Çfarë po fshihet pas kërkesës së PDK-së, që mjekët dhe profesorët të mos e deklarojnë pasurinë e tyre?!

Politika

Çfarë po fshihet pas kërkesës së PDK-së, që mjekët dhe profesorët të mos e deklarojnë pasurinë e tyre?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 korrik 2022 Në ora: 11:48
Kuvendi i Kosovës

Në seancën e fundit të mbajtur nga Kuvendi i Kosovës një nga temat, e cila ngjalli debat ishte deklarimi i pasurisë.

Ishte Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar sërish që në seancën e ardhshme të Kuvendit të shqyrtohet kërkesa e tyre që profesorët dhe mjekët mos të përfshihen në ligjin e ri e ku në rast se votohet mjekët dhe profesorët duhet ta deklarojnë pasurinë.

Blerta Deliu pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se mjekët dhe profesorët duhet të largohen nga ai ligj meqë sipas saj ata nuk janë të ekspozuar ndaj korrupsionit.

Përveç kësaj është edhe një barrë shumë e madhe për Agjencinë Kundër Korrupsioni”, tha ajo.

Për dështimet në Kuvend të disa projektligjeve ajo ka fajësuar deputetët e shumicës, të cilët sipas Deliut janë pikërisht ata që mungojnë në seancat plenare.

Natyrisht nuk është për çudi ky kundërshtim i vazhdueshëm i PDK-së, pasi në momentin që është në pyetje deklarimi i pasurisë është gjithmonë në kundërshtim.

Mirëpo, insistimi për mos deklarim a do të thotë që dikush është duke u frikësuar?

Kelmendi: Pasurinë e luajtshme apo të paluajtshme e konfiskojnë vetëm gjykatat me aktgjykim të formës së prerë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai për gazetën u shpreh që ky ligj është kritikuar nga Komisioni i Venecias për këtë arsye duhet të shqyrtohet edhe njëherë, nëse duhet ky projektligj duhet të futet në fuqi.

Çështja e ndërtimit juridik të Byrosë shtetërore, të verifikimit dhe të konfiskimit të pasurisë së pa justifikueshme është kritikuar me të drejtë nga Komisioni i Venecias dhe si i tillë, ky projekt, nuk duhet kurrsesi të bëhet ligj. Është një çështje e rëndë që ky ligj të futet në fuqi. Nuk ka raste në botë, fjala është për shtetet demokratike, që të gjendet në fuqi një ligj i tillë. Kam mendim se ka shumë baza të dyshimta dhe shumë jo ligjore. Në kuptimin e shtetit juridik, që e bëjnë të pakapshëm këtë projekt të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë”, u shpreh ai.

Juristi radhitë disa nga arsyet që ky projekt duhet të rishikohet përsëri.

Konkretisht: 1. Ligji i jep të drejtë organeve administrative jo vetëm që të verifikojnë pasurinë e pajustifikueshme, por edhe të bëjnë konfiskimin e pasurisë së tillë. 2. Me formën e tillë i jepet administratës fushëkompetenca që është kryesisht e gjykatave në vend. 3. Gjykatat paraqiten me këtë ligj si organe të duplifikuara dhe shpeshherë të dorës së dytë, gjë që shteti i së drejtës nuk e lejon. 4. Kurrsesi nuk bëhet që çështja e pasurisë së luajtshme a të paluajtshme të konfiskohet jashtë procedurës ligjore të gjykatave. 5. Administratës mund t’i jepen kompetenca verifikuese dhe procedura për konfiskim të pasurisë të kalojë te gjykatat kompetente”, shpjegon juristi.

Ndër të tjera ai thekson që nëse bëhet ligj, askush nuk mund të përjashtohet.

“Janë këto vetëm disa çështje shumë domethënëse që këtë projekt e kundërshtojnë. Zaten edhe vetë emri i projektit: “verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë” tregon një kundërshtim të ashpër me kompetencat e gjykatës. Vërehet se me këtë konfiskohet pasuria dhe gjykata mbetët të veproj vetëm atëherë kur palët interesohen. Por, nëse bëhet ligj, askush nuk mund të përjashtohet. As mjekët dhe as profesorët, sikundër prokurorët, gjyqtarët dhe të punësuarit e tjerë, në çdo sektorë të jetës së shtetit”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

Mehazi: Kryesia e Kuvendit me rastin Projektiligjit për Deklarimin e Pasurisë nuk duhet të bëjë selektime

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk është e rastësishme ky kundërshtim i vazhdueshëm nga PDK-ja pasi e njëjta më së shumti ka ndihmuar në rritjen e korrupsionit për këtë fushë.

Image
Sulejman Mehazi

Nuk është e rastësishme që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që në Projektligjin e themelimit të Burosë për konfiskimin e pasurisë, të largohen mjekët dhe profesorët, për shkak se PDK-ja gjatë qeverisjes ka qenë ajo parti që më së shumti ka ushqyer e rritur korrupsionin në këto dikastere ministrore”, thotë profesori.

Në bisedë e sipër, profesori thekson që pas elitave politike, ministrave, deputetëve e drejtorëve ata që më së shumti janë pasuruar janë gjykatësit, mjekët e profesorët universitar.

Gjatë qeverisjes së PDK-së së Blertës nuk ka pasur dikastere të pastërta, por të korruptuara deri në majë të kokës. Pas elitave politike, ministrave, deputetëve e drejtorëve ata që më së shumti janë pasuruar në Kosovë, por edhe në Shqipëri e RMV-së, po në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë gjykatësit, mjekët e profesorët universitar, aq sa nuk e dimë se a ekziston në Kosovë ndonjë mjek që nuk është i pasur duke plaçkitur pacientët e sëmurë pamëshirshëm”, potencon ai.

Në fund, profesori thotë që kryesia e Kuvendit me rastin e Projektligjit për Deklarimin e Pasurisë nuk duhet të bëjë selektime pasi korrupsionet shtetërore janë të lidhura në mënyrë zinxhirore mes vete.

“Kështu që Kryesia e Kuvendit me rastin e Projektligjit për Deklarimin e Pasurisë nuk duhet të bëjë selektime, këta po, e këta jo, por së bashku me politikanët, të hyjnë edhe gjykatësit, mjekët, profesorët, pse jo edhe administrata, pasi dihet se korrupsionet shtetërore janë të lidhura në mënyrë zinxhirore merimangash: 1.Kryetarët e partive, 2. kryeministri, 3. ministrat, 4. deputetët, 5. drejtoritë shtetërore, 6. gjykatësit, 7. mjekët, 8. profesorët universitarë dhe 9. administrata, sidomos Republika e Kosovës vuan nga katër fuqitë zhvatëse: politikanët, gjykatësit, mjekët dhe profesorët universitarë të korruptuar”, përmbylli Mehazi për Gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat