“Kurti befasoi me deklaratën për Thaçin”/ Publicisti tregon qëllimin dhe pasojat që mund t’i ketë

Politika

“Kurti befasoi me deklaratën për Thaçin”/ Publicisti tregon qëllimin dhe pasojat që mund t’i ketë

Nga: G.B Më: 26 mars 2022 Në ora: 15:53
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka dalë në mbrojtje të ish komandantëve që gjenden në Hagë.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze italiane “La Republica”, ai tha se është paradoks që ata të gjykohen në Hagë, derisa luftuan për liri.

“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm 2000 dëshmorë"!? Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri. Është një nga paradokset evropiane”, deklaroi Kurti.

Por, dy vite më parë, në qershor të vitit 2020, Kurti kishte publikuar një shkrim drejtuar ish presidentit Thaçi, përmes të cilit i bënte thirrje atij që të shkonte në Hagë dhe ta mbronte aty luftën dhe komandantët.

Ndërsa tani kryeministri ka ndryshuar qëndrimet, derisa Thaçi gjendet në Hagë në paraburgimin.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti Idriz Zeqiraj, i cili thotë se Kurti ka qenë opozitari më i drejtpërdrejt i Thaçit, që i kishte kërkuar të shkonte në Hagë.

“Marksi ka thënë se "kombit dhe gruas nuk u falet, nëse i dorëzohen aventurierit të parë"! Mjerisht, kjo i ndodhi kombit tonë me diktatorin aventurier e kriminel, Enver Hoxha, në Shqipëri dhe po ashtu popullit të Kosovës, me megalomanin aventurier, dinak, komplotist, e pak më shumë, për çka edhe po akuzohet, Hashim Thaçi. Është për mbamendje thënia lapidare, e lansuar nga LVV, si thirrje drejtuar shqiptarëve: "Një njeriu s`i nënshtrohet një popull!" Megjithatë, nënshtrimi, përtokja, ndodhi! Dhe, ai u bë mbinjeriu, duke abuzuar, cinikisht e mangupërisht, me pushtetin absolut, që vendosi ndër vite në Kosovën tonë të përgjumur. Liria pa demokraci është një përrallë dimri, nuk vlen asgjë. Mjerisht, kjo ndjesi i mungon populli tonë, në Kosovën hallemadhe. Vërtet, Albin Kurti ka qenë opozitari më i drejtpërdrejt i Hashim Thaçit, kryeministër dhe president. "Mos u zgërdhi, kryeministër" dhe "Shko Hashim", (në Hagë), janë shprehje, jo thjeshtë të një mllefi personal apo partiak. Por, rrjedhojë logjike e veprimeve të dyshimta, fort konspirative, deri në vënien në tryezën e bisedimeve të çështjeve territoriale, që i kishte përmbyllur shpallja e Pavarësisë, me konfirmimin edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas Zeqirajt, letra e Kurtit për Thaçin ishte e pritshme por jo profetike, ndërsa Thaçi e Veseli donin t’i shpallnin terroristë si VV dhe t’i fusnin në burg.

“Letra proverbiale e Albin Kurtit, drejtuar Thaçit, "Shko Hashim", ishte e pritshme, por jo profetike. Sepse Kosova është përgjakur nga bijtë e saj bastardë, të strukturuar në një organizim kriminal, me qëllime të përcaktuara dhe me emra të përveçëm, të shënjestruar, për t`u viktimizuar. Për dy dekada radhazi, Kosova është qeverisur nga zyrtarë, shtetarë e pushtetarë, të shantazhuar. Disa nga Serbia e Haga dhe më tej; disa të tjerë nga organizata kriminale, SHIK-u vendor. Andaj, ndryshimi mezi pritej dhe kjo u dëshmua me votimin masiv të LVV, duke e konsideruar si të pashantazhueshme dhe pa ngarkesa me krime e korrupsion. Albin Kurti, kryeministër i bujshëm në premtime: "Kriminelët dhe hajnat në burg", - ishte refreni i tij i preferuar. Ndërkohë, Hashimi me Kadrinë, të frikësuar nga revanshi i pritshëm i Kurtit, me AKI-në e tyre, përgatisnin shpalljen e LVV-së terroriste. Krerët e saj, Albinin, Glaukun e ndoca të tjerë, t`i rrasnin në burg, si terroristë, projekt ky i aprovuar edhe nga Prokuroria! Mënyra e dëshmive dhe sjellja e dëshmitarëve anonimë, tejkalonin metodat UDB-eske, dhe shkonin në referencë ke OZNA famëkeqe, e fundviteve të `40-a dhe fillimin e të `50-ve! Duhej të shkonin në Hagë, Hashimi me Kadrinë, për t`i publikuar përgjimet tmerruese Insajderi! E trishtueshme, si në filmat horror. Kjo ishte CV-ja e presidentit dhe kyeparlamentarit të Republikës të Kosovës”, është shprehur publicisti.

Image
Idriz Zeqiraj

“Kurti befasoi shqiptarët me deklaratën në mbrojtje të Thaçit”

Më pas, ai thotë se Kurti 2 vite më pas i befasoi shqiptarët me deklaratat në mbrojtje të Thaçit, që madje ai i quan deklarata paushallë dhe joreale, derisa dhe rendit arsyet.

“Dy vite më pas, në homazhet për Familjen Jashari, Albin Kurti do t`i befasonte shqiptarët: “Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në Hagë, për luftën e pashembullt për liri!" Dhe, vetëm dy javë pas kësaj deklarate, në intervistën e dhënë gazetës prestigjioze italiane "La Republica", kryeministri Kurti shokoi me deklarime paushalle dhe hiç reale: "Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm 2000 dëshmorë"!? Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri. Është një nga paradokset evropiane"!

Së pari, ata nuk kanë qenë bashkëluftëtarët të Adem Jasharit. Sepse, ishin herë 2000 kilometra e herë 300 kilometra larg nga Ademi. Pra, ishin jashtë Kosovës. Përkundër, dihet mirëfilli, se ata e kanë penguar në financim dhe me agjitim kundër Hamzës dhe Ademit. Pra, kanë sabotuar luftën dhe këtë e thonë shokët e tyre të partisë dhe të hoteleve, ku kanë mrizuar;

Së dyti, kemi të bëjmë me pasaktësi, sepse nga katërshja e Hagës në grup, vetëm njëri syresh ka qenë fizikisht në Kosovë dhe ka luftuar, Rexhep Selimi. Tre të tjerët nuk kanë qenë pjesë e luftës, "kanë qenë larg frontit të luftës", pra, jashtë Kosovës”, thekson Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai shton se Kosova ka 800 dëshmorë të pushkës, ndërsa thotë se Kurti me deklaratat e tij po i rivret viktimat dhe lëndon familjet e viktimave e ushtarakët që luftuan.

“Së treti, Kosova ka 800 dëshmorë të pushkës. Numrat tjerë janë shtuar, fiktivisht, në 2000, njësoj si veteranët e katërfishuar rrejshëm! Por, realisht, janë viktima të luftës;

Së katërti, është nonsens i madh dhe bie ndesh me Bashkimin Evropian dhe Amerikën, të cilët, faktikisht, e kanë çliruar Kosovën, që kryeministri i vendit, apriori, pafajëson të akuzuarit, duke qenë në hetim e sipër, ende pa pasur një vendim gjykate;

Së pesti, kryeministri i Kosovës i rivret viktimat dhe lëndon qindra familje të viktimave, kryesisht, ushtarakë luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, zyrtarë e veprimtarë të LDK-së, si dhe kuadro të hershëm, të devotshëm të LPK-së;

Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK)

Së gjashti, kryeministri habitet "pse nuk gjykohen në gjendje të lirë", edhe pse ata akuzohen përtej 100 veprave kriminale, vrastare, duke e vënë në dyshim edhe emërtesën adekuate, - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -(NPK), të pagëzuar nga Prokurori Special amerikan, Xhack Smith”, vlerëson publicisti.

Më tej, ai përmend dhe faktin që qeveria paguan avokatët për komandantët në Hagë, derisa shton se komandantët e vërtetë që kanë mbijetuar nuk i ka akuzuar askush për krime lufte.

“Së shtati, kryeministri Kurti nuk merakoset, as për koston e 180 milionë euro, për mbrojtjen e "luftëtarëve" të tij, disa syresh të mbrojtur edhe nga 5 (pesë) avokatë të zëshëm botërorë! Krejt kjo barrë e buxhetit të lodhur të Kosovës;

Së teti, e pakta që duhej të bënte kryeministri, do të duhej të heshtte, në lidhje me të akuzuarit për krime lufte. Ose e shumta të thoshte "ta lëmë gjykatën në punën e saj profesionale";

Së nënti, janë shumë qindra fëmijë jetimë, të të vrarëve politikë, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Dhe, ne nuk kemi dëgjuar as parë përkujdesjen financiare dhe as t`i vizitojë, Albin Kurti, qoftë si kryetar partie, qoftë si kryeministër!? Një gjë mbahet mend, se njëri nga mentorët kryesor i Kurtit, i ka aprovuar, madje, publikisht, vrasjet politike;

Së dhjeti, komandantët që kanë bërë luftën e vërtetë për liri, për shembull, në betejat e Koshares, janë vrarë 114 luftëtarë për lirinë e Kosovës dhe 108 ushtarakë pushtues serbo-sllavë. Dhe, komandantët e mbijetuar, askush nuk i ka akuzuar për krime. Por, ekziston një dallim i madh, i komandantëve të Betejës të Loxhës, Koshares dhe gjetkë, se ata nuk kanë ekzekutuar shqiptarë të pafajshëm, natën në errësirë dhe ditën për diell, madje, në derë të shtëpisë, duke terrorizuar edhe "robtë e shtëpisë"”, ka deklaruar ai.

Metamorfoza dëshpëruese e kryeministrit Kurti!

Sa i përket këtij ndryshimi të kryeministrit Kurti, publicisti Zeqiraj vlerëson se është vështirë të shpjegohet, derisa përmend se kjo kthesë mund të ketë të bëjë me votën e ardhshme elektorale partiake.

“Metamorfoza e kryeministrit Albin Kurti, nga një qëndrestar opozitar, akuzues faktik dhe mbrojtës i pa kompromis i Kosovës, nga pazaret e pista të pushtetarëve, fort të shantazhuar dhe batakëçinj të papërmirësueshëm, tashmë, ka shokuar shqiptarët dhe "ka marrë dhenë"! Andaj, është vështirë të shpjegohet kthesa, ndryshimi i shumë-shkallshëm!

Vështirë të kuptohet dhe aq më vështirë të shpjegohet Kurti i sotëm: Edhe "shko Hashim", në Hagë; edhe "kriminelët e hajnat në burg", edhe "Ballkani ka nevojë të lirohet nga kriminelët e luftës",- lëshoi deklaratën bombë, duke trazuar skenën politike të Kosovës, sidomos, ata që kanë "mizën pas veshit"! Dhe, tani, "është absurde të mbahet Hashimi me shokë në burg", - thotë Kurti, vërtet, logjika e shëndoshë, është në hall për ta kuptuar dhe zgjidhur!?

Hamendësohet se kjo kthesë kushtëzohet me votën e ardhshme elektorale partiake? Por, të gjitha sondazhet, matjet publike, të shqiptarëve të Kosovës, aprovonin, në masën tej 85 %, thirrjen refren të Albin Kurtit: "Kriminelët dhe hajnat në burg"! Atëherë, pse të këtë frikë, nëse ngulmohet për qërimin e hesapeve, me kriminelë dhe hajna zyrtarë, të djeshëm dhe të sotëm?!” ka thënë Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Madje, sipas tij me këtë ndryshim Kurti rrezikon shumë dhe do të ndikojë negativisht në përmbushjen e premtimeve të tij.

“Padyshim, Albini ka ndryshuar dhe me këto veprime rrezikon shumë, edhe politikisht. Kjo do të reflektojë, negativisht edhe në mos përmbushjen, as për së afërmi, të premtimeve të tij, sidomos, ato parësore, siç janë luftimi i krimeve vrastare dhe makro-hajninë zyrtare. Qëndrimi aktual i Kurtit, është paradoksal, kontravers, që bie ndesh edhe me parimet elementare të një qeveritari të dinjitetshëm, i cili, gjithherë, është thirrur në mbrojtjen e ligjshmërisë, shtetit. E kuptoj presionin enorme të PDK-së, PAN-it në kor, për t`i mbrojtur kolegët bashkëpunëtorë në punët e liga. Me gjithë deklarimet mbrojtëse të Kurtit, për "luftëtarët e lirisë", në Hagë, kreu i PDK-së, e akuzon kryeministrin "për paturpësi, pse nuk i përmendë me emra ata?!" PAN-istët duan ta turpërojnë, madje, me fund, kryeministrin tonë, dikur krenar”, potencon ai.

Sipas publicistit, pozita e kryeministrit nuk do të duhej të ndikonte që ai të shkelë parimet e drejtësisë, teksa shton se arsyeja e këtij ndryshimi të madh të Kurtit një ditë do të dalë në dritë.

“Pozicioni kryeministër, assesi nuk duhej të ndikonte në shkeljen e parimeve bazike të drejtësisë. Atëherë, cili është shantazhi që i bëhet Kurtit kryeministër? A është i vetëdijshëm ai se mbrojtja zyrtare, të atyre që akuzohen nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është një ogur i keq për Kosovën. Jo pse akuzohen, sepse çdo komb i ka bakçinjtë dhe kriminelët e vetë, por, pse mbrohen, apriori, pa pritur vendimin e gjykatës.

Arsyeja e ndryshimit të madh të Albin Kurtit, edhe mund të vonojë, por, gjithsesi, një ditë, "do t`i dalë tymi". Megjithatë, uroj të jetë një bërje qejfi dikujt apo disave, dhe jo bindje e Kryeministrit! Përndryshe, do të ishte zhgënjim i madh i shqiptarëve, madje, të kudondodhur, të cilët, në masën më të madhe, festuan ndryshimin e gjatë-pritur, 14 shkurtin 2021”, përfundon Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat