me plan operativ efektiv policor, duke qenë patrullat më të shpeshta, sidomos natën, por nga njësitë e specializuara.

“Kjo dukuri ka kohë që është prezente në shkallë të lartë në vendin tonë, mëgjithëse kohën e fundit ka rënie. Sigurisht që kjo dukuri nuk ka për t’u zhdukur deri në zero raste, sikurse ekziston në çdo vend, mirëpo qëllimi është me ra niveli i lartë, deri në minimum. E kjo bëhet sigurisht me plan operativ efektiv policor, duke qenë patrullat më të shpeshta, sidomos natën por nga njësitë e specializuara, duke qenë të kombinuara civile si dhe ato të dukshme, me theks të veçantë ato të reagimit të shpejt, e që reflektojnë forcën”, deklaron Halimi.

Tutje shton se, rëndësi duhet të ketë edhe sektori privat sepse paralelisht me policinë e shtetit janë në ballafaqim me grabitësit, andaj për këtë duhet të futet në fuqi sa më shpejt ndryshimi i ligjit që rregullon sektorin e sigurisë private.

Image
Armend Halimi

“Por, në këtë drejtim nuk duhet lënë anash as rëndësinë e sektorit privat të sigurisë, ngase paralelisht me policinë e shtetit janë të parët në ballafaqim me grabitësit. Duke qenë se grabitësit janë grupe të rrezikshme për faktin se çdo grabitje kryhet me armë të rrezikshme, duhet të futet në fuqi sa më shpejt ndryshimi i ligjit që rregullon sektorin e sigurisë private, ku ky i fundit u mundëson posedimin e armëve edhe patrullave dhe rojeve, ku posedimi i tyre përveç se siguron më tepër vet sigurimin, luan edhe rol të madh në parandalimin e kësaj dukurie”, shpjegon ai.

Në fund, potencon se në këto raste duhet të vijë në shprehje parimi i njohur në drejtësi 'mbrojtja e nevojshme', duke shtuar se edhe bashkëpunimi qytetarë-policë është më se e nevojshme.

“Njëherit, po ashtu duhet lejuar bizneset në armëmbajtje me leje, sigurisht me trajnime të veçantë për përdorim armësh, e që në çdo rast ballafaqimi me grabitësit, qoftë edhe deri eliminimi fizik i këtyre të fundit, do të vinte në shprehje parimi i njohur në drejtësi 'mbrojtja e nevojshme'. Mirëpo, në krejt këtë qasje, bashkëpunimi qytetarë-policë është më se e nevojshme, duke promovuar këtë me anë të fushatave televizive, se raportimi i akteve kriminale përveç se është obligim ligjor është edhe akt moral”, përfundon Armend Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat