“Kosova i ka gjasat, më shumë se kurrë, për anëtarësim në BE”/Publicisti paralajmëron hapa konkret në këtë drejtim

Politika

“Kosova i ka gjasat, më shumë se kurrë, për anëtarësim në BE”/Publicisti paralajmëron hapa konkret në këtë drejtim

Nga: A.M. Më: 13 mars 2022 Në ora: 15:31
Ilustrim

Kosova vazhdimisht aspiron që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Një gjë e tillë ka vite që i është premtuar Kosovës, por vazhdon të zvarritet.

Por, lufta në Ukrainë dhe ndikimi rus a do të sjellë ndonjë procedurë të përshpejtuar për Kosovën që të anëtarësohet në BE?

Publicisti, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për mundësin e Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe për ndryshimin e rrethanave pas luftës në Ukrainë.

“Nga vendet e Ballkanit, Kosova është në distancën skajore, të fundme, meqë ende nuk ka filluar procedurat e hapjes së negociatave të para anëtarësimit për BE. Por, rrethanat e reja të krijuara, me sulmin banditesk e fashizoid të Federatës Ruse, ndaj shtetit të pavarur e sovran, Ukrainës, mund të pasojë një zgjidhje, "deus ex machina", duke shpërfillur rregullat, kriteret dhe djegur etapat nga BE-ja. Kjo do të ishte një mrekulli e dhuruar, por, jo e merituar, ngjashëm me çlirimin e Kosovës nga NATO-pakti, edhe mund të pritet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj ka thënë për “Bota sot” se për rrezikun e ndikimin e Rusisë janë të vetëdijshëm SHBA-ja dhe BE-ja.

“Për rrezikun e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, janë të vetëdijshëm dhe të dakorduar SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Andaj, thirrja e tyre, për parandalimin e këtij ndikimi, ka qenë dhe mbetet porosi parësore, për shtetet e këtij rajoni. Këtë e përsëriti edhe Joseph Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, si dhe nënkryetar i Komisionit Evropian”,ka dekalruar ai.

Po ashtu, Zeqiraj ka folur edhe për takimin e Kurtit me përfaqësuesin i lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, si dhe nënkryetar i Komisionit.

“Kryeministri Albin Kurti realizoi takimin e parë me zotin Borrell. Ai bëri një ekspoze për nismën e reformave të thella në vend, me synimin për integrimin evropian. Ai kërkoi nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, për Qeverinë e Kosovës, në zbatimin e programit të saj. "Orientimi i Kosovës për BE-në dhe NATO-n është i qartë dhe i paalternativë".

Borrelli e përgëzoi Kurtin për vizitën e parë zyrtare, suksesin për mandatin, me besimin e madh e masiv, të qytetarëve të Kosovës. Shprehu besimin "ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian, i cili është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës".

Pas zotimit të Borrrellit, që Kurti mori në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel, paralajmëron aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, përgjatë këtij viti.

Por, për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Borrell dhe Kurti kishin dallime të dukshme. Kryediplomati evropian, Borrell, ngulmoi në themelimin e Asociacionit. Por, kryeministri Kurti reagoi prerazi se "kjo Marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës".

Kurti ia kujtoi Borrellit se nga 33 marrëveshje, dy të tretat nuk janë zbatuar nga pala serbe! "Është koha të kemi një dialog, kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët", - tha kryeministri Kurti”, ka shpjeguar ai.

Po ashtu, Zeqiraj ka folur edhe deklaratat e përfaqësuesit amerikan Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi i posaçëm  i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku zhvilluan një vizitë të përbashkët në Kosovë.

“Takimi i javës së parë të dhjetorit 2021, me takimin e javës së fundit të janarit 2022, të kryeministrit Kurti me zyrtarët e lartë evropianë, përkatësisht, Borrell e Lajçak, janë distancë e shkurtër kohore, për të arrfitur një përafrim pikëpamjesh për dialogun. Megjithatë, kjo ndodhi. Një shtysë lëndore, për këtë dha edhe prania e Përfaqësuesit Special të SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takimin e përbashkët të fund-janarit.

Kryeministri Kurti falënderoi Përfaqësuesin e SHBA-së, Escobar dhe të dërguarin e BS-së, Lajçak, për rolin e kontributin që po japin në raportet Kosovë-Serbi dhe më tej. Ai u foli emisarëve në fjalë, për reformat e nisura, përkushtimin e Qeverisë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Por, duhet të shoqërohen edhe me "një prokurori efektive e gjyqësor efikas, që garantojnë drejtësi për të gjithë qytetarët"- u tha Kurti emisarëve të nderuar.

Kryeministri u premtoi zyrtarëve të cituar, se "jemi të gatshëm për dialog parimor dhe të balancuar; mbështesim procesin e e Berlinit, bashkë me tregun e përbashkët rajonal; integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë". Dhe, përfundoi  se "Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian e NATO janë fati ynë",”, ka thënë ai.

“Përfaqësuesi amerikan Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi i posaçëm  i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në  takimin e janarit 2022, lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin, qëndrimet e tanishme dallojnë dukshëm, nga ato të mëparshme. Lajçak deklaroi se "Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet, por askush, me mendje të shëndoshë, nuk do ta dëshironte një "Republika Srpska" në Kosovë. Kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme, për vendin e tyre".

“Deri tani ishin shtetarët e Kosovës që kërkonin, verbalisht, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por, tani kemi premtimin e kryediplomatit evropian, Joseph Borrell, se kjo do të ndodhë. Dhe, kryeministri Kurti do të aplikojë, me shkrim, për anëtarësim në BE. Realisht, në kuadrin e rrethanave të krijuara, Republika e Kosovës i ka gjasat, më shumë se kurrë, për t`u bërë anëtare e familjes së madhe evropiane”, ka deklaruar Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat