Dajaku: Fatmir Sheholli na shtyn me besu se në SHIK kishte dorë shërbimi serb

Politika

Dajaku: Fatmir Sheholli na shtyn me besu se në SHIK kishte dorë shërbimi serb

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 korrik 2022 Në ora: 11:47
Fatmir Sheholli

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se ka shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në periudhën e pasluftës në Kosovë, derisa paralufte ka thënë se “ka punuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës”.

Ai ka pohuar se shef i tij ka qenë ish-kreu i ShIK-ut, Kadri Veseli.

Madje, ka thënë se ka bashkëpunuar ngushtë me dy krerët e lartë të ShIK-ut: Elmi Reçicën dhe Latif Gashin.

“Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shef i im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera.

Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, kishte rrëfyer Fatmir Sheholli.

Dajaku: Nëse kemi dyshuar 50% në SHIK, ky na e hap rrugën me besu 98% se SHIK-u ishte në dorën e shërbimit serb

Image
Ish-ushtar i UÇK-së dhe ish truprojë i presidentit Rugova

 

Për këtë çështje ka folur, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut truprojë i presidentit Rugova, i vrarë në atentat në vitin 2001, bashkë me gazetarin e gazetës “Bota sot”, Bekim Kastratin.

Ai thotë se dalja publike e Fatmir Shehollit me këto deklarime nënkupton “trimërinë” e tij brenda SHIK-ut dhe jashtë tij.

“Secili shërbim rekruton informator edhe prej atyre që munden me pas një të kaluar të dyshimtë, bile këta duke i sulmuar me pretekstin e tradhtisë, apo diçka të kësaj natyre mund të jenë shumë të dobishëm: janë të detyruar të punojnë për shërbimin për shkak të kaluarës së tyre!... por nëse të tillëve iu jepen poste në hierarki atëherë më s’dihet ai shërbim se i kujt është. Dalja e këtij erifit ashiqare tregon trimërinë që e kanë brenda SHIK-ut dhe jashtë tij mu ata që kishin lidhje dhe punuan për sigurimin famëkeq të UDB-së”, thotë ai.

Sipas tij, ky me deklarimet e tij i hap rrugë që të besohet se SHIK-u ishte nën ndikim të fuqishëm të shërbimit serb.

“Nëse kemi dyshuar 50% në SHIK, ky na e hap rrugën me besu 98% se SHIK-u ishte në dorën e shërbimit serb, dëshiroj të jem i gabuar por edhe të akuzuarit e Hagës po gjykohen për viktima ku përqindja e tyre është mbi 80-90% shqiptarë dhe nëse gjykata e Hagës do të ketë sukses që ta vendos drejtësinë dhe vetëm drejtësinë në parim dhe në praktik atëherë SHIK-u do ta marr vlerësimin e duhur!”, përfundon ai.

Qarri: Të hetohet veprimtaria e Shehollit

Image
Gani Qarri

 

Edhe analisti Gani Qarri, thotë se veprimtaria e Fatmir Shehollit është e dyshimtë dhe raportohet se përveç që ishte spiunë dhe punoi për UDB-në serbe, raportohet se edhe babai i tij ishte vrarë nga forca e UÇK-së, si tradhtar i popullit shqiptar.

“Është jo vetëm shumë e habitshme, por edhe plotësisht e pakuptueshme, veçanërisht për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se si spiunët si Fatmir Sheholli i cili punoi për UDB-në serbe dhe regjimin e Sllobodan Millosheviqit, edhe në vitet e pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia okupatore, të inkuadrohen pikërisht në SHIK-un e udhëhequr nga PDK-ja dhe kuadrot e saj më të larta si Kadri Veseli e Elmi Reçica, të cilët thonë se partia e tyre, është edhe parti e dalë nga lufta e UÇK-së?!.

Madje ekzistojnë shënime se spiuni i Millosheviqit, Fatmir Sheholli, i cili kryesisht ka vepruar në Llap e rrethinë, por jo vetëm, si njëri nga bashkëpunëtorët më besnik të okupatorëve serb, në kohën kur Serbia okupoi Kosovën dhe vendosi masat e dhunshme kundër shqiptarëve, ai u punësua në Radiotelevizionin e atëhershëm të Prishtinës, prej nga ishte dëbuar i gjithë kuadri shqiptar.

Për aq më tepër, mediat shkruajnë se edhe babai i Fatmir Shehollit, Maliq Sheholli, u vra nga forcat e UÇK-së, si tradhtar i popullit shqiptar, ndaj habit fakti se si, as kjo nuk e ka penguar fare Kadri Veselin e Elmi Reçicën me shokë, që spiunin e UDB-së, Fatmir Shehollin ta kenë njërin nga bashkëpunëtorët e ngushtë dhe kuadrot e larta të SHIK-ut”, nënvizon ai.

Sipas tij, me njerëz si Fatmir Sheholli, janë komprometuar në mënyrën më të keqe, pikësëpari vet udhëheqësit dhe liderët më të lartë të SHIK-ut, të cilët, po vërtetohet katërçipërisht, se me plotë të drejtë, qytetarët e Kosovës, gjithmonë kanë pasur rezerva e dyshime të mëdha dhe nuk u kanë besuar kurrë plotësisht.

“Akte të tilla, fatkeqësisht i qesin hije tepër të zezë jo vetëm SHIK-ut, si organizatë edhe ashtu gjysmë ilegale, por edhe vet PDK-së, si parti që veten e deklaron, si parti e dalë nga lufta.

Pas çlirimit të Kosovës, spiuni i njohur i Serbisë Fatmir Sheholli, ishte emëruar këshilltar politik dhe zëdhënës i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete e cila asokohe, udhëhiqej nga Sllavisha Petkoviq.

Me njerëz si Fatmir Sheholli, janë komprometuar në mënyrën më të keqe, pikësëpari vet udhëheqësit dhe liderët më të lartë të SHIK-ut, të cilët, po vërtetohet katërçipërisht, se me plotë të drejtë, qytetarët e Kosovës, gjithmonë kanë pasur rezerva e dyshime të mëdha dhe nuk u kanë besuar kurrë plotësisht.

Fatmir Sheholli, në fillim të vitit 2020, ishte ftuar edhe nga Gjykata Speciale, i cili madje deklaronte se në Hagë, do të shkojë "Për t’i mbrojtur vlerat dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës!”.

Siç dihet UDBA si “Organizatë e Shërbimit Shtetëror” serbosllav, ishte themeluar qysh në vitin 1946 dhe publikisht veproi deri në vitin 1990, e cila me spiunët shqipfolës si Sheholli & Co, kishte për detyrë, hetimin, burgosjen, dënimin dhe likuidimin e veprimtarëve politikë shqiptar, në Kosovë dhe trojet shqiptare nën okupimin jugosllav, në mënyrat më të rënda e barbare”, deklaron Qarri.

Në fund, ai shton se mesazhet e tij, hedhin shumë dyshime se udhëheqësit e SHIK-ut, kanë mbajtur bashkëpunëtorë spiunë.

Tutje, deklaron se urgjentisht duhet të hetohet veprimtaria e Fatmir Shehollit dhe liderëve të SHIK-ut.

“Prandaj me mesazhet e dhëna nga Fatmir Sheholli se ka bashkëpunuar ngushtë edhe me drejtuesit e SHIK-ut, dhe shef e ka pasur pikërisht Kadri Veselin, si dhe gjatë luftës, njëkohësisht ka punuar për Shërbimin Shtetërorë të Serbisë dhe shërbimin inteligjent të UÇK-së, ai ka rritur edhe më shumë dyshimet edhe ashtu të mëdha, te të gjithë qytetarët e Kosovës, se edhe udhëheqësit e SHIK-ut, duke mbajtur për bashkëpunëtor spiunët me damkë të UDB-së si Sheholli & Co dhe inkuadruar ata edhe në SHIK, nuk kanë mundur të jenë, plotësisht të pastër dhe të papërlyer edhe vet, në akte të dyshimta dhe prapaskena të errëta anti-Kosovë dhe antishqiptare.

Kështu që, 23 vite, pas çlirimit të Kosovës, jo vetëm Fatmir Sheholli por të gjithë udhëheqësit më të lartë të SHIK-ut, të cilët në këtë organizatë fantome, kanë angazhuar spiunët e Serbisë dhe bashkëpunëtorët më të përbetuar të UDB-së, duhet të hetohen urgjentisht, deri në imtësitë më të vogla dhe zbardhen sa ma parë veprimtaritë e tyre të dyshimta”, thotë Qarri.

Ai thotë se hetimi dhe zbardhja e veprimtarisë së Fatmir Shehollit dhe liderëve të SHIK-ut, është jo vetëm e nevojshme, por edhe e patejkalueshme, për të shpëtuar përfundimisht vendin dhe qytetarët e Kosovës, sipas tij, “nga bëmat e rrezikshme të këtyre njerëzve, në shërbim të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit”.

Presidenti i Serbisë Vuçiq, në kohën e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia ishte edhe ministër i informatave në Qeverinë Milllosheviqit. “Kjo mendon se mund të jetë koha kur edhe mendohet t’i ketë rekrutuar jo vetëm Fatmir Shehollin, por edhe shokët e bashkëpunëtorët e tij, në SHIK, deri te vet udhëheqja më e lartë e SHIK-ut”, përmbylli Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Në shërbimet e spiunazhit, punojnë njerëzit e kalibrave të ndryshëm dhe të shërbimeve të ndryshme

Image
Muhamet Kelmendi

 

Kurse juristi Muhamet Kelmendi thotë se nuk di për veprimtarinë e Shellohit, edhe pse njerëzit në shërbime informative marrin dhe dërgojnë informata të ndryshme.

“Në aspektin teorik të punës së shërbimeve del se në to punojnë njerëz të ndryshëm. Ka raste kur punojnë edhe në shërbime të ndryshme. Edhe puna në SHIK duket se kështu ka qenë. Në shërbimet e spiunazhit, punojnë njerëzit e kalibrave të ndryshëm dhe të shërbimeve të ndryshme. Nuk kam të dhëna se ka qenë punëtor në SHIK. Informacione ndoshta ka dhënë dhe ka marrë, duke sjellur informacione dhe duke dërguar informacione. Ku i ka dërguar dhe çka ka bërë nuk e di. Krejt kjo për faktin se nuk e njoh këtë njeri dhe nuk ia di veprimtarinë konkrete”, thotë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat