Serbia instalon ‘sytë’ e saj në veri/ Çfarë fshihet pas kamerave ilegale – a ka shqiptarë të infiltruar!?

Politika

Serbia instalon ‘sytë’ e saj në veri/ Çfarë fshihet pas kamerave ilegale – a ka shqiptarë të infiltruar!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 korrik 2022 Në ora: 22:05
Ilustrim

Ditë më parë, Policia e Kosovës ka nisur një aksion për sekuestrimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale në Shtërpcë, komunën me shumicë serbe në rajonin e Ferizajt.

Prokurori Rasim Maloku njoftoi se zbatuan një urdhëresë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e 4 lokacioneve në këtë qytet.

“Jemi prezent. Jemi duke e zbatuar një urdhëresë për kontrollimin e katër lokacioneve”, tha ai nga vendi i ngjarjes.

Krahas kësaj, prokurori tha se Policia do të zbarkojë edhe në disa vende nga ku dyshohet se po monitorohen këto kamera të vendosura nga strukturat ilegale serbe.

“Jemi duke i sekuestruar të gjitha. Do të kryejmë kontrolle edhe në disa qendra ku dyshohet se po monitorohen kamerat e sigurisë”, tha ai.

Këto kamera dyshohet se monitorohen nga një shkollë, nga një televizion lokal, si dhe nga një vend afër postës së qytetit. Prokurori Maloku tha se pamjet e regjistruara janë përcjellur deri te strukturat e sigurisë në Serbi.

Gjithashtu, vlen të theksohet se disa kamera të sigurisë që vëzhgojnë hapësira publike janë të vendosura nëpër shtylla të ndryshme në katër komunat veriore të Kosovës. Pronësia e tyre nuk dihet e as kush i kontrollon ato.

Këto komuna pritet t’i nënshtrohen një kontrolli nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), që është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, për të parë nëse ky lloj vëzhgimi po bëhet në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kamerat janë të vendosura në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Ternava: Duhen të ndërmerren të gjitha masat dhe të zbulohen autorët

Image
Hajrullah Tërnava

Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Sipas tij, pas zbulimit të këtyre kamerave ilegale të strukturave paraleleve serbe duhet të merren masa dhe të zbulohet se nga ka ardhur një vendim i tillë.

Tani kur edhe më në fund u zbuluan veprimet e tilla, që në komunat serbe qenkan montuar kamerat ilegale të fshehta nga struktura serbe, qe një kohë të gjate në Shtërpcë dhe veri, si dhe në tjerat komuna serbe kudo që ndodhen si në rajonin e Gjilanit dhe komuna tjera, gjithsesi se duhen të ndërmerren të gjitha masat dhe të zbulohen vendimet e ndërmarra për montime të kamerave të tilla, si dhe kush janë personat që janë involvuar në këto veprimtari të kamerave në fjalë”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Tërnava kërkoi të hetohen dhe të zbardhen edhe shumë çështje të tjera në lidhje me këtë ngjarje, siç janë: koha kur janë vendosur ato kamera, nga kush janë vendosur, cili është funksioni i tyre, a janë paguar njerëzit për një gjë të tillë, a ka shqiptarë të infiltruar…!

“Të zbulohen rrethanat tjera, se kur janë vendosur ato kamera, si dhe numri i atyre kamerave të vendosura, qëllimi i vendosjes së tyre, qe sa kohë janë në funksion e sipër ato kamera, njerëzit e angazhuar për këtë çështje të montimeve si dhe përcjellja e atyre teknikave që janë futur në funksion të tyre nga ana e njerëzve që e kishin këtë çështje për detyrë, gjithashtu se duhet te zbulohet shkaku i montimeve dhe çfarë qëllimi kishin, të zbulohen njerëzit e angazhuar, sa nga ta ishin të paguar, si dhe ndaj tyre të ngriten aktakuza gjyqësore për rrezikim të prishjes së rendit shtetëror.

Si dhe të zbulohet hierarkia e atyre montuesve dhe mbikëqyrësve se kujt i kanë dhanë llogari për punë të tilla, dhe kujt i kanë raportuar lidhur me këto kamera, domethënë të zbulohet hierarkia e njerëzve se kush në tërësi ka qenë i kyçur për këto çështje, dhe planet tjera a mos ka pas tentime që këto kamera të montohen edhe nëpër ato qendra të qyteteve të banuara me shqiptarë apo institucione tona shtetërore, si dhe a ka pas persona te angazhuar të nacionalitetit shqiptarë të kyçur apo që kanë pas njohuri për këto kamera”, shpjegoi eksperti i sigurisë.

Më tej, ai potencoi se kjo është një çështje shumë problematike me të cilin duhet të merret Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Madje, sipas tij, kjo çështje mund të përdoret si alibi për luftërat speciale që Serbia po i zhvillon në Kosovë.

“Me këtë çështje të kësaj problematike më shumë duhet të merren zyrtartë AKI-së dhe t’i zbulojnë deri në detaje të gjitha qëllimet e montimeve të kamerave, dhe me zbardhjen në tërësi të këtyre rasteve, gjithsesi të njoftohet Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës, si dhe Ministri i PB.

Kjo çështje sipas vlerësimeve të institucioneve të Kosovës, mund të përdoret si alibi për luftërat speciale që është kah i zhvillon Serbia ndaj shtetit tonë, dhe të konstatohet se Serbia është duke përdorur luftëra speciale, dhe duke i shpik çështjet e rrezikimeve të nacionalitetit serb, sidomos në ato vende ku jetojnë serbët në shumicë, se Serbia po i furnizon me armatime të llojllojshme, sikur që u zbulua një armatim i tërë në Shtërpcë dhe të tjerët serbë ku jetojnë në territoret e Kosovës, që qëllimi i këtij lloji të furnizimit si armatim dihet çfarë qëllimi ka”, nënvizoi Tërnava.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë tha se me këto veprime shteti serb po tenton ta fajësojnë Kosovën dhe shqiptarët, në mënyrë që ta ngadalësoj integrimin e saj në BE dhe mos ta njoh pavarësinë e vendit tonë.

“Prandaj, ky argument është mjaft bindës për luftërat speciale që është duke i zhvilluar Serbia me politikat e saj për destabilizimin e vendit tonë dhe të rajonit, e sidomos duke i ndërmarrë këto veprime të armatimit të popullit serb, që për qëllim e kanë përdorimin e atyre armëve ndaj shqiptarëve, për ta çrregulluar çështjen e sigurisë dhe të rendit shtëpiak të Kosovës.

Me këto veprime duke ua përshkruar si sulme të shqiptarëve ndaj popullatës serbe, kur Serbia e vlerëson se është koha të veprohet në ato mënyra të çrregullimit të rendit shtetërore mes shqiptarëve dhe serbëve, që të fajësohen shqiptarët pasi janë në shumicë, kështu që faktori ndërkombëtar duhet t’i ketë këto fakte parasysh, dhe me këto fakte Serbia do që ta ngadalësojë edhe përparimin e Kosovës drejt shteteve të BE-së, si dhe ky fakt t’i shërbejë Serbisë që mos ta njoh pavarësinë e saj”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Të përgatitet një plan adekuat për ndërhyrje në pjesën veriore por edhe në komunat tjera që nuk respektojnë normat

Image
Drizan Shala

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala potencoi se këto kamera të vendosura në mënyrë ilegale nga strukturat serbe tregon faktin se Beogradi nuk e ka ndryshuar asnjëherë qasjen ndaj Kosovës.

“Vendosja e kamerave nga strukturat paralele të Serbisë dhe të mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë po e dëshmon faktin që asnjëherë lufta e drejtuar nga pushteti në Beograd nuk ka ndryshuar sa i përket çështjes se Kosovës. Pas daljes në një konferencë të presidentit serb ku tentoi që ta paraqet një situatë jo reale duke aktivizuar gjithë aparaturën propagandistike kundër Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së saj”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Sa i përket aksionit në Shtërpcë, Shala potencoi se me këtë dëshmohet se policia e vendit ka informacionet e duhura në lidhje me veprimet që potencialisht mund ta cenojnë sigurinë në vend.

“Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe mekanizmit tjetër të sigurisë mund të themi që është treguar fakti që institucionet e sigurisë së vendit kanë gjitha informacione relevante sa i përket veprimeve të cilat mund të cenojnë sigurinë nacionale të vendit dhe ku njëra nga to është edhe heqja e kamerave të sigurisë në qytetin e Shtërpcës”, theksoi ai.

Në fund, eksperti kërkoi qët’i jepet hapësirë për veprimin, heqjen dhe hetimin e të gjithë kamerave të vendosura nga strukturat paralele serbe në komunat veriore të Kosovës.

“Në lidhje me heqjen e kamerave të sigurisë që janë të vendosur në kundërshtim më normat ligjore në veri të vendit, duhet sa më parë që të jepet hapësira e veprimit të ndërhyn dhe të largohen të gjithë ato kamera që nuk kanë marr leje nga autoriteti përkatës i institucioneve të Kosovës.

Sa i përket kohës dhe mënyrës së veprimit duhet analizuar edhe rrethanat tjera që mund të marrin organet e rendit nga rrugët operative për shkallën e rrezikshmërisë dhe kështu të përgatitet një plan adekuat për ndërhyrje në pjesën veriore por edhe në komunat tjera që nuk respektojnë normat”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat