“Thaçi, Veseli, Selimi të vetëdijshëm për krimet e tyre”/ Nga Haga tentojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale

Politika

“Thaçi, Veseli, Selimi të vetëdijshëm për krimet e tyre”/ Nga Haga tentojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale

Nga: P.R Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 21:26
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ani pse në Gjykatën Speciale tashmë kanë nisur gjykimet e të akuzuarve, edhe pas 7 vitesh të themelimit të Speciales, në Kosovë ka njerëz që kërkojnë shuarjen e saj.

I fundit që ka bërë një gjë të tillë edhe sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.

“"Gjykata Speciale fshehu provat shfajësuese për krerët e UÇK-së". Në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës do të duhej që ta ndërpriste urgjentisht këtë maskaradë të kësaj gjykate!”, ka shkruar Klinaku.

Por kundër thirrjeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale ka dal analisti dhe veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj.

Sipas tij, përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale nuk janë të reja, por ato do dështojnë duke ngelur gjithmonë në tentativë.

Image
Fatmir Bajraj

 

“Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi & CO, të vetëdijshëm për krimet e kryera dhe për mos zbardhjen e tyre, të mbështetur për muri pas rezolutës së KE-së, nga raporti i Dick Martit, përmes ish drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe ish Kryeministrit dhe së fundmi, ish presidentit Thaçi, provuan në mënyra të ndryshme të eskivojnë Drejtësinë dhe Gjykatën Speciale, fillimisht me përpjekjen për zhbërjen e saj në Kuvendin e Kosovës, dhe pas dështimit të asaj nisme, edhe me projektin e ndarjes së Kosovës për të relaksuar Serbinë dhe për të arrit një traktat “paqeje” i cili do presupozonte edhe faljen e krimeve nga të dyja palët”, thotë Bajraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale nuk janë kundër Kosovës.

“Dhe tani, pasi që shoqëria kosovare, miqtë tanë perëndimor dhe kryesisht Gjermania dhe SHBA-të, ndaluan tregtimin e integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke penguar Thaçin, Vuçiqin e Mogherinin nga një ndërmarrje fatale për Kosovën dhe shqiptarët ; zhbërjen e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, Thaçi dhe Co, u arrestuan nga Gjykata Speciale dhe i nënshtrohen një procesi gjyqësor, i cili do jetë satisfaksion për viktimat dhe familjet tyre në ankth, tani e dy dekada. Gjykata Speciale dhe procesi gjyqësor kundër të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të kësaj Gjykate të Kosovës me seli në Hagë, nuk janë kundër Kosovës, shtetësisë së saj, dhe aq më pak, kundër luftës së drejtë dhe të shenjtë të populli të Kosovës të rreshtuar në UÇK, dhe luftës së saj kundër pushtuesit barbar dhe regjimit kriminal & gjenocidal të Millosheviqit”, shprehet Bajraj.

Ai thotë se është e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës nëse tentohet zhbërja e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale dhe proceset gjyqësore të saj, nuk ndjekin institucionet e Republikës së Kosovës dhe as historinë saj, e cila është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e brezave, për çfarë edhe kishim dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshëm, perëndimor në Europë dhe përtej atlantikut, SHBA-të. Përpjekjet dhe tentativat për zhbërjen e Gjykatës Speciale, tanimë në proces, janë të rrezikshme dhe cenojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, subjektivitet ky ende i pakonsoliduar, dhe për me tepër, është edhe thikë pas shpine aleatëve tanë strategjik të cilët ndihmuan dhe sugjeruan formimin e kësaj Gjykate të Kosovës për të shmangë një tjetër jashtë saj”, thekson Bajraj.

Sipas tij, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po përdorin veglat e tyre në Kosovë për ta ri aktualizuar temën për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Të akuzuarit nga ky tribunal, vazhdojnë të përdorin levat e pushtetit të instaluar në Kosovë (PAN-in), përfshi parapolitikën e dizajnuar në të ashtuquajtura, shoqata të dala nga lufta, për të prishë "lojën" në Sistemin e Drejtësisë duke votuar në Parlament, zhbërjen e tribunalit, që do ishte një rrezik i penalizmit të shtetit dhe shtetësisë sonë të brishtë, dhe që do qonte ujë në mulli të kundërshtarëve të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”, deklaron Fatmir Bajraj për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Kosova nuk mund të mbahet peng nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale.

“Hashim Thaçi dhe NPK, si shkaktarë të këtij tribunali, për arsyet e elaboruara më lartë, tani duhet të dalin mbi veten dhe interesin e tyre personal e klanor, duke ndihmuar drejtësinë në zbardhjen e vrasjeve politike si satisfaksion për viktimat dhe të ardhmen e vendit i cili mbahet peng tani e 23 vite...! Parapolitika e NPK-së, duhet të hjekë dorë nga metodat obstruksioniste dhe diversive kundër Drejtësisë dhe në sherbim të të akuzuarve nga ky tribunal, në dëm të viktimave dhe mbi të gjitha, në dëm të shtetit të Kosovës dhe subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, thekson Bajraj,

Për fund, Bajraj thotë se Gjykata Speciale duhet të ndihmohet në çdo mënyrë, sidomos për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Fati Kosovës dhe i të ardhmes së saj, është më i rëndësishëm se sa fati i atyre të cilët shkaktuan tribunalin dhe për konsekuencë, mbajnë peng proceset integruese dhe konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Parapolitika e konstruktuar në organizata të dala nga lufta, duhet ta kuptoj se nuk do lejohet dëmtimi i vendit dhe i së ardhmes sonë, duke mohuar drejtësinë për viktimat dhe duke marr në mbrojtje të akuzuarit e Gjykatës Speciale. Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, e kemi obligim nacional t'a ndihmojmë, sepse kështu ndihmohet drejtësia në njërën anë, dhe shteti në anën tjetër, dhe jo ta "luftojmë" për interesa të NKP-së dhe levave të saja recidiviste”, përfundon veprimtari Fatmir Bajraj për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat