23 vjet nga ndërhyrja e NATO-s/ Dallimet e luftës Rusi-Ukrainë me luftën Serbi-Kosovë

Politika

23 vjet nga ndërhyrja e NATO-s/ Dallimet e luftës Rusi-Ukrainë me luftën Serbi-Kosovë

Nga: A.M Më: 24 mars 2022 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Sot u bënë 23 vjet që kur trupat e NATO-s filluan bombardimet ndaj Serbisë, caqeve të saja ushtarake përfshirë të forcave serbe në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, para 23 viteve ishte e pashmangshme.

Fillimisht, ai tha se ndërhyrja e NATO-s në luftën në Kosovë erdhi si pasojë e vrasjeve dhe masakrave të shumta që i bën militantët serbë ndaj qytetarëve tanë.

“Në përvjetorin e 23 të ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë apo më mirë të themi bombardimet e forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi, u bë pas gjithë asaj dhune, vrasjeve e masakrave që bënë forcat dhe militarët serb, ku ndërhyrja ishte e pashmangshme për të ndalur gjenocidin serb”, deklaroi ish-deputeti.

Image
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi

Krahas kësaj, Rudi vlerësoi se ndërhyrja e NATO-s ishte e nevojshme, ku një gjë e tillë iu kërkua edhe nga presidenti Ibrahim Rugova dhe institucionet e Kosovës.

“Vlerësimi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte i qëlluar dhe i nevojshëm, ngase ishte edhe kërkesë e institucioneve të Kosovës, përkatësisht e Presidentit Rugova, ku edhe nga kthimi nga Rambuje kërkoi intervenimin e NATO-s ndaj forcave serbe dhe sot Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, ish-deputeti i LDK-së potenco se lufta në Kosovë dallonte nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë, pasi situatat ishin të ndryshme, ukrainasit janë shtet i pavarur, ne nuk kishim shtet.

“Krahasimi i luftës në Ukrainë me luftën në Kosovë nuk është edhe që qëndron, pasi janë situata krejtësisht të ndryshme. Ukraina është shtet i pavarur qe një kohë të gjatë, ne nuk ishim shtet, por luftuam për shtet.

Por, mund të them që në bazë të asaj që po shohim në media, në Ukrainë po shihet një qëndrueshmëri e popullit të Ukrainës me luftu dhe mos me lëshu vendin”, theksoi Rudi.

Krejt në fund, ai tha se populli shqiptar arriti të çlirohet nga pushtuesi serb, fal miqësisë që krijoi presidenti Rugova, gjë që e solli ndërhyrjen e NATO-s.

“Edhe lufta jonë ishte çlirimtare dhe e shenjtë, edhe pse ndodhen shumë masakra e dëbim i popullatës me dhunë, Kosova arriti të çlirohet nga pushtuesi serb, fal miqësisë që krijoi presidenti Rugova, gjë që e solli ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, bashkë me luftën e shenjtë të UÇK-së”, përmbylli Fetah Rudi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat