“Kosova duhet të alarmojë edhe më shumë botën lidhur me qëndrimin pro-rus të Serbisë”

Politika

“Kosova duhet të alarmojë edhe më shumë botën lidhur me qëndrimin pro-rus të Serbisë”

Nga: N. Sh. Më: 7 mars 2022 Në ora: 16:58
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Politologu Mentor Tahiri thotë se, vendimi rus për të invaduar Ukrainën ka përmbysur dhe ka komplikuar sistemin politik ndërkombëtar dhe ka vënë gjithë botën në një situatë krejtësisht të re.

Sipas tij, nëse ka pasur deri tani shtete, të cilat lidhur me pozicionim e tyre janë përcaktuar vetëm deklarativisht, tani më kjo nuk është e mundshme.

Tahiri shton se, shtetet jo vetëm që po përcaktohen qartë lidhur me pozicionimin e tyre gjeostrategjik, por edhe po ndërmarrin veprime konkrete.

“Qeveritë e shteteve tani jo vetëm që janë përcaktuar për izolimin ekonomik të Rusisë, por po e zgjasin edhe ndihmën e tyre në planin ushtarak. Ato janë të vetëdijshme që ngadhënjimi eventual rus në Ukrainë, do të thotë pas një kohe trokitje në dyer të tyre. Madje nëse deri tani ka pasur shtete që për shkak të konotacionit historik janë detyruar të përcaktohen për neutralitet ushtarak, më nuk do të ketë. Jemi dëshmitarë se si edhe shtete që nuk janë anëtare të NATO-s, janë zotuar se do ta ndihmojnë Ukrainën me armatim ushtarak, sikurse në rastin e Suedisë, e cila do të dërgojë armë kundër tankeve”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Serbia me qëndrimin e saj pro-rus lidhur me invadimin e Ukrainës, ka treguar se angazhimet e deritanishme deklarative lidhur me proceset integruese nuk kanë qenë të sinqerta.

“Pozicionet reale gjeostrategjike të shteteve konfirmohen në përplasje të mëdha sikurse lufta në Ukrainë. Në fakt Presidenti serb, vetëm se ka konfirmuar atë që moti njihet si disponim popullor në Serbi sa i përket simpative pro-ruse, por që një kohë të gjatë është kamufluar. Por, në tablonë e përgjithshme gjeopolitike në botë, më nuk ka hapësirë për kamuflime të tilla. Në këtë drejtim reagimi i ambasadorit Kosnett ishte më shumë se i qartë”, pohon ai.

Ai shton se, “Kosova duhet të alarmojë edhe më shumë botën lidhur me qëndrimin pro-rus të fqinjit verior”.

“Strategët e gjeopolitikës ruse shohin Serbinë si aleat të natyrshëm dhe kjo në kontinuitet e vë Ballkanin në një zonë të rrezikuar. Në rastin e Ukrainës shihet se si Rusia ka atakuar një hapësirë të lënë boshë nga bota euroatlantike dhe ka supozuar që aftësia e NATO-s dhe BE-së për të reaguar është e limituar. Prandaj është me rëndësi që anëtarësimi i Kosovës në NATO t’i prezantohet qarqeve vendimmarrëse brenda aleancës euro-atlantike si një imperativ i domosdoshëm për vulosur njëherë e përgjithmonë sigurinë e shteteve pro-perëndimore në Ballkan”, përfundon politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat