Ndikimi rus/ Rrëfimi i publicistit nga Gjermania: Kjo është koha kur Rusia e ka llogaritur Shqipërinë aleate të saj

Politika

Ndikimi rus/ Rrëfimi i publicistit nga Gjermania: Kjo është koha kur Rusia e ka llogaritur Shqipërinë aleate të saj

Nga: A.M Më: 17 mars 2022 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Janë bërë tri javë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ku ushtria ruse po vazhdon me sulme dhe bombardime të pamëshirshme ndaj qytetarëve ukrainas.

Krahas këtyre zhvillimeve dramatike, po kërcënohet edhe përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia, gjë që do të shkaktonte një katastrofë botërore.

Me këto veprime dhe deklarata tendencioze të Putinit, po kërcënohen edhe shtetet tjera të Evropës, përfshirë edhe Kosovën.

Rusia përmes Serbisë vazhdon të ndikojë në politikat e Ballkanit Perëndimor.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Ai tha se e gjithë botademokratike dhe ajo shqiptare, në veçanti, po e përjetojnë rëndë sulmin banditesk të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Populli trim dhe liridashës i Ukrainës, po ballafaqohet me pushtuesin rus. Qëndresa titanike, me raport forcash, ekstremisht, të pabarabarta. Bota demokratike, në përgjithësi, dhe ajo shqiptare, në veçanti, po e përjetojnë rëndë sulmin banditesk të Rusisë ndaj Ukrainës. Sepse tej dy dekadave më parë, Kosova ishte ballafaquar me simotrën e Rusisë, Serbinë agresore”, deklaroi publicisti.

Një nga shqetësimet më të mëdha, sipas Zeqirajt, është ndikimi rus në Ballkan.

Ai vlerësoi se në këto momente është e rrezikshme thirrja për bashkim kombëtar, pasi në këtë mënyrë do t’i japin shkas Serbisë për pretendimet në veriun e Kosovës.

“Pamëdyshje, shqetësimi parësor i sotëm, është ndikimi rus në Ballkan. Dhe, drejtpërdrejtë në Kosovë dhe Shqipëri. Është fqinja Serbi, e cila me ëndrrën e madhe dhe të përhershme për Kosovën, "si pjesë e saj", përkatësisht, Veriun e Mitrovicës, është e gatshme të provokojë, duke llogaritur në forcën ruse.

Të gjithë ata që sot thirrën në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ende ka e konsoliduar vendin në kufijtë ekzistues, sikur e ftojnë Serbinë, për ta ndarë Kosovën. Sepse i japin shkas asaj për pretendimet e Serbisë, në Veriun e Mitrovicës. Edhe pa kërkuar bashkimin zyrtar, dy shtetet shqiptare, kanë të gjitha mundësitë, për ta amortizuar influencën ruse, duke bashkëpunuar në fushën ekonomike, tregtare dhe, në veçanti, në përgatitjen për mbrojtjen. Kufizimet aktuale, për ta vendosur ushtrinë në vijën ndërkufitare, mund të kompensohen në aftësimin e FSK-së, për të gjitha armët dhe makineritë ushtarake moderne të kohës”, nënvizoi ai.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Krahas kësaj, publicisti potencoi se Kosova edhe Shqipëria, duhet të bëjnë detyrat e tyre, përgatitjen me normat e ushtrisë së NATO-s, me monitorimin profesional të specialistëve të saj.

Po ashtu, ai tha se e majta ekstreme shqiptare asnjëherë nuk është distancuar nga Rusia dhe Serbia.

“Në një bisedë që bëra, me ambasadorin e parë amerikan, Rejerson, me 9 prill 1992, në sallën e Parlamentit, kur po zgjidhej Dr. Berisha president, se çfarë mendon Amerika, për ta çliruar Kosovën, ai qe përgjigjur, thjesht: "Kosovën do ta çlirojë Amerika". Dhe, ashtu ndodhi. Por, tani në rrethana të tjera, Kosova, njëherësh, edhe Shqipëria, duhet të bëjnë detyrat e tyre, përgatitjen me normat e ushtrisë së NATO-s, me monitorimin profesional të specialistëve të saj.

Mjerisht, e majta ekstreme shqiptare asnjëherë nuk është distancuar, njëmendësisht, nga Rusia dhe Serbia. Miqësia me botën sllave, serbo-ruse, zë fill në Luftën e Dytë Botërore, me Tito-Stalin-Enver, për të vazhduar, për afro dy dekada, miqësinë me Sovjetikët rusë. Edhe pas daljes nga Traktati i Varshavës, në të gjitha organizmat ndërkombëtare, vota shqiptare është bashkuar me votën ruse, kundër SHBA dhe Evropës! Andaj, Rusia kurrë nuk e ka pranuar largimin e Shqipërisë, nga Traktati Lindor, madje, shpirtërisht, e ka llogaritur aleat të saj”, theksoi Zeqiraj.

Në vazhdim, ai përmendi edhe ndërhyrjen amerikan në zyrat e Tiranës, ku PaskalMilo, Fatos Klosi në vitin 1998 nuk e donin luftën me Serbinë dhe ultimatuan me largim nga Shqipëria oficerët e karrierës, përkatësisht, të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.

“Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 1998, kur ekipi shtetëror i presidentit Rexhep Mejdani, me krye parlamentarin Skënder Gjinushin, ministrin e Jashtëm PaskalMilo, shefin e SHISH-it Fatos Klosi, donin statusquonë, nuk e donin luftën me Serbinë dhe ultimatuan me largim nga Shqipëria oficerët e karrierës, përkatësisht, të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, "përndryshe do të vriten"! Ata ftuan Presidentin Rugova në Zvicër, i kumtuan ultimatumin e dhënë. Por, përgjigja e Kryekomandantit ishte e prerë: "Nuk do të vritemi të gjithë. Kthim prapa nuk ka. Lufta është e pashmangshme". Dhe, urdhëri nuk kishte alternativë, përveç zbatimit.

Ndërhyrja amerikane, pranë zyrtarëve të Tiranës, ndryshoi rrjedhën. Urdhëruan të jepen armët gratis për luftën, nga depot shqiptare. Megjithatë, "komandantët" horrakë, pa ushtarë, të "ROGNER-it", vazhduan të zhvatnin haraç për armët, të cilat, paradoksalisht, jepeshin vetëm nëpërmjet të LPK-së, me përfaqësues Nasim Haradinaj”, shpjegoi publicisti.

Është koha t`i jipet fund bajraktarizmit dhe mosmarrëveshjeve Kosovë-Shqipëri

Më tej, Zeqiraj konsideron se historia po përsëritet me flirtet e Ramës dhe Vuçiqit dhe “Ballkanin e Hapur”.

Sipas tij, tani ka ardhur koha t`i jepet fund bajraktarizmit dhe mosmarrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.

“Edhe sot kemi një përsëritje të historisë: "Minishengeni ballkanik" apo "Ballkani i hapur", flirtet Rama-Vuçiq, më parë se të konsultohen me shtetarët e Kosovës, kanë kthyer marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, në nivelin më të ulët të mirëbesimit reciprok. Ndërkohë që duhej të ishte e kundërta.

Është koha t`i jipet fund bajraktarizmit dhe mosmarrëveshjeve Kosovë-Shqipëri. Duhet të krijohet një marrëdhënie e re e mirëbesimit vëllazëror, pa paternalizëm e mujshi. Thellimi i marrëdhënieve vëllazërore, në mes këtyre dy shteteve, është interes jetik reciprok. Forcat e Armatosura të dy shteteve shqiptare, do ta balanconin forcën ushtarake me shtetet fqinjë ballkanikë. Plus mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të garantonte kufijtë shtetëror të Kosovës si dhe do të siguronin vendin, nga gjuajtjet nga largësia dhe sulmet nga ajri. Shembulli vetmitar i Ukrainës, duhet t`u shërbejë shqiptarëve, dhe, jo vetëm atyre, se "shtëpia pamiq nuk mbahet", - një shprehje lapidare e Dr. Rugovës”, tha ndër të tjera publicisti nga Gjermania.

Në fund, ai përshëndeti nismën e qeverisë Kurti për të ndihmuar në armatim FSK-në. Zeqiraj tha se kjo ishte një votë kundër PDK-së.

“Së fundi, qeveria Kurti ka nismuar aksionin financiar, për të ndihmuar në armatimin modern të FSK-së. Një nismë për t`u përshëndetur! Vota kundër e partisë-bandë, PDK-së, na rikujton mëmën e saj, LPK-në, e cila ka sabotuar të gjitha aksionet humanitare dhe ushtarake, përfshi edhe Fondin shtetëror 3 %-in, për mbijetesën e Kosovës. Dhe, po të varej Kosova nga LPK-ja, ajo do të dorëzohej, pa e pritur luftën, ashtu siç u pensionua UÇK-ja e LPK-së, ende pa hyrë në luftë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat