“Aleksandër Lumezi nuk i lanë mëkatet pafund me mbarimin e mandatit”/ Qarri: Këto dëme ia shkaktoi vendit si Kryeprokuror

Politika

“Aleksandër Lumezi nuk i lanë mëkatet pafund me mbarimin e mandatit”/ Qarri: Këto dëme ia shkaktoi vendit si Kryeprokuror

Nga: M.L. Më: 19 janar 2022 Në ora: 11:12
Aleksandër Lumezi

Ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim që ta shpallë konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të Shteti.

Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati me 21 prill 2022.

Emri i Aleksandër Lumezit në vazhdimësi ka qenë pikë reference për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Gani Qarri thotë për gazetën “Bota sot” se largimet nga postet e larta, sidomos të njerëzve të inkriminuar, janë dëshmuar gjithmonë të jenë të vështira.

Ndaj sipas tij, përfundimi i mandatit të individëve si Aleksandër Lumezi, “i cili jo vetëm se ishte i ndikuar këmbë e krye politikisht, por ai përflitet të jetë i përfshirë edhe në shume skandale, edhe pse të vonuara, janë plotësisht të mirëseardhura për gjithë vendin”.

Në fakt, sidomos 3-4 vitet e fundit, të mandatit të kryeprokurorit Lumezit, të katapultuar në këtë pozitë nga Klani-Pronto, ishin mjaft problematike, madje u mbajtën edhe disa protesta radhazi kundër tij, para Kuvendit të Kosovës, duke i kërkuar atij edhe dorëheqjen e parakohshme, ndërmarrjen e masave për respektimin e sovranitetit të vendit, si dhe ndërprerjen e pazareve me shtetësinë e Kosovës, nga Thaçi & Co, duke kërkuar përveç shkarkimit të tij edhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja, për rrëzimin e partive të inkriminuara nga pushteti.

Por, përkundër të gjithave, Aleksander Lumezi, apo pioni, i cili gëzonte mbrojtjen e partive të inkriminuara si dhe atë të Thaçit dhe të Kadri Veselit, arriti ti shtyj me qykë të zorit, gjithë këto vite, të mandatit të dhuruar, i cili fatmirësisht pas tre muajsh, nuk do të jetë më Kryeprokuror i shtetit”, është shprehur Qarri.

Tutje, Qarri përmendi edhe “mëkatet” e Aleksandër Lumezit përgjatë mandatit të tij si kryeprokuror.

Por, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë, se me përfundimin e mandatit, Lumezi ka larë edhe mëkatet e tij të pafund, duke mos ndërmarrë asgjë, gjatë gjithë viteve të gjata sa ai ishte Kryeprokuror, kundër shkelësve të ligjit, atyre që ia shitën dhe falën tokat e Kosovës vendeve hegjemoniste fqinje, si dhe zhvatësve e plaçkitësve, më të paskrupullt të këtij vendi, vetëm pse ata u takonin partive të inkriminuara që edhe pa provim të sqaruar të jurispodencës, katapultuan Lumezin në krye të prokurorisë së shtetit.

Për aq më tepër edhe pse Hashim Thaçi nuk lejonte as miratimin e një rezolute në Kuvend, e cila do t`ia ndalonte atij dhe kujtdo tjetër, të bëjë pazare me territorin e Kosovës, Kryeprokurori as gjyqësia nuk kanë ndërmarrë asnjëherë asgjë kundër njerëzve të tillë dhe atyre që ua falën tokat e Kosovës FYROM-it, të atëhershëm, si dhe Malit të Zi, raste këto në të cilat, Kosova humbi rreth 11 mijë hektarë tokë të vlershme të saj”, rikujton ai.

“Duhet të vije një "Elez" i përzgjedhur në mënyrë tërësisht transparente”

Sipas Qarrit, duke pasur parasysh kërkesat e arsyeshme të para 3-4 viteve për dorëheqjen e Aleksandër Lumezit, si dhe kërkesën për Vetting në Sistemin e Drejtësisë, në përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri, nuk guxon më, të përsëritet sërish mënyra misterioze e katapultimit të askujt tjetër në këtë post të lartë dhe shumë të rëndësishëm shtetëror.

“E sidomos atyre që u vinë vërtetimet nga Serbia prej ministrave të Milosheviçit, pa verifikimin e saktë të profesionalizmit, suksesit në punë, rigorozitetit e paanësisë në kryerjen e detyrës dhe zbatimin e përpiktë e me seriozitet të rendit dhe të ligjit. Prandaj, në mënyrë që të mos ndodhë ajo, që atë botë ndodhi sipas diktimeve me telefonatat e Kadri Veselit, në vend të Lumezit të ndikuar gjatë gjithë mandatit politikisht, duhet të vije një "Elez" i përzgjedhur në mënyrë tërësisht transparente dhe i pandikuar nga segmentet as klanet politike, përkundër Lumezit të ndikuar jo vetëm politikisht, por të përfshirë edhe në shumë skandale, pra pa vendosur askënd para as mbi Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, përfundoi Qarri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat