Plani me Dritan Abazoviçin/ Misioni i (pa)mundur i Albin Kurtit!

Politika

Plani me Dritan Abazoviçin/ Misioni i (pa)mundur i Albin Kurtit!

Nga: P.R Më: 4 prill 2022 Në ora: 20:13
Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka rikthyer edhe njëherë temën e demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka deklaruar se me qeverinë e re që pritet të vijë në Mal të Zi do të trajtohet çështja e demarkacionit, çështje për të cilën e ka akuzuar ish qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Por sa ka gjasa që të kjo marrëveshje të diskutohet përsëri dhe të ndryshohet? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, historia e demarkacionit me Malin e Zi është e komplikuar dhe si e tillë, ajo do të mbesë në histori.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Kam frikë se ajo do të mbetet tashmë histori. Sepse parlamenti I Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen e ratikifimit të kufirit midis të dy vendeve. Për t’u ratifikuar ajo marrëveshje para katër vitesh, bëri presion edhe faktori ndërkombëtar. Ata u nisën nga qëndrimi I Malit të Zi për Kosovën. E vërteta është se ish-kryeministri I Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe partia e tij në pushtet u bënë aktorët dhe faktorët kryesorë të brendshëm, të cilët e zbritën vendin e tyre nga anija e Milosheviçit dhe shpallën pavarësinë. Shpallja e pavarësisë në korrik 2006 ishte kusht paraprak për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sepse rezoluta 1244 parashikonte që Kosova të ishte pjesë e Federatës Jugosllave (Serbi-Mali I ZI). Pra të ishte republikë në këtë federatë”, thotë Bytyçi.

“Me shkëputjen e Malit të Zi kjo federatë e ashtuquajtur jugosllave nuk ekzistonte më. Për pasojë rekomandimi i Rezolutës 1244 binte poshtë. Fatmirësisht me këtë rezolutë nuk ndalohej pavarësia, por ndalohej bashkimi i Kosovës me një shtet tjetër (ishte e menduar Shqipëria). Duke qenë se pavarësia e Kosovës lejohej, atëherë me zhbërjen e Federatës Jugosllave, Kosova fitoi të drejtën të kishte shtetin e saj të pavarur. Kjo është e vërteta e parë”, shpjegon më tej Bytyçi.

Ai thotë se për të gjitha këto, Mali i Zi u shpërblye me marrëveshjen e demarkacioni me Kosovën.

“Por Mali i Zi nuk ka qenë as para as pas luftës në Kosovë një vend armiqësor me Kosovën. Edhe bashkësia ndërkombëtare bënte kujdes para luftës që ta mbante këtë republikë ish-jugosllave larg konfliktit në Kosovë. Në kohën e luftës, Milo Gjukanoviç u shpreh hapur kundër agresionit serb dhe masakrave ndaj shqiptarëve. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Mali I Zi e njohu atë, e përkrahu shtetësinë e saj, shprehu mirëkuptim për shumë gjëra. Për të gjitha këto arsye bashkësia ndërkombëtare bëri presion që Mali i Zi të “shpërblehej” me atë marrëveshje”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, partitë në pushtet iu nënshtruan këtij presioni.

“Kjo do të thotë se ato nuk e votuan demarkacionin me Malin e Zi me bindjen e tyre. Në atë votim ata nuk ishin sovranë. Por kjo tashmë juridikisht ndodhi. Ndodhi edhe për shkak të një intrige të Hashim Thaçit, atëherë president i Kosovës. Thaçi shkoi në Podgoricë dhe bisedoi me presidentin malazez. Prej atje njoftoi se presidenti i Malit të Zi ishte dakord që pas miratimit të demarkacionit kufiri do të korrigjohej në terren. Ishte një mashtrim unik në historinë e institucioneve. Nuk ka ndodhur në asnjë kohë që një marrëveshje midis të dy vendeve të miratohet nga sovrani me premtimin se pas kësaj do të korrigjohej ajo marrëveshje”, nënvizon Bytyçi.

Ai shton se deputetët u mashtruan edhe nga premtimi i rremë i Hashim Thaçit.

“Kam përshtypjen se deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e votuan demarkacionin me Malin e Zi i “besuan” Hashim Thaçit, sepse donin të mos përplaseshin me shefin real të mazhorancës së asaj kohe dhe të mos krijonin konflikt me përfaqësuesit e ndërkombëtarëve. Pra, ata e dinin se premtimi i Thaçit ishte jo real, për pasojë një mashtrim i paskrupullt. Por u thanë qytetarëve se kjo do të ndodhte dhe për këtë arsye po e votonin demarkacionin e kundërshtuar aq shumë nga Vetëvendosja”.

Por a ka gjasa që të korrigjohet marrëveshja e demarkacionit, nëse Dritan Abazoviç vije në postin e kryeministrit të Malit të Zi?

“Tani Kurti duket se shpreson se do ta korrigjojë këtë padrejtësi. Kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë. Aq më pak pse vjen në krye të qeverisë së Malit të Zi Dritan Abazoviç. Marrëveshjet janë depozituar edhe në institucionet ndërkombëtare. Prandaj juridikisht nuk mund të detyrohet Mali I Zi që ta rishqyrtojë atë e të thotë “Ok, ju na dhatë diçka të pamerituar, prandaj po jua kthejmë ju”! Duhet të jesh naiv ta besosh këtë. Thjesht nuk mund të ndodhë!”, shprehet Bytyçi, duke shtuar së deputetët malazez do ta kundërshtojnë me çdo kusht korrigjimin e kësaj marrëveshje.

“Unë nuk do ta besoj atë që thotë zoti Kurti, edhe sikur ai të ketë biseduar me Abazoviç e të jetë dakorduar me të. Edhe nëse të dy këta do të bien dalord për një rishqyrtim të tillë, nuk do ta bëjnë këtë deputetët e Malit të Zi. Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka gjithashtu presidenti Gjukanoviç. Ai nuk është shprehur deri më sot. Por nuk besoj se politikanët malazezë do të rriskonin në elektoratin e tyre, duke rishikuar këtë marrëveshje. Po t’i shtojmë kësaj presionin e opozitës, atëherë merret me mend sa e vështirë do të jetë”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, ai ka edhe një porosi për kryeministrin Kurti.

“Prandaj do të ishte mirë që të mos gënjehen e zhgënjehen sërishmi shqiptarët. Njerëzit janë të lodhur me mashtrimet e Hashim Thaçit, Haradinajt, Isa Mustafës e të tjerëve!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat