Kelmendi: Shqiptarët në Maqedoni duhet të bëhen bashkë për të fituar pushtetin

Politika

Kelmendi: Shqiptarët në Maqedoni duhet të bëhen bashkë për të fituar pushtetin

Nga: A.SH Më: 15 mars 2022 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Mali i Zi pritet që të ketë kryeministër shqiptar. Dritan Abazoviç është mandatuar nga presidenti Milo Gjukanoviq, për pozitën e tillë.

Me Abazoviçin kryeminsitër, Ballkanin bëhet me tre kryeministra shqiptar.

Por, a ka shanse, që edhe në Maqedoni të ketë një kryeministër shqiptar?

Lidhur me këtë edhe juristi Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se gjendja ndryshon mes të dyja vendeve.

Sipas tij, edhe pse në Maqedoni janë katër parti shqiptare, ato nuk po bëhen bashkë, por po bien dakord me pozita të dyta, andaj atje janë vetëm stilizues.

“Gjendja në Maqedoni ndryshon nga gjendja në Mal të Zi. Këtu kemi dy parti të mëdha. Njëra është malazeze dhe partia tjetër është serbe. Partia e Gjukanoviçit pa partinë "Ura" të Abazoviçit nuk mund ta ndërtojë qeverinë. Këtej u krijua Qeveria e Abazoviçit, duke përkrahur partia e Gjukonoviçit, si Qeveri minoritare. Në Maqedoni janë dy parti maqedone, të cilat janë shumë të forta dhe kemi katër parti shqiptare të ndara dhe të përçara në mes veti. Kjo ndarje e partive shqiptare është e rëndë dhe po mundëson që cilado parti maqedone, qoftë ajo "Socialdemokrate", apo "VMRO", të jenë parti të para dhe ato ta ndërtojnë qeverinë. Shqiptarët janë këtu stilizues. Në anën tjetër, partitë shqiptare nuk po bëhen bashkë dhe po pajtohen me pozitat e dyta, tek dy partitë maqedone. Kjo mund të ndryshojë”, thotë ai.

Në fund thotë që, atje partitë shqiptare duhet të bashkohen në një koalicion, të flasin në një zë dhe të mos futen në një koalicion me ndonjë nga partitë maqedone pa e marrë pozitën e kryeministrit në shtet.

Ai thotë se koha është për veprim dhe me një qëndrueshmëri, arrihet që edhe në Maqedoni të kemi një kryeministër shqiptar.

“Së pari, kërkohet bashkimi politik në koalicion të partive shqiptare. Së dyti, duhet që partitë e tilla të flasin me një zë dhe si një subjekt politik, edhe pse janë katër parti politike. Së treti, nuk duhet kurrsesi të futen në koalicion me asnjërën parti politike maqedone pa e marrë pozitën e kryeministrit në shtet. Kuptohet se partitë maqedone mund të ndërtojnë vet qeverinë, pa shqiptarë. Mirëpo, kjo nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe një qeveri e tillë nuk do të jetë funksionale. Ka mundësi që edhe jashtë vendit mos ta pranojnë qeverinë. Presioni do të jetë i madh. Ai do të jetë nga jashtë dhe nga brenda. Por, me një qëndrueshmëri, arrihet që edhe në Maqedoni të kemi një kryeministër shqiptarë. Koha është për veprim. Dhe veprimi duhet të fillojë tek vet shqiptarët”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat