“Plani djallëzor i Vuçiqit”/ Çfarë zbulohet nga sondazhi për “Ballkanin e hapur” – Kosovës i kërkohet t’i bëhet me dije një gjë Ramës!

Politika

“Plani djallëzor i Vuçiqit”/ Çfarë zbulohet nga sondazhi për “Ballkanin e hapur” – Kosovës i kërkohet t’i bëhet me dije një gjë Ramës!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 korrik 2022 Në ora: 10:56
Albin Kurti, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot".

Është publikuar një sondazh për përkrahjen që e ka “Open Ballkani” nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, një organizatë amerikane që merret me avancimin e demokracisë dhe qeverisjes nëpër botë.

Ky sondazh është kryer në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku më së pakti përkrahet në Kosovë dhe më së shumti në Serbi.

“Përkrahja për hapjen e kufijve iniciativa “Open Balkan” në shtetet e Ballkanit Perëndimor: 75% në Serbi, 68% në Bosnje e Hercegovinë, 66% në Mal të Zi, 61% në Maqedoninë e veriut dhe 42% në Kosovë”, bëhet e ditur në matjet e Institutit.

Që nga fillimi i iniciativës së “Ballkanit të hapur” që fillimisht ishte quajtur minishengen, Kosova ishte shprehur kundër anëtarësimit në nismën, e cila ishte prezantuar në Novi Sad të Serbisë në vitin 2019.

Megjithatë përqindja e përkrahjes në Kosovë për iniciativën është 42%.

Po, çfarë tregon sondazhi, dhe dallimet që rezultojnë në këtë matje.

Qarri: Serbia edhe në të ashtuquajturin “Open Ballkan” tenton ta prezantojë Kosovën si vend me status të pazgjidhur politik, të prezantuar me FUSNOTË*

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” komentoi këtë sondazh lidhur me projektin e “Ballkanit të hapur”.

Sipas tij, faktin se përqindja më e vogël doli në Kosovë, tregon se ky është një projekt i rrezikshëm i Vuçiqit.

“Vet fakti se sondazhi mbi shkallën e mbështetjes së projektit serbo-rus të të ashtuquajturit «Open Ballkan» i kryer në shtetet e Ballkanit Perëndimor, rezultoi se më së pakti përkrahet në Kosovë dhe më së shumti në Serbi, dëshmon se ky është një projekt i rrezikshëm i Aleksandër Vuçiqit, për mënjanimin e njohjes së pavarësisë dhe shtrirjen e hegjemonisë së Serbisë edhe në Kosovë.

Madje edhe shkalla e lart e përkrahjes së “Open Ballkan” në Serbi, e cila arrin deri në 75 %, kurse 68 % në Bosnje ku ekziston një shumicë e konsiderueshme e banorëve serb, sidomos në të ashtuquajturën “Republika srpska” ku pothuajse të gjithë banorët janë serbë dhe 66% në Mal të Zi, ku llogaritet të ketë rreth 30% serb, si dhe 61% në Maqedoninë e veriut, integrimin e të cilës në BE, e pengon Bullgaria, kurse vetëm 42% në Kosovë”, siç bëhet e ditur në matjet e Institutit, krejt kjo flet se ky është një projekt puro- serbo-sllav, për zgjerimin e hegjemonisë serbe në të gjitha shtetet e ish federatës jugosllave”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, analisti përmendi dallimet e këtij projekti me Procesin e Berlinit.

Ai përmendi edhe tendencën djallëzore të Serbisë për kufijtë e Kosovës, gjë që është e mjaftueshme që Kosova të mos e përkrah këtë projekt.

“Vetëm fakti se Procesi i Berlinit e trajton Kosovën si shtet të pavarur njëjtë si të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, kurse Serbia edhe në të ashtuquajturin “Open Ballkan” tenton ta prezantojë Kosovën si vend me status tërë pazgjidhur politik, të prezantuar me FUSNOTË*, mjafton që të kuptohet nga shqiptarët se sa i rrezikshëm është ky projekt për Kosovën.

Shto kësaj edhe tendencën djallëzore të Serbisë, që përmes projektit «Ballkani i Hapur» t’i anashkalojë kufijtë shtetëror të Kosovës dhe ta kontrolloj edhe me ligj, rreth 30 % të territorit të Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të vendit tonë, e gjithë kjo është dëshmi e mjaftueshme për Qeverinë e Kosovës dhe qytetarët e saj, se "Open Balkan" është tepër i rrezikshëm, madje edhe shkatërrimtar për rregullimin tonë të brendshëm, integritetin territorial dhe kufijtë e jashtëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, theksoi Qarri.

Ndër të tjera, duke u bazuar në këto argumente, analisti kërkon që vendi ynë duhet ta mbajë sa më larg, Serbinë dhe projektin serbo-rus.

“Për aq më tepër, duke ditur faktin se Serbia nuk ka qenë në gjendje të ofrojë, asnjë projekt të suksesshëm as për integrimin e vet asaj në BE, si mund t’i integrojë pikërisht ajo, e cila nisi 4 luftëra nga më të përgjakshmet në ish-Federatën Jugosllave dhe ka pretendime territoriale edhe 23 vite pas lufte, ndaj shtetit të pavarur tërë Kosovës, vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat përkundrazi, nuk kanë asnjë problem të pazgjidhur politik dhe territorial me vendet tjera fqinje, prandaj vendi ynë duhet ta mbajë sa më larg, Serbinë dhe projektin serbo-rus, të ashtuquajtur “Open Ballkan”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Zogaj: Sondazhi për “Ballkanin e hapur” nuk ka ndonjë peshë, sepse disponimet e shteteve të rajonit janë flluska sapuni

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti tjetër politik, Skender Zogaj kishte disa kritika për klasën politike në Kosovë.

Sipas tij, klasa politike e vendit tonë nuk po merr vendime madhore, po heziton në këtë aspekt.

Klasa politike e Kosovës e preokupuar me luftën për pushtet e ka humbur plotësisht jo vetëm sensin për shtetin, që është detyra kruciale historike dhe aktualisht shansi më i mirë që ka ndodhur ndonjëherë për ta zgjidhur si duhet fatin e shqiptarëve pas daljes nga okupimi i të huajve! Duket e vrazhdët, por është e saktë: klasa politike e Kosovës është e padenjë për të marrë vendime meritore, sepse, partitë politike kanë degraduar duke u stërkequr deri në absurditet, aq sa nuk e posedojnë as vetëdijen elementare për se për çka ekzistojnë”, deklaroi ai.

Sa i përket “Ballkanit të hapur”, analisti Zogaj konsideron se skena politike nuk po di si të sillet dhe si të marrë vendime.

“Shiko arrogancën e kopesë parlamentare, e cila frynë e shfrynë inate personale e grupore, pa e vra fare mendjen për rrezikun që po ia shkakton vendit. 22 vjet pas çlirimit po kthehet në pikën zero për shkak të gangsterëve politikë dhe qeveritarë, që i ka rrok nevci i egoizmit të verbër! Kjo klasë politike që me vendime të turpshme e ka sakatu integritetin dhe dinjitetin e Kosovës në të gjitha planet, tash është krejtësisht normale që të mos di si t'ia bëj me "Ballkanin e hapur" që u hyri në diplomacinë botërore dhe po mirëpritet nga shumë kancelari të rëndësishme, qëndrimi i të cilave nuk është për t'u nënçmuar”, vlerësoi Zogaj.

Në fund, potencoi se sondazhi i publikuar së fundmi nuk ka ndonjë vlerë të madhe.

Ndërsa, i bëri thirrje udhëheqësve të vendit tonë që t’ia bëjnë me dije Ramës se, nuk e ka të drejtën me marr vendime në emër të Kosovës, pasi jemi shtet i pavarur.

“Sa i përket sondazhit nuk mendoj se ka ndonjë peshë, sepse disponimet e shteteve të rajonit janë flluska sapuni, që ndryshojnë nga prekja më e vogël. Mendoj se deklaratat e zyrtarëve të lartë duhet të jenë fleksibile, ndërsa qëndrimi definitiv duhet të analizohet mirë dhe qartë, dhe pastaj të harmonizohet me miqtë strategjikë dhe partnerët tanë politikë e diplomatik si dhe me BE-në, sepse, jemi shtet i ri dhe i vogël, që ka nevojë të madhe me u konsultu dhe me kërkuar mirëkuptimin e të gjithë akterëve të rajonit! Rigoroz dhe pa ekuivoke liderët kosovarë duhet t'ia bëjnë me dije kryeministrit të Shqipërisë se, nuk e ka të drejtën me marr vendime në emër të Kosovës, që Edi Rama e di se është shtet i pavarur dhe nuk ka të drejtë t'ia cenojë mëvetësinë”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat