Jeta dhe pronat e shqiptarëve në Maqedoni të rrezikuara nga sulmet e rebelëve maqedonas / Ali Ahmeti hesht, ‘vrapon’ pas pushtetit!

Politika

Jeta dhe pronat e shqiptarëve në Maqedoni të rrezikuara nga sulmet e rebelëve maqedonas / Ali Ahmeti hesht, ‘vrapon’ pas pushtetit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 korrik 2022 Në ora: 08:06
Pamje nga protesta në RMV

Propozimi i Francës për zgjidhjen e një kontesti midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ka shkaktuar përplasje politike, tensione dhe protesta në rrugët e Shkupit.

Nga disa persona dhe përfaqësues politik, ky propozim po shihet si një “tradhti kombëtare”, ndërsa për disa të tjerë mundësi e mirë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE, shkruan “Bota sot”.

Kësisoj, maqedonasit kanë hyrë në javën e dytë të protestave për këtë propozim.

Këto protesta nuk kanë qenë aq paqësore, ku ka pasur edhe eskalim të situatave dhe janë mbajtur deri në orët e vona të mbrëmjes.

Sigurisht, maqedonasit nuk harruan ta shprehin mllefin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, përmes thirrjeve antishqiptare.

Madje, ata edhe kanë rrezikuar jetët dhe pronat e shqiptarëve gjatë protestave të tyre.

Mirëpo, pavarësisht kësaj rrezikshmërie, partitë shqiptare në RMV nuk kanë marrë ndonjë veprim konkret për këto sulme.

Azemi: Frustrimi maqedonas burimin e ka në ndryshimin e realitetit

Image
Publicisti Emin Azemi

Publicisti Emin Azemi për “Bota sot” komentoi protestat në Maqedoninë e Veriut dhe thirrjet e vazhdueshme anti-shqiptare.

Ai tha se maqedonasit janë rritur në një frymë antishqiptare, kësisoj nuk je nacionalist maqedonas, nëse nuk i shanë dhe fyen shqiptarët.

“Të ashtuquajturit nacionalist maqedonas nuk dinë as të bëjnë protesta normale. Ata patjetër duhet t’i ofendojnë shqiptarët, për të qenë tamam protestues të thekur. Nuk je tamam nacionalist maqedonas, nëse nuk licencohesh për të sharë e fyer shqiptarët. Sepse ata janë edukuar me një frymë antishqiptare, e ndjekur që nga çerdhja e fëmijëve e deri te liturgjitë kishtare. Madje edhe këto të fundit përzihen me dofarë këngësh ku “shqiptarët e mallkuar” janë objekt urrejtjesh patologjike. Prandaj një maqedonas i rritur, kur vendos të protestojë edhe për ndotjen e ajrit, ose për ngordhjen e peshqve në ujërat e Alaskës, mendon se fajtor kryesor për këtë janë shqiptarët”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Azemi tha se nacionalistët e pastër maqedonas mbajnë edhe pasaporta bullgare, ku verbëria e tyre nuk i lejon të bëjnë ura miqësie me fqinjët shqiptarë.

“Për të parë kulturën protestuese të një populli, mjafton të ndjekësh me vëmendje sjelljet e tifozëve të futbollit. Meqë ra fjala, tifozët maqedonas janë shumë të çuditshëm, sepse ka ndodhur që ata të brohorasin “vdekje shqiptarëve” edhe atëherë kur në stadium ka patur plot futbollistë shqiptarë që kanë luajtur për përfaqësuesen e Maqedonisë (!)

Këso protestuesish paçavure rrallë gjen njeriu në botë, paçka se për të qenë krejt nacionalist i veçantë maqedonas duhet të jesh i pajisur me pasaportë bullgare, të jeshë ithtar i muzikës dhe zgarës serbe, por patjetër të posedosh urrejtje që në fëmijëri ndaj shqiptarëve. Pra, në Maqedoni nuk quhesh tamam nacionalist, nëse nuk ke në gjen disa prirje antishqiptare. Me farat e urrejtjes antishqiptare, këta të ashtuquajturit nacionalist maqedonas duan të mbjellin për fëmijët e tyre një fushë të gjerë me thera, sepse verbëria nacionaliste ata nuk i lejon të bëjnë ura miqësie me fqinjët shqiptarë”, theksoi ai.

Më tej, publicisti u befasua me gjithë këtë urrejtje ndaj shqiptarëve, kur dihet se maqedonasit gjithmonë janë penguar nga bullgarët, serbët e grekët.

Ai përmendi edhe ‘luftën’ që po bëhet kundër hapjes së shkollave shqipe, siç është ajo e Manastirit.

“Çfarë race janë këta nacionalistë primitivë maqedonas, që kanë kaq shumë urrejtje ndaj shqiptarëve? Pse e kanë këtë mllef me shqiptarët, kur këta të fundit asnjëherë nuk ua mohuan maqedonasve gjuhën, kishën, historinë. Janë bullgarët, grekët e serbët që sabah e aksham ua mohojnë identitetin maqedonasve, por të ashtuquajturit nacionalistë maqedonas me pasaporta bullgare dhe me prirje muzikore proserbe, janë tepër të kulturuar ndaj tyre. Të ashtuquajturit nacionalist maqedonas nuk luftojnë për gjuhën dhe historinë tyre që ua mohojnë serbët e bullgarët, por luftojnë kundër gjuhës shqipe që ajo të vazhdojë të trajtohet si 20%. Ata luftojnë kundër hapjes së një shkolle të mesme në gjuhën shqipe në Manastir, si dhe kundër fëmijëve shqiptarë në disa fshatra të Shkupit, të cilët janë të detyruar të mësojnë në shkolla maqedonase”, nënvizoi Azemi.

Ndër të tjera, ai tha se i gjithë frustrimi maqedonas burimin e ka në ndryshimin e realitetit, ku shqiptarët kanë arritur të përfshihen në disa segmente të jetës publike në Maqedoninë e Veriut.

“Por, në vend se ta mbrojnë Maqedoninë nga primitivizmi i tyre, ata po mbrohen nga shqiptarët që me asgjë nuk po provokojnë, ndonëse me ta bashkëjetojnë me shekuj. Frustrimi maqedonas burimin e ka në ndryshimin e realitetit, ku shqiptarët kanë arritur të përfshihen në disa segmente të jetës publike në Maqedoninë e Veriut. Të mësuar me portretin e shqiptarëve sharrëxhinj e pastrues rrugësh, të ashtuquajturit nacionalist maqedonas e kanë vështirë sot ta imagjinojnë që diplomacinë e shtetit mund ta udhëheq një shqiptar, që emrin fundja e ka pastër shqip”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Mehazi: Protestuesit me partitë opozitare të VMRO-së e Levicës sulmojnë e rrezikojnë jetën dhe pronat e shqiptarëve

Image
Profesori nga Maqedonia, Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori nga Maqedonia, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” i vlerësoi normale protestat kundër propozimit francez.

Mirëpo, ai kritikoi qëndrimin e partive shqiptare karshi qasjes së maqedonasve ndaj qytetarëve e pronave shqiptare.

“Veprimet e partive politike dhe të protestuesve maqedonas kundër propozimit francez dhe kundër regjistrimit të pakicës bullgare në RMV janë normale, mirëpo nuk është normale dhe e arsyeshme heshtja totale jo vetëm e partive politike shqiptare, por edhe e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi që janë nemitur e verbuar, e fare nuk vërejnë situatën politike të maqedonasve jo vetëm kundër bullgarëve, por edhe kundër qytetarëve e pronave shqiptare”, tha ai.

Mehazi tha se jeta dhe pronat e shqiptarëve po rrezikohen në vazhdimësi nga sulmet e protestuesve të udhëhequr nga partitë maqedonase, derisa BDI-ja vazhdon të ‘vrapojë’ pas pushtetit.

“Protestuesit thuaj se çdo ditë me partitë opozitare të VMRO-së e Levicës sulmojnë e rrezikojnë jetën dhe pronat e shqiptarëve në anën tjetër partia e BDI-së në pushtet në vend që të mbrojnë qytetarët shqiptarë vrapon pas partisë maqedonase në pushtet, LSDM-së, për t'ua bërë shtetin maqedonasve me anë të marrëveshjes me Bullgarinë, mirëpo pa kërkuar fare të drejtat e gjuhës shqipe në brendi të thellë të kushtetutës së RMV-së”, u shpreh profesori.

Sipas tij, i vetmi kryeministër shqiptar që po bën luftë në dobi të shqiptarëve është kryeministri Kurti, derisa kritikoi ashpër Ramën dhe Abazoviçin.

“Është për t'u habitur se si prej katër shteteve: Shqipëri, Kosovë, RMV e Mal të Zi, vetëm njëri bën luftë politike e diplomatike në dobi të shqiptarëve, e ai është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kurse tre të tjerët për të huajt, Edi Rama me Ballkanin e Hapur bën politikë serbe, Ali Ahmeti i BDI-së me propozimin e presidentit francez Makron, ndaj Bullgarisë bën politikë maqedonase, kurse kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviqi, me anë të kishës autoqefale serbe dhe Ballkanit të hapur i është kthyer Vuçiqit”, theksoi Mehazi.

Në fund, ai kërkoi që në rast se pranohet pakica bullgare në RMV, atëherë shqiptarëve ju jepet e drejta kushtetuese që të jenë kryekëput të barabartë me maqedonasit, si me gjuhën shqipe zyrtare.

“Sidomos vlen të përmendet situata politike në RMV, e cila është tensionuar e rebeluar nga maqedonasit nacionalistë e ekstremistë kundër Bullgarisë e kundër propozimit francez, dhe, këtë situatë të rëndë maqedonase si e qysh duhet ta shfrytëzojë partia e BDI-së në pushtet që nëse pranohet pakica bullgare në RMV, atëherë shqiptarëve ju jepet e drejta kushtetuese që të jenë kryekëput të barabartë me maqedonasit, si me gjuhën shqipe zyrtare dhe se shqiptarët jo të jenë pakicë sikurse bullgarët, por në nivelin më të lartë shtetformues së bashku me maqedonasit.

Marrëveshja RMV-Bullgari, BDI-së i jep të drejtë politike kombëtare e kushtetuese që të këmbëngulë që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase e kurrsesi e barabartë me gjuhen bullgare;

-të hiqet 20% i gjuhëve pakicë për shqiptarët, dhe se shqiptarët të jenë shtetformues me kushtetutë së bashku me maqedonasit e kurrsesi me nivelin e pakicës bullgare;

-të ndërrohet himni e stema, që ka frymën nacionale maqedonase”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat