“Askush të mos ketë frikë”/Vjen paralajmërimi nga Tomë Gashi, ja me kë do të merret Ligji për Konfiskim të Pasurisë

Politika

“Askush të mos ketë frikë”/Vjen paralajmërimi nga Tomë Gashi, ja me kë do të merret Ligji për Konfiskim të Pasurisë

Nga: G.B. Më: 4 janar 2022 Në ora: 12:35
Tomë Gashi

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës e ka aprovuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Qëllimi i këtij ligji është rregullimi, organizimi, kompetencat dhe procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se kjo byro do të jetë institucion i pavarur, i cili do të themelohet e do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, rregullimi i brendshëm i kësaj byroje që do t’ua verifikojë pasurinë personave zyrtarë, familjarëve të tyre, personave të ekspozuar politikisht dhe palëve të treta, do të dihet më vonë, pasi ligji të hyjë në fuqi.

Pasuria e zyrtarëve mund të hetohet nga 17 shkurti i 2008-ës, si dhe deri në 10 vjet mbrapa kohës që një zyrtar ka lënë postin e tij, gjithnjë duke i paraqitur faktet se duhet të konfiskohet pasuria që nuk është arsyetuar dot pranë gjykatës, ndërsa që shuma e pasurisë, e cila bën që zyrtarët publikë të kenë punë me këtë byro është 25 mijë euro e më shumë.

Ajo pasuri që nuk arsyetohet do t’i kthehet shtetit.

Lidhur me këtë byro ka folur për gazetën “Bota sot” avokati Tomë Gashi.

Ai ka thënë se ligji nuk ka të bëjë me ata që janë pasuruar me punë të ndershme e kanë paguar taksa e që kanë trashëguar pasuri por me ata që e kanë vjedhur shtetin.

Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk ka të bëjë fare me ata që janë pasuruar kurdoherë, qoftë nga paslufta ose çfarëdo kohe. Nuk ka të bëjë fare me ata që me punë të ndershme, e duke i paguar taksa shtetit të Kosovës sepse pasurimi i atyre që punojnë është më se normal. Nuk ka të bëjë fare me ata të cilët kanë trashëguar pasuri, sepse edhe kjo është një e drejtë elementare e cila nuk i mohohet askujt në shtetin tonë. Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar ka të bëjë me ata të cilët thënë në gjuhën e popullit, e kanë vjedhur shtetin e vet, e kanë vjedhur Kosovën duke mbajtur pozita politike dhe udhëheqëse dhe që ata nuk mund ta justifikojnë gjithë atë pasuri të krijuar duke i ditur të ardhurat e tyre sa i kanë pasur që nga 17 Shkurt 2008 e deri më tani”, është shprehur ai.

Po ashtu, sipas avokatit, ligji ka të bëjë me personat politikisht të ekspozuar dhe se ideja është që ajo pasuri t’i kthehet shtetit.

Ligji po ashtu ka të bëjë me ata që janë politikisht të ekspozuar, e që kjo i bie që në një periudhë kohore nga 17 Shkurt 2008 të kenë mbajtur pozita të rëndësishme publike. Ideja kryesore dhe qëllimi kryesor i këtij ligji është që pasuria e pajustifikueshme t’i kthehet shtetit. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë fare me procedura penale, pasi konfiskimi i pasurisë për raste penale ka qenë i mundshëm deri më tani, por kjo thjesht nuk është implementuar sepse e kemi pasur shtetin e kapur thuajse në të gjitha segmentet, por ajo që më së shumti është vërejtur dhe që qytetarëve më së shumti u ka dhembur ka qenë kapja e sistemit juridik duke filluar nga polici i thjeshtë, e në disa raste edhe të vet Gjykata Supreme e Kosovës ose nga hetuesi e deri te Prokuroria e Shtetit”, ka vlerësuar Gashi për “Bota sot”.

Ai ka potencuar se askush nuk ka pse të frikësohet nga ky ligj por duhet të gëzohet për këtë.

Askush nga 2 milionë qytetarë të Republikës sonë nuk ka nevojë të frikësohet nga implementimi i këtij ligji, por duhet t’i gëzohet sepse subjekt i hetimit nuk do të jetë asnjë qytetar që nuk ka mbajtur pozicione politike ose që nuk ka qenë politikisht i ekspozuar, por përpos në raste kur dikush mund të involvohet në fshehjen e pasurive të atyre që kanë vjedhur buxhetin e Republikës së Kosovës, të komunave të Kosovës dhe të ngjashme”, ka theksuar avokati.

Gashi ka shtuar se miratimi i këtij ligji ka qenë premtim i Kurtit dhe u realizua, derisa nuk është realizuar që 20 vite.

Ligji për konfiskim të pasurive të pajustifikueshme është një premtim i dhënë më herët e i realizuar nga Lëvizja Vetëvendosje nga kryeministri Albin Kurti, e që të tjerët nuk e bënë kurrë për 21 vjet, sepse ata me të vërtetë kanë votuar ligje shumë të dëmshme për shtetin e jo për veten, siç është ligji për Gjykatën Speciale, mirëpo kur është puna te leku ata të gjithë kanë qenë bashkë dhe tani ka ardhur në pushtet dikush tjetër dhe tani duhet t’i bëjnë llogaritë se si të justifikojnë diçka që nuk munden, e ajo që nuk mund të justifikohet thjesht do të merret dhe do të bëhet pasuri shtetërore”, ka deklaruar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat