A është koha të bie qeveria Rama? / Ky është rreziku që pritet nëse nuk largohet nga qeverisja?!

Politika

A është koha të bie qeveria Rama? / Ky është rreziku që pritet nëse nuk largohet nga qeverisja?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 korrik 2022 Në ora: 12:52
Edi Rama

Gjatë ditës së enjte në Tiranë është zhvilluar një protestë për rrëzimin e qeverisë Rama.

Protesta e opozitës në Tiranë, u mbajt me akuzat ndaj qeverisjes socialiste për abuzime të shumta me pushtetin, shpërdorime dhe shtrirje masive të korrupsionit e drogës.

Mbështetës të opozitës të kryesuar nga Partia Demokratike (PD) më e madhja në opozitë në Shqipëri, zhvilluan mbrëmjen e të enjtes, (07.07) një protestë paqësore prej më shumë se 2 orësh.

Ata i kërkuan qeverisë Rama të japë dorëheqjen për shkak të rritjes së çmimeve, krizës ekonomike dhe skandaleve të korrupsionit, të publikuara në të përditshmet e kryeqytetit, ku ditët e fundit kryeson ai i inceneratorëve.

Opozita e akuzon qeverisjen socialiste për abuzime të shumta me pushtetin, shpërdorime dhe shtrirje masive të korrupsionit. Në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK) opozita ka bërë denoncime të shumta, sidomos për marrëveshje korruptive koncesionare të nënshkruara nga qeveria.

Shqipëria po përjeton rritje çmimesh të produkteve ushqimore bazë dhe karburanteve për shkak të luftës në Ukrainë dhe agresionit rus ndaj saj. Qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurtë ekonomikisht.

Mirëpo të qenurit egoist siç është kryeministri Rama, dorëheqja nuk vjen ani pasi gabimet e tij janë të panumërta.

Nëse kujtojmë së fundmi dorëheqjen e kryeministrin të Britanisë së Madhe, Boris Johnson atëherë Rama tashmë do të duhej të ishte larguar qëmoti.

Boris Johnson u detyrua të jepte dorëheqje për shkak të një takimi para 4 vitesh me një agjent rus, Aleksander Lebedev, “pa praninë e sigurimit të vet dhe pa njoftimin e shërbimit sekret Britanik”, duke e shkelur kështu protokollin e shtetit, kur ishte ministër i Punëve të Jashtme. Ai takim mori më shumë rëndësi, prej kur ndodhi fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Por, a është koha të bie qeveria Rama për shkelje të ngjashme të protokollit të shtetit, të Kushtetutës dhe të shkeljeve të tjera të evidentuara?

Kuçi: Qeveritë në Ballkanin Perëndimor janë të mbushura me skandale, por kurrë nuk janë llogaridhënëse

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Image
Gurakuq Kuçi

Ai u shpreh se politikat e krijuara në Angli dhe Shqipëri dallojnë pasi, në Shqipëri nuk ka një shoqëri, por më shumë një bashkësi e cila sundohet dhe bindet por nuk mendon, pra ndryshe prej Anglisë.

“Shtetet dhe shoqëritë e ndryshme i ndërtojnë parimet e veta funksionale. Shtetet dhe shoqëritë si ajo e Anglisë kanë parime të qarta funksionale dhe atyre u përmbahen dhe jo rastësisht edhe janë demokraci stabile.

Funksionimi i ligjit varet nga njeriu dhe shoqëria angleze e bënë të funksionojë ligji, parimi dhe politika. Dallimi është shumë i madh ndërmjet shoqërive apo thënë më saktë bashkësive nga rajoni i Ballkanit me atë të Anglisë apo ato perëndimore. Andaj në Ballkan, gjegjësisht në Shqipëri nuk ka një shoqëri por më shumë një bashkësi, e cila sundohet dhe bindet, por nuk mendon. Në këtë mënyrë edhe kemi politikanë të cilët në shtetet si Anglia nuk do vinin në shprehje me këso qasjesh për tu bërë kryeministra”, u shpreh ai.

Më tej, njohësi i çështjeve ndërkombëtare thekson që zëri opozitar në vendet e Ballkanit Perëndimor e edhe në Shqipëri nuk janë zëri qytetar, por zëri që lufton për të marrë pushtetin dhe të vazhdoj prapë me avazin e njëjtë.

“Qeveritë në Ballkanin Perëndimor vazhdimisht janë të mbushura me skandale dhe mos-punë, por kurrë nuk janë llogaridhënëse dhe po ashtu nuk ka një shoqëri, e cila kërkon llogaridhënie. Zëri opozitar në vendet e Ballkanit Perëndimor e edhe në Shqipëri nuk janë zëri qytetar, por zëri që lufton për të marrë pushtetin dhe të vazhdojë prapë me avazin e njëjtë. Sidoqoftë”, nënvizon Kuçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Moralisht qeveria Rama ka ra qysh moti!

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ditët e qeverisë Rama janë të numëruara pasi protesta e së enjtes i dha “goditje” që qytetarët janë të lodhur nga ai.

“Moralisht qeveria Rama ka ra qysh moti, për të cilën gjë ra edhe qeveria Johnson. Duke mos pasur moral politikë, Rama do të dorëhiqet vetëm nëse ngrihet shoqëria në këmbë, siç ndodhi ditën e enjte me 7 korrik. Kështu që, 7 korriku është fillimi i fundit të Edi Ramës, njeriut që nuk njeh forcë tjetër përveç asaj të masës. Edi Rama ka qindra skandale më të rënda se të z.Johnson dhe prapë s’ka dhënë dorëheqje, por do të ndjehet i detyruar ta bëjë një gjë të tillë me shoqërinë shqiptare që është ngritur në këmbë”, thekson analisti.

Më tej, ai thekson që sa më parë Rama duhet të largohet pasi përveç Shqipërisë ai është i dëmshëm edhe për Kosovën.

“Edi Rama është jo vetëm i dëmshëm për Shqipërinë, është i rrezikshëm edhe për Kosovën, duke qenë nën diktakin e Vuçiqit dhe Rusisë. Sa më parë të largohet nga pushteti aq më mirë për shqiptarët kudo që janë. Shpresoj, dhe besoj se Rama i ka ditët e numëruar”, përmbylli Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat