Prokurori amerikan ‘ankthi’ i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë – ja çfarë pritet të ndodhë gjatë mandatit të tij të ri!  

Politika

Prokurori amerikan ‘ankthi’ i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë – ja çfarë pritet të ndodhë gjatë mandatit të tij të ri!  

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 qershor 2022 Në ora: 19:01
Foto ilustrim - "Bota sot"

Amerikani Jack Smith është bërë Prokurori i parë i Specializuar që ka marrë mandatin e dytë në Gjykatën Speciale. 

Kjo pasi, prokurori i parë që ishte emëruar, David Schwendiman kishte dhënë dorëheqje vetëm 2 vjet më pas.

Që nga fillimi i proceseve gjyqësore në Hagë, prokurori Smith ka qenë cak i kritikave nga mbështetësit e të arrestuarve në Hagë.

Madje, mbrojtja e krerëve të UÇK-së e ka akuzuar atë për zvarritjen e gjykimit dhe për mos zbulimin e provave.

Lidhur me punën e prokurorit Smith në mandatin e tij të parë në Speciale për ‘Bota sot” folën juristët Skënder Musliu dhe Blerim Burjani.

Musliu: Smith është prokuror amerikan kredibil, me integritet dhe përvojë të pasur në hetimet penale ndërkombëtare

E lidhur me këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai tha fjalë të mëdha për kryeprokurorin Jack Smith, ku potencoi se ai është një prokuror kredibil me integritet dhe përvojë në hetimet ndërkombëtare.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

“Në maj të këtij viti, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Jack Smith u riemërua në këtë post edhe për katër vitet e ardhshme. Zotëri Smith është prokuror amerikan kredibil, me integritet dhe përvojë të pasur në hetimet penale ndërkombëtare.

Që nga proceset e para gjyqësore, filluan kritikat kundër tij, me pretekstin se ai dhe Prokuroria Speciale në përgjithësi, po i përndjekin vetëm shqiptarët, e sidomos pjesëtarët e UÇK-së, e jo edhe serbët. Është e vërtetë se Serbia ishte agresore që me ushtrinë, policinë dhe paramilitarët, bën masakra të papara që nga Lufta e Dytë Botërore, mbi popullatën e pambrojtur civile shqiptare. Por, klasat e kaluara politike që qeverisën me Kosovën për 20 vite, nuk treguan interes për grumbullimin dhe sistematizimin e fakteve dhe dëshmive për këto masakra”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Musliu tha se kritikuesit më të mëdhenj të prokurorit Smith janë ata që deklarohet si proamerikan, më saktësisht opozita që tentoi ta copëtojë Kosovën.

“Duhet theksuar se Prokuroria dhe Gjykata Speciale, është kompetente t’i trajtojë ekskluzivisht vrasjet e kundërshtarëve politik dhe ushtarak, në suaza të likuidimeve politike të shqiptarëve, para dhe pas luftës, që supozohet se janë bërë nga « Shtabi i Rognerit », të cilët do të jenë pjesë në proceset gjyqësore.

Kritikuesit më të ashpër të prokurorit Jack Smith, janë ata që më së shumti deklarohen se janë proamerkan, respektivisht opozita që në emër të Amerikës, në kundërshtim me Kushtetutën, rrëzoi Qeverinë Kurti dhe tentoi ta copëtojë Kosovën. Nëse, sipas opozitës nuk duhet të kundërshtohet Amerika, atëherë pse këta janë kundër prokurorit amerikan që njihet si profesionist, i paanshëm dhe me integritet të lartë, sepse njëra me tjetrën nuk shkojnë?!”, theksoi ai.

“Nuk duhet penguar Gjykata Speciale, përkundrazi duhet të ndihmohet”

Në vazhdim, juristi nga Belgjika vlerësoi se familjarët e viktimave të vrasjeve politike shpresën për zbulimin dhe dënimin e ekzekutorëve e kanë te Gjykata Speciale dhe prokuroi Smith.

Madje, ai kritikoi ashpër qeveritë e mëparshme, të cilat nuk bënë asnjë hetim dhe nuk e morën mundin t’i zbardhin vrasjet politike të pasluftës.

“Familjarët e viktimave dhe opinioni, Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale e shohin si të vetmin institucion të drejtësisë që mund t’i nxjerr para drejtësisë porositësit dhe ekzekutorët e vrasjeve. Vrasjet politike të shqiptarëve, burgosjet arbitrare, maltretimet ç’njerëzore, frikësimet dhe likuidimet e dëshmitarëve…, kanë ndodhur dhe askush nuk mund t’i mohojë ato, atëherë pse pengohet dhe kritikohet Prokuroria dhe Gjykata Speciale, kujt po i pengon? Kjo mund t’i pengojë vetë ata që janë pjesë e këtyre vrasjeve.

Mbase bëhet fjalë për procese gjyqësore ku objekt trajtimi janë vrasjet e shqiptarëve të paarmatosur, përkrahës të LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, të cilët ia prishnin hesapet «Shtabit të Rognerit» për të ardhur në pushtet, atëherë për hir të viktimave dhe familjarëve që për 20 vite kërkojnë drejtësi, nuk duhet penguar gjykata speciale, përkundrazi duhet të ndihmohet, me qëllim që e vërteta të del në shesh.

Gjykata speciale gjatë procedurës gjyqësore për sigurimin e materialeve dhe dëshmive plotësuese, që janë në interes të procesit, mund të kërkojë ndihmë juridike edhe nga shtetet tjera, por ato nuk merren apriori si të mirëqena”, u shpreh Musliu.

Më tej, ai foli edhe për akuzat që po iu bëhen speciales në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Juristi konsideron se ata që i frikësohen këtij procesi, paguajnë televizione, gazetarë dhe analistë të ndryshëm për ta dezinformuar opinionin, me pretendime se në Hagë po mbrohet UÇK-ja.

“Prandaj nuk qëndrojnë pohimet se aktakuzat janë ngritur në bazë të dëshmive dhe materiale të Prokurorisë së Serbisë, sepse bëhet fjalë për vrasje të kundërshtarëve politikë dhe ushtarak ndërshqiptar, kështu që Serbia  mund të ketë vetëm informacione nga shqiptarët e infiltruar në UÇK, me të cilët ka bashkëpunuar. Në këtë drejtim edhe Kryeprokurori Smith kishte deklaruar se, pa dëshmitë e familjarëve, dëshmitarëve shqiptar dhe të mbijetuarve të keqtrajtimeve dhe burgosjeve arbitrare, nuk do të kishte aktakuza.

Për fat të keq, ata që i frikohen këtij procesi dhe të vërtetës, paguajnë televizione, gazetarë dhe analistë të ndryshëm për ta dezinformuar opinionin, me pretendime se në Hagë po mbrohet UÇK-ja, që nuk është e vërtetë. Kjo don të thotë se pengimi i drejtësisë, nuk bëhet rastësisht, por me paramendim dhe në mënyrë të organizuar dhe për qëllime të caktuara. Të gjithë ata që i pengojnë proceset gjyqësore, janë kundër drejtësisë dhe kundër zbardhjeve të vrasjeve politike. 

Është fakt i pakontestueshëm se Lufta Çlirimtare e Kosovës, ka qenë dhe ngelë luftë e pastër dhe me kauzë të drejtë për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, dhe askush nuk e konteston këtë, por askush nuk mund ta përjashtojë mundësinë se pjesëtarë të UÇK-ës, të kenë kryer akte individuale duke e keqpërdorur uniformën e UÇK-së”, potencoi juristi.

“Fajtorët kryesor për themelimin e kësaj Gjykate, janë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar”

Ndër të tjera, ai foli edhe për procesin që parapriu formimin e kësaj Gjykate.

Musliu konsideron se fajtorë për themelimin e speciales janë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, të cilët nuk i lejuan gjykatat e rregullta të Kosovës të merren me vrasjet politike,

“Por çka i parapriu këtij procesi krejtësisht të panevojshëm?

Gjithçka filloi me ndryshimet kushtetuese, me të cilat iu dha drita jeshile, që deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 3 gusht 2015, me dy të tretat e votave, të miratojnë Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, që konsiderohet pjesë e drejtësisë vendore dhe nën juridiksionin e Kosovës.

Gabimin fatal dhe fajtorët kryesor për themelimin e kësaj Gjykate, janë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, të cilët nuk deshën që gjykatat e rregullta të Kosovës të merren me vrasjet politike, mbase vet ata ishin pjesë e tyre, sepse sikur të ishin trajtuar këto raste dekada më parë, sot nuk do ta kishim gjykatën speciale”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Familja e Haki Imerit mirëpret vazhdimin e mandatit të prokurorit Smith – ka një mesazh për deputetët që votuan pro Speciales

Image
Haki Imeri

Në lidhje me vazhdimin e mandatit të prokurorit amerikan të dhomave të Posaçme në Hagë, Jack Smith, ka reaguar edhe familja e ish veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Imeri.

Përmes një postimi në Facebook, familja Imeri i uroi suksese prokurorit Smith në zbardhjen e vrasjeve politike.

Krahas kësaj, kishte edhe një mesazh për deputetët që votuan pro krijimit të Gjykatës Speciale, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Prokurorit amerikan të dhomave të Posaçme në Hagë ia paskan vazhduar mandatin me tutje, ky është një lajm i rëndësishëm për drejtësinë.

I urojmë Z. Smith suksese të mëtutjeshme në ndriçimin e vrasjeve politike..

Puna e deri tashme e prokurorëve amerikan dhe e të tjerëve në dhomat e specializuara është për çdo lëvdatë.

Këmbëngulësia e tyre morale dhe profesionale i ka dëshmuar Kuvendit dhe deputetëve të Kosovës që themeluan këtë Gjykatë se vota e tyre është në favor të drejtësisë dhe shtetbërjes.

Kjo votë nuk u ka shkuar kot të dashur deputetë.

Burjani: Proceset gjyqësore dhe faktet duhet të flasin

Image
Juristi Blerim Burjani

Kurse, juristi Blerim Burjani në një përgjigje për gaztën “Bota sot” tha se nuk është e rëndësishme kush është prokuror.

Ai beson se rëndësi më të madhe ka verifikimi i provave, derisa paralajmëroi edhe arrestime tjera nga specialja.

“Proceset gjyqësore dhe faktet duhet të flasin, pak a hiq ka rëndësi kush është prokuror apo gjyqtar. Rëndësi ka verifikimi i provave, dëshmive, pra proceset po vazhdojnë, pritet të ketë prapë arrestime tjera nga gjykata speciale”, deklaroi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat